Letër e nënshkruar
Ali Gjoni
Përshëndetje stafi i Ditës! Sa çudi e madhe me politikanët tanë të nderuar, qysh në verë na u tha që në shtator do të bëjmë reformën në drejtësi. “Është e mbaruar”, na u tha nga mazhoranca aktuale e cila ka marrë një milion vota, votat e Sovranit popull. Duke e parë në një këndvështrim tjetër këtë opsion të mazhorancës aktuale, këtë radhë nuk i kaloi “gomari” në urë ashtu siç e kishte llogaritur.
Me një fjalë, luaj nga luaj, më në fund përplasesh tek Sovrani. Nuk po e kuptojmë këtë term që po na serviret, do të bëjmë referendum për reformën në drejtësi, apo do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Politikanët tanë janë bërë si kokrra e domates sallatë. Thonë që një mësues mbante në dorë një kokërr domate dhe pyet nxënësit:- Sikur këtë domaten ta presim përgjysmë, sa pjesë bëhen? Një nxënës tha:- Mësues, bëhen dy pjesë. – E presim edhe një herë,- tha mësuesi,- sa pjesë bëhen? Nxënësi tha:- Mësues, bëhen katër pjesë. – Po sikur ta presim edhe një herë tërthorazi, sa pjesë bëhet domatja? Nxënësi tha:- Tani o mësues domaten e bëre sallatë! Me respekt, Ali Gjoni, Tiranë.
