Qëndrimi në shtëpi për periudha të gjata kohore nuk është argëtues për askënd, por për fëmijët e prindërit, mund të bëhet veçanërisht sfiduese.
Sipas Maria Llara Llerena, çelësi për të mbajtur një gjendje normaliteti për fëmijët është rutina, rregullat, dhe krijimi i një ambienti ku ata të ndihen të sigurt.
“Prindërit duhet të kenë një rutinë për fëmijët e tyre, për t’i ndihmuar me emocionet e tyre dhe t’iu qëndrojnë pranë për t’i bërë të ndihen të sigurt” thotë ajo për Euronews Now.
Krijimi i një ambienti ku të ndihen të sigurt
UNICEF ka publikuar udhëzime të posaçme për prindërit gjatë pandemisë.
Rekomandimi i parë në këtë listë është të shpenzoni kohë me fëmijët, çka i bën të ndihen të dashur nga prindërit dhe të rëndësishëm për ta.
Po aq e rëndësishme është edhe që fëmijët të jenë të informuar mbi çfarë po ndodh dhe mbrojtja nga strese apo shqetësime të panevojshme. Çelësi, sipas UNICEF, është krijimi i një gjuhe të duhur kur diskutojmë me ta për pandeminë.
Rutina dhe rregullat
Mbajtja e rutinës duhet të zgjerohet edhe për aktivitete të tjera. Ekspertët rekomandojnë mbajtjen një planifikimi ditor, pasi jep një ndjesi sigurie.
“Është me rëndësi që ta njihni fëmijën tuaj dhe të dini se jo të gjithë e shprehin në të njëjtën mënyrë. Duhet t’i jepni vëmendje asaj që po përjeton fëmija juaj. Nëse janë më të irrituar mos harroni që është mënyra e tyre për të shprehur emocionet”, thotë ajo.
Izolimi dhe ndjekja e mësimeve nga shtëpia
Shumë fëmijë në dukje janë të lumtur që nuk do iu duhet të shkojnë në shkollë, por mungesa në orët e mësimit i largon nga miqtë e tyre.
Teksa shkollat qëndrojnë të mbyllura në shumë vende, shumë prindërve iu duhet të ndihmojnë fëmijët me mësimet e tyre, por shumë prej tyre janë duke punuar nga shtëpia dhe krijimi i një balance midis punës dhe ndihmës për fëmijët mund të bëhet e vështirë.
Gjithashtu, vlen të përmendet se shumë të rritur mund ta humbasin durimin më lehtë gjatë izolimit ndaj OKB-ja rekomandon “të bëni një pushim të shkurtër dhe të merrni frymë thellë për të paktën 10 sekonda dhe të kryeni aktivitete shplodhëse gjatë kohës që ata janë duke fjetur”.
e.k. / dita
