Si ndryshojnë pikët e fituesve të fundit për 334 programet studimore

anazapta

Para se të listojnë 10 preferencat ku duan të vijojnë studimet e larta gjatë vitit të ri akademik maturantët duhet të konsultohen edhe me pikët e fituesit të fundit të pranuara gjatë maturës së shkuar në secilin nga 334 programet universitare publike. Në këtë formë maturantët do ta kenë më të lehtë që të përzgjedhin ato degë ku probabiliteti për të qenë fitues është edhe më i lartë. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara pikët e fituesit të fundit të pranuar në secilin program gjatë maturës së vitit të shkuar. Duke ju referuar nivelit të notave të marra nga maturantët në provimet e 2014-s, që kanë rezultuar më të dobëta se sa ka ndodhur në maturat e shkuara parashikohet që të ketë rënie të pragut të pikëve për pranimet në secilin program. Megjithatë, ekspertët thonë se dy janë rregullat që nuk duhen neglizhuar, së pari në krye të listës duhet të përzgjidhen degët që janë më të preferuarat, dhe së dyti duhen parë me kujdes koeficientet e përcaktuar nga vetë fakultetet për çdo lëndë me zgjedhje. Për të shmangur rrezikun e mbetjes jashtë nga gara e universitetit ekspertët e maturës këshillojnë maturantët që në formular të rendisin ato degë që janë të ngjashme me llojin e lëndës që maturanti ka dhënë si provim me zgjedhje pasi vetëm në këtë formë kanë mundësi të sigurojnë më shumë pikë duke qenë se dhe koeficienti që përfshihet në llogaritjes është më i lartë se sa do të ndodhte me përzgjedhjen e një lënde që i përket një tjetër profili. Në një dalje publike për mediet dy ditë më parë zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj ka theksuar se maturantët nuk duhet të përtojnë, por të plotësojnë 10 kërkesat kur të vijë momenti i formularit A2. Kjo sepse në vitet e shkuara ka ndodhur që një maturant është fokusuar në një lëndë, ka bërë 2-3 preferenca duke mos plotësuar 7 të tjerat, çka ka sjellë edhe skualifikimin e tij duke humbur universitetin, pasi pikët e tij ishin të pamjaftueshme për t’u shpallur fitues vetëm në dy apo tre degët e listuara prej tij.

 

Zbardhen rregulloret dhe kriteret për degët me konkurs

Gjatë plotësimit të formularit A2 kujdes maksimal duhet të kenë edhe maturantët që duan të vijojnë studimet e larta në një nga degët e fakulteteve të Universitetit të Arteve apo Sporteve. Për këto të fundit rezultatet e provimeve të maturës do të kenë një peshë të vogël në përzgjedhjen e fituesve (20 deri në 30 për qind në varësi të programit). Peshën vendimtare në përzgjedhjen e fituesve do ta kenë pikët e fituar në konkursin individual që maturanti do të zhvillojë në mbyllje të muajit gusht. Këta maturantë duhet që gjatë plotësimit të formularit A2 degët e arteve dhe sporteve t’i rendisin ndër preferencat e para. Kush nuk ka përzgjedhur në formularin A2 këto degë nuk ka të drejtë që të marrë pjesë më pas në konkurset që zhvillohen në fund të gushtit apo fillim të muajit shtator. “Pranimi i kandidatëve në Fakultetin e Arteve të Bukura, Fakultetin e Muzikës, Fakultetin e Artit Skenik, si dhe programet universitare të sporteve do të bëhen mbi rezultatin e konkurseve që zhvillohen pranë secilit fakultet, në të gjitha programet e studimit sipas kritereve të miratuara nga Senati Akademik i Universitetit, dhe pikëve totale të maturës shtetërore”, sqarohet nga burimet zyrtare të Universitetit të Arteve. Maturantët mund të gjejnë online në faqen zyrtare të këtij institucioni rregulloret konkrete dhe temat që duhet të përgatisin për secilin program studimor të arteve. Në përbërje të komisionit të që do përzgjedhë fituesit do të jenë titullarë të fushës përkatës, pedagogë të departamentit, si dhe pedagogë të ftuar. Ndërkohë që në rregullore thuhet se në komision nuk do të lejohen pedagogët apo persona të tjerë që kanë bërë konsultime private lidhur me konkursin e pranimit, si dhe kur janë në konflikt interesi. Kanë të drejtë që të regjistrohen në konkurs të gjithë ata kandidatë që do të jenë pjesë e listës zyrtare të dërguar nga MAS pas plotësimit të formularit A2. Datat dhe kalendarët e testimit për secilin kandidat do të shpallen një javë para nisjes së konkursit zyrtar. Konkursi do të mbështet në tre rubrika kryesore që kanë të bëjnë me punë praktike në atelie, testim teorik, si dhe prezantimin e dosjes personale. Gjatë procedurës së regjistrimeve kandidati duhet të deklarojë me shkrim detyrimisht specialitetin që preferon të zgjedhë për të vazhduar studimet pranë këtij fakulteti, lejohen deri në dy preferenca të përzgjedhura sipas radhës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *