Si u prezantua Shqipëria në Bienalen e 59-të të Artit në Venecia

Ornela

Bienalja e 59-të e Artit, e cila çeli siparin më 23 prill në Venecia, këtë vit do të jetë ndryshe.

Ajo do të vijojë deri më 27 nëntor 2022, nën kurimin e veçantë të Cecilia Alemani.

Në fakt, edhe zgjedhja e këtij emri, përveç të tjerave, është një risi në këtë Bienale: Alemani është e para kuratore italiane që kuron ekspozitën kryesore në Bienalen e Artit, emocion të cilin ajo zgjedh ta ndajë edhe me publikun.

“Si gruaja e parë italiane që mbaj këtë pozicion, synoj t’u jap zë artisteve femra, për të krijuar projekte unike që pasqyrojnë vizionet e tyre dhe shoqërinë tonë”, tha Alemani, përcjell Albanian Post.

Cecilia Alemani është kuratore me ekspozita të shumta mbi artistët bashkëkohorë, menaxhere dhe kuratore kryesore e Artit High Line, programit të artit publik të High Line, parkut urban të ngritur në New York.

Në këtë edicion të 59-të, Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua që nuk jeton më, Lumturi Blloshmi.

Në hapësirat e Arsenales, në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar u prezantua me punët e veçanta të Blloshmit, në kujdesin e kuratores Adela Demetja.

Puna ndër vite e Blloshmit dhe koncepti kuratorial i Demetjas e vendos Pavijonin Shqiptar brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.

Me titull “Lumturi Blloshmi, nga e para”, ky prezantim është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme.

Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.

Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht, publiku qaset në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit, përmes një arkivi virtual, të krijuar në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley.

Lumturi Blloshmi u lind në Tiranë në vitin 1944.

U nda nga jeta prej COVID-19 më 27 nëntor 2020.

U diplomua për pikturë në vitin 1968.

Biografia e jashtëzakonshme e Lumturi Blloshmit, personaliteti i saj i fuqishëm dhe mbi të gjitha vepra artistike cilësore, e bëjnë atë vlerë unike dhe domethënëse për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.

l.b./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *