Prof.dr. Bardhosh Gaçe
Një nga mrekullitë e natyrës, nga komunikimet që askush nuk na ka thënë, se pse ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë akoma, është lidhja e pakushtëzuar e pulëbardhave me ujërat e kaltra të deteve. Pulëbardha është ndoshta shpendi më i ndjeshëm dhe më fisnik, i cili respekton jetën e lirë dhe vdekjen. Tregohet se shpirtin pulëbardha ia beson vetëm detit, vetëm ujërave të kaltra të tij, kur ajo ndjen se duhet të largohet nga kjo botë e gjallë.
Pulëbardhat kthehen në pikun e ujërave të kaltra kur shuhen dhe zhyten thellë në ujërat e detit, për të mos dalë më në sipërfaqe. Në këtë rast nuk është vendi për t’u marrë me këtë mister, por një metaforë gjithësore, e natyrës së simbolikës së detit (një nga simbolet më të përdorura në letërsinë artistike të përbotshme) gjithsesi të feks sapo has fjalën deti.
Aleksandër Çipa na ka ofruar një libër interesant me poezi me një qasje metaforike “Deti nuk ka portë” në të cilin ka një dimension vërtetë të epërm të komunikimit të autorit me lexuesin. Çipa është një poet reflektar, me një ndjeshmëri interesante për atë që sheh, atë që e rrethon, me një përfytyrim, përmes të cilit mund të kuptosh dijet e tij të gjera, të cilat ai zotëron, aftësi për t’i bërë komunikuese me lexuesin përmes poezisë, njërës nga llojet letrare më elitare të shoqërisë njerëzore.
Duke qenë se poezia është një marrëdhënie e hapur, mendoj se poezia e Çipës përbën një zë interesant në vetvete, por edhe në poezinë e botuar sot, pasi ai imponon një lexim specifik të poezisë së tij së brendshme dhe në strukturën e komunikimit poetik.
Libri “Deti nuk ka portë” përmban tetë cikle të titulluar: “Mërzi ndriçuese”, “Vetmia në rrëmujë”, “Për shpirtin je fe”, “Në tel të nëntë si Orfeu”, “Atdheu i absurdit”, “Deti nuk ka portë”, “Statujës së mishtë” dhe “Kangjella para gjumit” në të cilat “qerthullojnë” gjetje të mrekullueshme poetike rreth në shtatëdhjetë e ca poezi. Gati të gjitha ciklet nga dukjet titullore kanë një metaforë, të ndërtuar mjaft mirë dhe mjeshtërisht përmes një komunikimi metonimik.
I gjithë libri ka një metonimi interesante, pasi Çipa ka një prirje të dukshme dhe të pranishme për të shkuar drejt unit lirik, për t’iu shmangur brohorimave, por në vetvete i një raport ekzistencial, çka nënkupton kohën. Lirizmi i dukshëm, veçmas në lidhjet e forta që ai tregon me përditësinë jetësore, në të vërtetë kërkon një lloj interpretimi filozofik, të dukurive dhe fenomeneve sociale.
Pavarësisht se në libër, motivi i detit është sigluar vetëm në ciklin e gjashtë të librit, në rreth njëmbëdhjetë poezi, deti është i pranishëm në pjesën më të madhe të frymëzimeve, të ndjesisë dhe lidhjes së fortë që poeti ka me formimin e tij. Unë duke e njohur mirë këtë fondament të rëndësishëm të Çipës, nuk mund t’i shmangem gjithsesi poezisë së titulluar “Tim eti”, një poezi që i kushtohet njeriut më të dashur të poezisë së këngës popullore polifonike Lefter Çipës.
Poezia duket dedikuese për babain e poetit, por në gjerësinë e vet ajo zbulon një pamje interesante ku edhe është formuar edhe vetë poeti. Aleksandër Çipa, kur flet për Lefter Çipën ka folur edhe për bregdetin, këngën polifonike, për Himarën, për Bregun e Detit, për bregdetasit, për kulturën dhe jehonën e saj. Ndër të tjera ai shkruan:
”Do të shkosh o I paikshëm/Ta mbush trupin e paktë/Me nnjë melos të mbulohesh/Kujë pak, e këngë e gjatë”, apo “Do të ngjitesh ku s’ka ngjitje/Veç imazh naiv njerëzimi/ Nëpër kohën e paardhur/Fshehur si nën bar burimi”, për të vijuar në strofën emblematike: “At i këngës në atë gjuhë/ Sa dhe deti ta zilepsi/ ai shtoi dallgë pa fund/Ty në shqip fjala të mbeti”. Kaq shumë metafora me vargjet ritmike të poezisë, zbulojnë kaq shumë kohë dhe një figurë emblematike të njohur si bardi i madh Lefter Çipa.
Po ashtu, Çipa ruan një lidhje të fortë me figura të tjera të kohës, përmes të cilave duket se ai reflekton nevojën e ekuilibrave shoqërorë në ritmet e zhvillimeve kohore. Poezia “Postlexim Çabej”, një poezi interesante, leximi i të cilës fillon me dyvargëshin e parë të strofës së tretë, ku shkruhet: “Një dijetar sheh përthellë qiejsh/pafundësinë kozmike plot…”, ndërsa gjithë vargjet e tjera përveçse rrotullohen rreth kësaj qasjeje, ato përbëjnë edhe kontekstin e këtij thelbi.
Çipa është poeti i detajeve dhe vëzhgimeve të holla, i cili e zbulon idilin e jetës në një këndpamje universale, si përmes metaforës së natyrës, në poezi të tilla si “Avull në brymë”, “Kurora në vjeshtën e pemës”, “Prit, thotë natyra”, “Pellg i kujtimit nën shira qiejsh”. I gjithë cikli i gjashtë “Deti nuk ka portë”, shpërfaq poezitë e gjendjes: “Ke ikur prej botës së prekshme”, “Në trishtim të ditës”, “U shtuan shirat”, “Nyje”, “Siri 2016”, apo përjetime idilike në poezitë “Kthim i fytyrës pa fat”, “Im atë ka një hall për qiejt”, një numër i konsiderueshëm i poezive në të cilat ka një përzierje një raport disproporcional mes peizazhit dhe gjendjes shpirtërore, në të cilat gjenden shenjat e ndjeshmërisë dhe shpirtit poetik si vel i hollë i Bregut të Detit.
Një cikël i veçantë, në të cilin bie në sy një shqisë e hollë konceptuale dhe një perceptim thuajse filozofik, ku lëviz një psikologji e thellë shpirtërore është cikli i lirikës së dashurisë. Jashtë këtij raporti asnjë poet nuk mund të kuptohet dot. Poezitë e kësaj natyre, të cilat bulojnë në të gjitha ciklet e librit janë më së shumti poezi të gjendjes, për shkakun e kujdesit për të komunikuar. Duke qenë natyrisht vetvetja në ndonjë peozi të kësaj natyre duket peizazhi shpirtëror dhe mjedisi kadarean, i cili është trajtuar përmes raportit që poeti Aleksandër Çipa ka me këtë gjendje subjektive. Poezia me titll “E paqtë”, është njëra nga poezitë më të bukura të kësaj teme.
Poeti shkruan: “E paqtë ti shkon me hap të lehtë,/Këtu ku jam rrëmujë më le./Ta lehtësoj mungesën tënde,/ Nga vetja ime pot ë nxjerr?”, dhe strofa e dytë : “Nuk themi më: si ish e ngjau?/Ta fshijmë prej vetes, çka nuk bën vend,/”për të gënjyer kohën, duku sipas kohës”,/Kjo thënie e Shekspirit më sillet në mend”, për ta mbyllur me strofën :”Unë mbeta fluger në rrëmujë/e paqtë në rrugën tënde ti ike/ Me ty dashuria ka një vendlindje gjithnjë,/Sikurse mendimi në Athinën antike”. Pra, siç shihet, poeti arrin t’i japë një frymëmarrje të çuditshme mendimit që lind nga një detaj i vogël, i një ikjeje që e lë veten pas në botën dhe meditimin e poetit.
Krahas peizazhit, natyrës, maleve, reve, një fjalori të natyrës psikologjike, pasi Çipa ka një angazhim dhe një gjendje të qartë për të shkruar poezi të mendimit ai përdor dendurisht si simbolikë të thellë dhe të brendshme shiun.
Çipa ka një receptim, herë në dialog, herë në monolog, herë si vizatim, herë si shfaqje mjaft interesante me natyrën. Ai e adhuron natyrën për shkakun e thjeshtë, me të dhe në të ai është i mishëruar si mendim, si ide, si shpjegim, si jetë dhe si kujtim. Në ndërthurjet e natyrës shpeshherë ai gjen gjendjet e vetvetes në format e caktuar, por edhe dilemat filozofike.
Në këtë lidhje të fortë është edhe shiu i Çipës. Shiko sa mjeshtërisht ai e zbulon këtë lidhje të fortë në poezinë “Pellg i kujtimit nën shira qiejsh”, kur shkruan:”Kanë nisur qiejt të kullojnë litarë shiu nëpër re,/U frynë përrenjtë dhe po vërshojnë,/Lumenj me ujë e dhé”, strofë e natyrës përshkruese, që përthyhet në një gjendje mendimi dhe mditimi në vargjet e tjera: “U bënë pellg kujtimet tona,/po nuk lagin askund,/Në dritë sysh po shtojnë mjegull,/po drita s’humb”. Një gjendjeje që ai i dedikohet plotësisht kur shkruan dyvargëshin: “Më lër të lagem gjatë, në këtë mot të shkurtër,/Rreth teje jam mbërthyer, e lidhem si një kulpër…”.
Pra, siç edhe mund të kuptohet, zotësia poetike e poetit është se ka arritur të pleksë bashkë disa gjendje, rrethana dhe simbolika, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në poezinë e Aleksandër Çipës. Shiu zë një vend të dukshëm në gjendjet poetike dhe meditative të poetit që e ndihmojnë atë në “fjalëkalimet” e përjetimeve ekzistenciale poetike, të cilat janë të rëndësishme në jetën e poetëve.
Këtë refleks meditativ e gjejmë qartësisht në poezinë “Nën shi Prizreni”, kur shkruan: “Grushte shtëllungash me re/Hedhur përreth pa kujdes./Natyra si kujdestare/Shpërfilljen e ndan me vetveten./ dhe strofa definitive:”Nga minaret u kullojnë vilare shiu,/Dhe bien mbi kalldrëm butë- butë,/ Koha është e gjitha kujdestare/ushqyese për mendime si bukë.” Realisht është një ditë shiu në një qytet të lashtë me shtresimet e të gjithë kulturave historike, si Prizreni.
Aleksandër Çipa ka një tipar përmes të cilit ai përvijon edhe një lloj profiliteti specifik, të cilin duhet ta rrokësh me një sens të hollë dhe një shqisë të mprehtë për ta interpretuar dhe njohur afër të vërtetës së vet. Ai përdor vetën e parë në rastet kur poezia e tij ka një prirje për të qenë poezi e mendimit, me një kontekst filozofik. Natyrshëm kjo ka çuar dhe drejt një uni lirik të kuptueshëm në poezinë e tij.
Ndoshta cikli më me peshë në libër është ai që shënohet që në titullin e librit “Deti nuk ka portë”. Natyrisht metafora është shkruar kaq thjesht, por e ndërtuar me një strukturë të fortë komunikimi për të mbartur pesha më të forta kumtesh, komunikimi dhe gjendjesh. Është një metaforë me një strukturë të hapur, një strukturë të gjerësuar, një qasje brenda të cilës është ai dhe shqisa poetike e tij. Në leximin e brendshëm të librit dhe të ciklit ka një poezi që e qendërson pamjen, shpirtin, forcën dhe “shenjëtimin” e poetit, e cila ndoshta përbën edhe kredon e të gjithë librit “Deti nuk ka portë”, e titulluar “Deti në prehrin tim”.
Në prehër rrinë gjërat e vogla por të shenjta dhe të shtrenjta. Ndoshta me këtë “diçiturë” mund edhe duhet të lexohet poezia. Alekasndër Çipa shkruan: “Është i qetë, sa foshnja në gjumë,/Në perëndim të kësaj mbrëmjeje./Në prehër dua ta marr,/Por e kam të pamundur./Si fëmijë zgjat grushtin e duarve ta ngre,/ Por currila rrjedhin,/ Si pendimi në sytë e një zonje.”
Janë vargje të thella, në të cilat lëvizin gjendje të çuditshme, ku duket kontrasti i thellë madje deri në një farë oximoroni, poeti ndihet pamundur ta përmbushë, ta sundojë atë që dëshiron përballë detit, që i duket si fëmijë por nuk është i tillë, i duket si një gjë e vogël dhe e çmuar por nuk mund ta marrë në prehër. Është një ndjenjë intimiteti në këtë rast, me ç’rast poeti arrin të tregojë afinitet.
Strofa e dytë është përshkruese, është definuese e shtrirë në kohë dhe realitetin e poetit. Çipa shkruan: “I shtrirë sonte para meje,/Si fusha e lodhur në vjeshtë,/ Ku pritet tufa e zogjve për mërgim,/Tek deti nuk vijnë zogjtë,/ Po dallgët e shtrëngatat/Që zgjohen thellësive./Aty ku ndoshta gjendet prehër i Perëndive…”.
Deti, Himara dhe Bregu i Detit është edhe një ”muze” i njohur, një shteg i gjerë ku u përplasën kohët e shqiptarëve me kohët e të tjerëve, si një dëshmi mbijetese. Pavarësisht lirizmit të dukshëm dhe thelbësor me të cilin nis poezia, poeti nuk mund t’i shmanget këtij fakti, pasi edhe për këtë shkak deti i tij është i shenjtë dhe hyjnor.
Poezinë e mbyll një dyvargësh deklarativ dashurie, një deklaratë emocionale dhe bazike, të cilës poeti nuk mund t’i shmanget: “Në prehërin tim/ sonte, kam ulur detin…”, një metaforë e bukur, si një dashuri e pashmangshme. Metafora “Deti nuk ka portë” është një nga gjetjet thelbësore të gjithë librit, e cila në vetvete ka të bëjë me nevojën e komunikimit të poetit dhe mesazhit që ai kërkon të përcjellë.
Libri ka një shkakësi dashurie për të qenë, i tillë, por në këtë cikël ka edhe diçka interesante; në të ka dy poezi me të njëjtin titull: “Atje, tek vis i vetëm”, ku bie në sy gjysmëvargu refren “Atje në vis…”, ku bëhet fjalë për vendlindjen, dhe që shpjegon me shumë idilitet e dashuri vendlindjen dhe poezia me të njëjtin titull, ku flet për natyrën, qerthulloren e plazhit ku është rritur, si një “zë” që e kërkon vazhdimisht për t’u kthyer atje.
Poezia “Deti nuk ka portë” është poezia që është shkruar në formën më të mirë të mundshme në harmoninë vargnore, rimore edhe të një gjendjeje maksimalisht komunikuese. Është një poezi që duket si një trup, ku lëvizin ritmikisht dhe në harmoninë e vet të gjithë gjymtyrët e tij. Poeti shkruan: “Për tek deti mos kërko portë,/ku mund të hysh si në shtëpi./Dallga kurrë nuk është një shkallë,/ As ngjitesh, as zbret në thellësi.”, dhe “As oborr si tek shtëpia nuk ka,/ Trokitja nuk vlen për të hyrë./Deti nuk është botë e ujtë para nesh,/ Ka shije të kriptë, shijon zanafillë.”…
Poezia e Aleksandër Çipës është produkt i një marrëdhënieje të receptimit që një njeri me botë të ndjeshme ka me kohën, veten, natyrën, njerëzit, gjendjet dhe gjithçka e rrethon. Ndryshe shumë poetëve të tjerë, Çipa ka të konsoliduar tendencën për të shkruar poezi të mendimit, pra nuk ka një varësi funksionale nga rrethanat. Është poet i një mesazhi të thellë filozofik. Natyrisht profiliteti i tij do të dalë në pozitën e vet në të ardhmen. Ky libër është një dhuratë e bukur për lexuesin e poezisë, veçmas poezisë së detit, njëri nga simbolet e hershme të poezisë botërore. Jam i sigurt se poezia e Çipës kërkon lexime dhe interpretime më të thelluara se kaq.
Tiranë – Vlorë, maj 2019
