Si populli, ashtu dhe qeveria?
E kam dëgjuar me qindra herë “Secili popull udhëhiqet nga qeveria që meriton”, por sinqerisht, nuk jam përpjekur sa duhet që ta di se kush e kishte thënë këtë, për t’i thënë i lumtë, ose ju thaftë goja. I lumtë, sepse e ka qëlluar. Ju thaftë goja, sepse u rrita e po plakem me dëshirën që të mos jetë ashtu.
Meqë është kështu, vendosa mos ta ngushëlloj më veten. Vendosa ta braktis shpresën vetë-ngushëlluese dhe mos ta praktikoj lutjen e zakonshme, sepse nuk po e ndjej, e nuk po e shoh, që do të bëhet më mirë. Për fatin e keq të gjeneratave të tashme e të ardhshme, nuk duket në horizont kurrfarë ndryshimi. Kur ndryshimi vonon, koha dhe të mashtruarit, të pakënaqurit, të zhgënjyerit, të pashpresët, të uriturit mallkojnë. E kur këta mallkojnë, Zoti nuk përton, dënon! Që dënimi mos të jetë edhe më i rëndë, edhe më joshës për zullumqarët, jam lutur me përgjërim që populli im të ndryshojë. Po, të ndryshojë, që edhe Zoti të na ndihmojë të ndryshojmë, sepse kështu më nuk bën. Nuk bën pra, sepse është e padurueshme që për shkak të qëndrimit, sjelljes dhe veprimeve të bashkëkombësve tu, të jesh vëzhgues, dëshmitar e përjetues i triumfit të së keqes mbi të mirën, të së shtrembrës mbi të drejtën, të rrenës mbi të vërtetën, jovlerës mbi vlerën, të hipokrizisë mbi çiltërsinë, të të fortit mbi të pambrojturin, të keqit mbi të mirin, dembelit mbi punëtorin, koprracisë mbi bujarinë, vjedhjes mbi zellshmërinë, korrupsionit mbi ndershmërinë.
I bindur thellë në këtë, kam vendosur, që në vend të qortimit e mallkimit, ta ftoj popullin tim për meditim, reflektim e kthjellim, sepse baza e përmirësimit të një gjendjeje është te vullneti dhe forca e kërkimit të ndryshimit, te forca e besimit dhe e bashkimit. Nuk e ka thënë kot i madhi Zot “Ndrysho veten, që ta ndryshosh gjendjen, e nëse ke nevojë për ndihmë, kërkomë!”.
Vendosa t’ia shkruaj këtë letër të hapur popullit tim, i cili si në Maqedoninë Shqiptare, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri kërkon zgjedhje e zgjidhje, që t’ia rikujtojë se ka qenë Graf Joseph Marie de Maistre (1753-1821) shkrimtari, filozofi dhe diplomati francez, i cili në letrën e tij të shkruar më 15 gusht 1811, pat thënë me të drejtë: Secili popull udhëhiqet nga qeveria që e meriton.
Letër e nënshkruar,
Mahir Mustafa
