Si merret kopja e korrigjuar e testeve të maturës shtetërore

Elena Tase

Maturantët e pakënaqur me notat e provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë mund të shohin testin e korrigjuar, së bashku me fletën e përgjigjeve. Me daljen e notave të këtij provimi, tashmë maturantët mund të tërheqin kopjen e korrigjuar të testit, procedurat e të cilës duhet të kryhen detyrimisht përgjatë këtyre tre ditëve. Por pavarësisht kësaj të drejte, autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit bëjnë me dije se nuk do të ketë rivlerësim të testit. Kjo pasi autoritetet e kësaj qendre sqarojnë se një test ka kaluar në duart e disa mësuesve gjatë procesit të vlerësimit, çka redukton në zero mundësinë për korrigjime të pasakta.

Dorëzimi i kërkesës në shkollë

Sipas udhëzimeve të bëra publike më herët nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, çdo maturant mund të marrë një kopje të testit të vlerësuar për secilin provim të detyruar dhe atë me zgjedhje, duke dorëzuar kërkesën përkatëse në shkollë. Kjo kërkesë duhet të paraqitet brenda tre ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit. “Në zbatim të nenit 26, pika 9, të Rregullores së Maturës Shtetërore 2019, të gjithë maturantët që kanë dhënë provime të maturës, kanë të drejtë të kërkojnë fotokopjen e testit dhe të fletëpërgjigjes, pas përfundimit të të gjitha provimeve. Çdo maturant apo kandidat i viteve të shkuara që kërkon fotokopjen e testeve të maturës dhe të fletëpërgjigjeve përkatëse, duhet të paraqesë kërkesën në shkollë brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim”, sqarojnë autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit. Pas mbledhjes së të gjitha kërkesave të dorëzuara në të gjitha shkollat e arsimit të mesëm, zyrat vendore të arsimit parauniversitar bëjnë dorëzimin e tyre në ambientet e kësaj qendre, brenda 4 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim. Ekspertët e kësaj qendre do të kthejnë përgjigje për të gjitha kërkesat e paraqitura.

Paraqitja e kërkesave online

Gjithashtu, maturantët dhe kandidatët e tjerë janë informuar tashmë se testin e korrigjuar mund të shohin edhe online, duke ndjekur të njëjtat afate aplikimi si në rastin e parë.  “Kërkesat për fotokopje të testit dhe të fletëpërgjigjes mund të kryhen online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim. Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të nisë kopjen e testit për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati, në e-albania. Maturantët do të njoftohen edhe me e-mail, në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje”, konfirmojnë autoritetet e kësaj qendre. Në ndryshim nga aplikimi në shkollë, marrja e testeve të korrigjuara online nuk do të shoqërohet me asnjë pagesë. Aktualisht edhe korrigjimi i testeve të matematikës po shkon drejt fundit dhe brenda pak ditësh do të dalin edhe notat.

Korrigjimi i provimit me zgjedhje

Dy ditë më parë ka nisur edhe korrigjimi i testeve të lëndës me zgjedhje, rezultatet e të cilës do të zbardhen brenda dy javëve të ardhshme. Shpallja e rezultateve të provimit me zgjedhje do t’i hapë udhë nisjes së konkurimit për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private në vend.  Sikundër ka ndodhur me gjuhën e huaj, testin e letërsisë, provimin e matematikës, edhe për lëndën me zgjedhje vlerësimi maksimal do të jetë me 60 pikë. Dikasteri i arsimit ka vendosur më herët se për të qenë kalues në këtë provim, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 20 për qind të këtij totali pikësh me të cilat vlerësohet testi.

Përjashtimi

Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish testimet ku rezultojnë mbetës, dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta, duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë muajit shtator, për kuotat e mbetura bosh nga mbyllja e regjistrimeve të raundit të parë.

Konkurimi për studimet e larta

Sipas kushteve të përcaktuara, të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë këto katër kushte: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Tarifa e konkurimit për universitetin

Sipas udhëzimit të miratuar nga MASR, kostoja e konkurimit që duhet të shlyejnë maturantët për plotësimin e formularit të preferencave për 2019-n do vijojë të jetë 2000 lekë. Formulari për derdhjen e kësaj pagese mund të shkarkohet nga portali online. Kështu, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara kanë afat nga data 27 qershor, e deri në 25 korrik për të bërë dredhjen e kësaj pagese. Mandatin e pagesës duhet ta dorëzoni më pas në shkollat e mesme, të cilat do të konfirmojnë në sistem edhe hedhjen e pagesës nga secili maturant, duke i dhënë kështu të drejtën e vijimit të mëtejshëm të garës për studimet e larta.S

Maturantët që mund të garojnë për studimet

  • Në garë për studimet universitare përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e viteve të mëparshme që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim.
  • Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim do të jetë edhe më e lartë. Kështu në garë për studimet në degët e mësuesisë do të përfshihen kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5 e më lart.
  • Për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Kjo mesatare ndryshon në varësi të degës së përzgjedhur.
  • Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar.
  • Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

 

Share This Article
2 Comments
  • Zoterinj, kete e dijme ne sepse eshte e afishuar. Por me korrigjimin skandaloz te letersise si i behet? Sepse perpos te tjerave nje gabim i tille te kushton te drejten e studimit. Per me teper, mjafton te germosh pak dhe te gjesh aq shume probleme dhe mangesi ne korrigjim saqe te behet se mediat NUK DUAN qe ta japin lajmin, pasi gjithcka eshte uleritese. Apo nuk quhet po nuk e botoi Sali Dixhitali ose Erjon Bracja? Keto na thoni e jo gjera qe dihen. Hajt tung.

  • Thirrje :Mos genjeni qe korrigjimet kane kaluar ne duart e disa korrigjuesve sepse provimet me zgjedhje jane mbaruar se korrigjuari sot dhe me e bukura eshte qe vetem nga nje mesues dhe formosur nga vezhgues i salles per korrigjuesin tjeter pa e bere kete gje.
    Rinia duhet te protestoje sepse nuk duhet te mbaje mbi supe eksperimenget e te pashkolleve qe na shiten si superdiplomuar jashte.
    Testet nuk i jane permbajtur standarteve sepse i gjithe procesi ishte jashte standarteve ku telefonat futeshin nga dritaret kopjet çoheshin nga sekretuesit dhe rezultati ishte qe ata qe vertet ishin te shkelqyer kane marre 7 dhe 8 kurse nxenes qe nuk dine te flasin dhe lexojne 10.Vemendje per rezultatet e ketyre provimeve se dhe mesuesit pesanjosa kane qene ne shkolla e dine vete ata…. dhe qe jane dhe korrigjues, mjere ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *