Pranvera Kola – DITA
Një ndër patologjitë e shpeshta që shfaqet tek femrat, është edhe formimi i polipeve (lytha) në qafën e mitrës. Më të rrezikuara nga këto polipe, janë kryesisht femrat e grupmoshave mbi 40 vjeç.
Në përgjithësi janë të rralla rastet kur këto polipe mund të përbëjnë rrezik për kalimin në faza kancerogjene. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon në vijim të shkrimit format se si shfaqen këto polipe, kategoritë që janë më të rrezikuara, testet që duhet të kryeni për zbulimin e tyre të hershëm, si dhe masat që duhen marrë për parandalimin dhe trajtimin e tyre në rastet kur janë shfaqur.
Mjekja tregon se duhet të paraqiteni për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore në rastet kur vëreni ndryshime dhe çrregullime të ciklit tuaj menstrual, veçanërisht kur keni hemorragji ndërmjet menstruacioneve. Këto lytha duhen trajtuar në kohë pasi mund të çojnë në aborte spontane.
Çfarë duhet të kuptojmë më polipe në qafën e mitrës?
Polipet janë tumore të vogla, të zgjatura, që rriten në qafën e mitrës. Qafa e mitrës është kanali i ngushtë në pjesën e poshtme të mitrës që shtrihet në vaginë. Qafa e mitrës (cervix) lidh zgavrën e mitrës (corpus) me pjesën e sipërme të vaginës. Ajo shërben si kalim për spermatozoidet që nisen për të fekonduar vezën, duke rezultuar në shtatzani.
Gjatë shtatzanisë, qafa e mitrës bëhet më e hollë dhe më e gjerë duke lehtësuar kalimin e fëmijës përmes kanalit të lindjes. Polipet janë struktura të brishta që rriten në sipërfaqe të qafës së mitrës, ose edhe në brendësi të saj. Zakonisht zhvillohet një polip, por mund të jenë edhe dy, tre ose edhe më shumë. Sipas studimeve të Universitetit të Harvardit, polipet janë më të zakonshme në gratë midis moshës 40 dhe 50 vjeçare, të cilat kanë pasur më shumë se një fëmijë.
Polipet, pothuaj nuk ndodhin kurrë në vajzat e reja përpara fillimit të menstruacioneve. Polipet janë mjaft të shpeshta edhe gjatë periudhës së shtatzanisë, si rezultat i niveleve të larta të hormonit estrogjen. Në përgjithësi polipet e qafës së mitrës janë tumore “të mirë”, pra jo kancerogjenë dhe kanceri i mitrës rrallë lind prej polipeve. Shumica e kancerit në qafën e mitrës ndodh për shkak të virusit papilloma të njeriut (HPV), i cili është gjithashtu është edhe shkaku i lythave gjenitale (polipeve).
Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre polipeve në qafën e mitrës?
Polipet janë të shpeshta në menopauzë, ose gjatë periudhës perimenopauzale. Rreth 1 për qind e polipeve të qafës së mitrës tregojnë ndryshime neoplastike, të cilat mund të çojnë në kancer. Shkaku i polipeve të qafës së mitrës është ende jo shumë i qartë, por ato shpesh shoqërohen me inflamacion (infeksion) të qafës së mitrës. Ato mund të ndodhin edhe si rezultat i niveleve të ngritura të hormonit estrogjen, apo edhe si rezultat i çrregullimeve të enëve të gjakut që ndodhen në qafën e mitrës.
Polipet zakonisht janë më të vegjël se 1 cm (diametri), dhe janë përgjithësisht në ngjyrë të kuqe të ndritshme dhe lidhen me qafën e mitrës nëpërmjet një pedunkuli (kërcelli). Herë pas here ato varen (prolabojnë) në vaginë, gjë e cila kërkon kujdes për saktësimin e diagnozës diferenciale. Niveli i hormonit estrogjen është subjekt i luhatjeve natyrale të jetës së gruas, siç edhe përmenda më lart shtatzaninë, periudhën midis cikleve menstruale dhe atë perimenopauzale.
