Lirikë-sipas A. S. Pushkinit
Kujtoj at’ çast të paharruar,
kur ti m’u shfaqe para sysh,
gjer në detaj e pikturuar,
si një dhuratë perëndish!
Mundim e lodhe se ç’m’u tretën,
më ikën krejt si me magji,
të shtangur sytë tek ty më mbetën,
se s’kishin parë një Perëndi!
Këtë magji-këtë finesë,
këtë shkëlqim që të merr sytë,
njeriu shekuj mund të presë,
dhe s’e sheh dot për herë të dytë!
Tek një e vetme janë mbledhur,
gjithë mrekullitë e njerëzimit,
në çast kjo xhinde më ka hedhur,
poshtë-në greminë të frymëzimit!
Ti s’mund ta fshihje bukurinë,
dhe ndryshe krejt tek unë të vije,
pa u gremisur në greminë,
s’mund t’i këndosh një Perëndie!
Dhe kritizeri më i çmendur,
tek ti nuk gjen dot një difekt,
se ti e gjitha je e gdhendur,
se ti e gjitha je perfekt!
Të adhuroj-po nuk të dua,
kjo do të ish një marrëzi,
se mëndja s’më ka ikur mua,
të dashuroj një Perëndi!
Kur para syve ti m’u shfaqe,
krejt madhështore si kështjellë,
në shpirtin tim nuk kish më paqe,
dhe rashë në honin më të thellë!
M’u shfaqe ti e s’jam i bindur,
në ishte verë-apo vjeshtë,
po jam i bindur që s’ke lindur,
për një njeri fare të thjeshtë!
Që nga ai çast i paharruar,
kur ti m’u shfaqe si magji,
i kaloj ditët i hutuar,
e kaloj jetën në mërzi!
Se që kur gdhin e gjersa muget,
e kaloj ditën katrahurë,
përpara teje sot më duket,
çdo grua një karikaturë!
Nuk është çudi të më shikoni,
gjithnjë të vetëm si kukuth,
mbas gjithë atij nur-perfeksioni,
një tjetër femër s’mund të puth!
Vetëm një çast e ti më çmende,
kometë që shndrite krejt papritur,
unë ëndërroj veç buzën tënde,
ndaj do të vdes krejt i zhuritur!
18 Qershor, 2017