Pavarësisht kontributeve të derdhura në skemë gjatë viteve, reforma e pensioneve që do të zbatohet në nisje të vitit të ardhshëm nuk do të prekë përfitimet e aktuale të skemës. Duke raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë mbi ndryshimet në skemën e sigurimeve shoqërore ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj ka ritheksuar se reforma nuk do të ndikojë negativisht në pensionet që përfitohen nga skema aktuale. Sipas përcaktimeve të reja edhe nëse përfituesit që janë tashmë në pension kanë derdhur kontribute të pakta, nuk do të ketë ulje të pensionit për ta, por edhe për këtë kategori do të vijohet me rritjen e pensioneve sipas politikave të caktuara. Për t’u përfshirë në skemën e pensioneve, minimalisht do të kërkohen 15 vite të njohura si periudhë kontributeve. Më tej në varësi të viteve të njohura si periudhë kontributeve do të përcaktohet edhe niveli real i pensionit që do të marrë aplikuesi. Në këtë formë nuk do të ketë më pensione maksimale të përcaktuara sikundër ka ndodhur në skemën aktuale. Pensioni do të bazohet jo vetëm mbi pagën e viteve të fundit, por në bazë të kontributeve që janë paguar gjatë gjithë kohës së punës, ku dhe me zbatimin e ndryshimeve të diktuara nga reforma sërish pensioni do të jetë më i lartë se sa masa që jepet në skemën aktuale. Sa më shumë të kontribuohet në skemë, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor. Sipas ministrit Veliaj skema e re parashikon kalimin drejt një sistemi unitar të llogaritjes së pensioneve. “Pensionet rurale, një bazë e madhe ka shkuar në pensionet urbane. Ne kemi një sistem unitar të llogaritjes së pensioneve. Në 2013 kishim 430 mln dollarë të subvencionuara nga shteti. Kishim rritje të defiçitit. Kemi shteruar maksimumin që shteti mund ta subvencionojë këtë skemë. Të ardhurat e kontributeve janë sa gjysma e shpenzimeve, pjesa tjetër është subvencion”, ka theksuar ministri Veliaj kundrejt kushteve që çuan në reformimin e kësaj skeme. Duke shpjeguar para përfaqësuesve të komisionit, ministri është ndalur dhe në detajet konkrete se si pritet të ndryshojë masa e pensionit sipas formulës së re të llogaritur mbi nivelin e pagave minimale, mesatare dhe atyre maksimale. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara shembujt konkret të llogaritjes së masës së pensionit për të tria nivelet e pagave duke marrë parasysh formulën e re të llogaritjes së pensioneve, zbatimi i të cilës nis që nga 1 janari i 2015-s. Kundrejt interesit të shfaqur nga përfaqësuesit e komisionit me ndryshimet që do të pësojë masa e lejes së lindjes, ministri Veliaj ka sqaruar se ajo duhet të jetë më e ulët se paga reale, në mënyrë që punonjësit të nxiten të rikthehen në vendin e punës.
Ja sa do të bëhet masa e pensionit
Edhe sipas skemës së re pensioni do të përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shumë shtesë. Shuma bazë do të llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi me periudhën e sigurimit të kërkuar, (sipas nenit 92 të ligjit të ri), e shumëzuar kjo me masën e pensionit social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën e mesatares së vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura në vite. Parashikohet që Këshilli i Ministrave të indeksojë çdo vit bazën e vlerësimit individual. Shumë e përgjithshme e pensionit nuk do të jetë kurrsesi më e vogël se sa masa e pensionit social që do të përcaktohet për kategoritë me mungesë të ardhurash.
Si do të ndryshojë baza e vlerësueshme për llogaritjen e pensionit
Baza e vlerësueshme për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderur e bazës së vlerësuar të dyja periudhave. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës një janar 1994, si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga kjo datë deri në 31 dhjetor 2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Tabela 1
Llogaritja e pensionit për një individ me pagë minimale me 35 vite sigurim sipas formulës së re
Tabela 2
Llogaritja e pensionit për një individ me pagë mesatare me 35 vite sigurim sipas formulës së re
Tabela 3
Llogaritja e pensionit për një individ me pagë minimale me 35 vite sigurim sipas formulës së re