Për shembull, gjatë shtatzanisë niveli i estrogjenit mund të rritet deri në 100 herë më shumë se vlera normale. Po ashtu, substanca kimike sintetike me efekte si të estrogjenit janë të pranishme kudo në mjedis.
Të tilla mund të përmendim xenoestrogjenet që janë të pranishme në mishin dhe produktet e qumështit të prodhuar komercialisht. Estrogjenet kimike mund të gjenden edhe në ushqime që nxehen në materiale plastike. Edhe disa avullues të ndryshëm përmbajnë substanca kimike të ngjashme me estrogjenin. Përveç luhatjeve hormonale, si shkaktarë të polipeve të qafës së mitrës njihen edhe infeksione të ndryshme virale, por edhe bakteriale.
Çfarë ekzaminimesh duhet të kryhen për zbulimin e hershëm të tyre?
Prandaj për gratë e të gjitha moshave rekomandohen pap-testet sipas protokolleve të caktuara, si edhe kontrollet përkatëse gjinekologjike.
Pap-testet janë një masë paraprake e rëndësishme për të gjitha grupmoshat dhe shërbejnë për të zbuluar infeksione dhe qeliza anormale që në fazën e tyre të hershme. Polipet dallohen nga mjeku gjinekolog në një ekzaminim rutinë. Biopsitë (mostrat e indeve) e polipeve merren dhe dërgohen në një laborator për t’u ekzaminuar. Zakonisht rezultati është se këto qeliza janë beninje (jo kancerogjene) dhe në raste të rralla mund të gjenden qeliza të parregullta, ose ndryshime neoplastike.
Si trajtohen polipet e qafës së mitrës?
Heqja e polipeve të qafës së mitrës është një procedurë e thjeshtë gjinekologjike dhe ka mënyra të ndryshme për heqjen e tyre, si për shembull kirurgjia me laser, prerja me pinca, apo edhe përdorimi i azotit të lëngët. Pas ndërhyrjes mund të përjetohen dhimbje të lehta dhe të shkurtra, po edhe gjakderdhje (hemorragji) deri në dy ditë pas heqjes së polipeve.
Cilat janë masat parandaluese?
Heqja e polipeve është një procedurë e thjeshtë, e sigurt dhe joinvasive. Për gratë që kanë pasur polipe, ekziston një rrezik më i lartë i përsëritjes së tyre. Nga ekzaminimet e rregullta gjinekologjike, ato mund të zbulohen që në fazën e hershme të tyre.
Për shkak se disa infeksione janë të lidhura me polipet e qafës së mitrës, disa masa të thjeshta paraprake mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të shfaqjes se tyre. Rekomandohet që veshjet e brendshme të jenë të pambukta, sepse kjo lejon një qarkullim të mirë të ajrit dhe parandalon formimin e nxehtësisë së tepërt dhe të lagështirës së tepërt në zonat intime, gjë e cila favorizon zhvillimin e infeksioneve të shumta (virale, bakteriale, mykotike).
Është i rekomandueshëm gjithashtu edhe përdorimi i prezervativit gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale si masë parandaluese për transmetimin e infeksioneve ndërmjet partnerëve, e në mënyrë të veçantë kur kemi më shumë se një partner. Dhe si masën parandaluese më të rëndësishme do të përsërisja edhe një herë ekzaminimet e rregullta gjinekologjike dhe pap-testet.
Ato janë e vetmja mënyrë për të dalluar, trajtuar në kohë dhe më efikasitetin e duhur polipet e qafës së mitrës. Kjo nuk duhet harruar asnjëherë. Në ditët e sotme, me zhvillimet e vrullshme të shkencave mjekësore është me më pak kosto (shëndetësore dhe ekonomike) të parandalosh se sa të trajtosh me vonesë një patologji.
