Si ra Fran Ivanaj

redaktor

Dyzet vjetori i rënies së Heroit të Popullit Fran Ivanaj, përbën një datë historike në jetën e popullit të krahinave tona dhe më gjerë.

Frani u lind më 29 shtator të vitit 1944 në Malin e Rencit të rrethit të Lezhës. Ivanajt, si shumë malësorë të Malësisë së Madhe kanë zbritur nga zona e Shkrelit. Gjyshi i Franit, Kolë Ivanaj, ka luftuar dhe është masakruar nga serbët e ka vdekur nga plagët e marra prej tyre. Që në fëmijëri, Frani dhe gjithë malësorët e veriut, janë njohur me incidentet dhe masakrat që kanë shkaktuar mbi ta shovinistët serbë.

Në moshën 14- vjeçare, Frani filloi punën në peshkim. Aty, ai që herët, u njoh me vështirësitë e punës dhe të detit, me heroizmat e detarëve por edhe me provokacionet që bënin fqinjët tanë në kufinjtë detarë. Pasi mbaroi Shkollën e Peshkimit në Durrës, ai u bë kapiten barke, një nga më të zotët e flotës së peshkatarëve të Shëngjinit.

Duke punuar e jetuar në qytetin e Shëngjinit, ai u njoh me historinë e këtij qyteti 2300 vjeçar. Porti dhe deti me të mirat e tij, kanë shërbyer si burim mirëqënieje për popullsinë e zonave bregdetare por siç dihet nga deti kanë ardhur edhe shumë pushtues. Dhe sa herë kanë ardhur, ata kanë hasur në rezistencën e popullit të këtyre anëve. Mjafton të përmendim 2-3 shembuj për të vërtetuar këtë. Kështu gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit kanë zbarkuar shumë ushtarë turq për të mposhtur Lidhjen e Prizrenit dhe sidomos rezistencën e popullit të Ulqinit dhe Tivarit, por janë pritur me armë. Në vitin 1911, ushtritë e tjera armike kanë ardhur për të shtypur lëvizjen e Malësisë së Madhe por janë zbrapsur në det. Me 7 prill 1939, forcat e xhandarmërisë dhe populli i Shëngjinit bllokuan për disa orë fashistët italianë që zbarkuan në Shëngjin, çka bëri që ky qytet të futet në histori si vendi që së bashku me Durrësin, Vlorën e Sarandën filloi luftën kundër fashizmit.

Më datën 15 dhjetor të vitit 1975, një anije pirate jugosllave filloi provokacionin kundër anijes “Islam Mustafa”, kapiten i së cilës ishte Frani. Ata e kishin “bërë zakon” që t’i dhunonin anijet tona, sidomos anijet peshkatare të paarmatosura. Kërkonin të hynin në anije, t’u hiqnin flamurin kombëtar dhe simbolet e tjera, t’i merrnin në arrest e t’i dërgonin në portet e tyre. Por këtë turp kombëtar, këtë fyerje të rëndë nuk mund ta pranonte Frani dhe shokët e tij. Për disa orë ata luftuan trup më trup me forcat armike që ishin 5-6 fish më shumë dhe të armatosur me armët e kohës. Me forcën e krahut dhe mjetet rrethanore u rezistuan forcave armike. Ata nuk arritën as t’u hipnin në anije dhe as t’i merrnin në arrest. Kur panë se nuk e mposhtën ekuipazhin e anijes, qëlluan për vdekje kapitenin trim Fran Ivanaj. Pas vrasjes së Franit drejtimin e mori 16-vjeçari Nikolin Çobani. Ekuipazhi vazhdoi udhëtimin drejt bregut për të sjellë anijen me trupin e heroit në tokën mëmë.

Kam qenë dëshmitar i ngjarjes. Kur po vinin anijet tona drejt bregut, mbërriti në Shëngjin familja e Fran Ivanajt me në krye nënën Gjyste. Sapo erdhi në port ajo ju drejtua njerëzve që e prisnin: “A kam përse t`ua jap dorën, a e ka dhënë jetën si burrë djali im?”. Ku i gjeti këto fjalë aq trimërore e burrërore kjo grua?

Fran Ivanaj u përcoll për banesën e fundit me nderimet më të mëdha nga populli i rrethit të Lezhës e shumë të tjerë të ardhur nga Malësia e Madhe, Shkodra, Kruja, etj. Erdhën aq shumë njerëz sa nuk i zinte “Kodra e Marlekës”. Në shpirtin e tyre ishte dhimbja e madhe për humbjen e Franit por edhe revolta për këtë akt armiqësor që kryen jugosllavët.

Mbas këtij akti Frani u shpall Hero i Popullit dhe për të u shkruan libra dhe shkrime të ndryshme, u bënë këngë dhe u ngrit Muzeu i Shëngjinit kushtuar heroizmit detar, një pavion i të cilit e zinte akti atdhetar i ekuipazhit të anijes “Islam Mustafa” dhe kapitenit të saj. Në qytetin e Shëngjinit u ngrit lapidari kushtuar kësaj ngjarjeje që ka mbetur simbol i heroizmit në mbrojtjen e kufinjve tanë detarë.

Vit për vit u përkujtua kjo ngjarje, ajo shërbeu për edukimin atdhetar të rinisë e popullit tonë. Por dua të theksojmë se në periudha të veçanta heroizmi i heronjve dhe i dëshmorëve tanë shpesh u harrua. Muzetë, lapidarët, e të gjithë simbolet përkujtimore nuk u vlerësuan sa duhet. Sidomos marrëzia shqiptare e vitit 1997, që shkatërroi çdo gjë prishi edhe lapidarët, edhe muzetë e të gjithë simbolet e tjera përkujtimore. Mjafton të përmendim faktin që bashkia Lezhë nuk ka asnjë muze. Për rrjedhojë nuk ka ku të pasqyrohet heroizmi i luftës dhe i ditëve tona. Ky është një veprim i shëmtuar. Heronjtë, dëshmorët, veteranët, partizanët dhe të gjithë ata që luftuan e dhanë jetën për këtë tokë janë gjerdani i artë i popullit tonë, janë kujtesa historike pa të cilën nuk mund të ecet përpara. Duke kujtuar luftën dhe lavdinë tonë ne tregojmë se dikush jemi, se ky vend ka patur dhe ka zot, se ky truall është mbrojtur me gjak e sakrifica. Prandaj bëj apel për organet shtetërore, shoqatat e ndryshme, partitë politike, shkollat si vatra të mësimit e të edukimit që ta përmirësojnë rrënjësisht punën për ruajtjen, pasurimin dhe pasqyrimin e historisë tonë, për të ndikuar në edukimin atdhetar të popullit e sidomos të brezit të ri. Ndoshta, veç të tjerash, edhe ky është një aspekt i rëndësishëm i punës tonë për të bërë që populli e sidomos rinia ta duan më shumë Shqipërinë, të kenë më shumë besim tek e ardhmja e saj, të përpiqen e të kërkojnë për ta ndërtuar lumturinë e tyre këtu në atdheun tonë e jo të ikin nga sytë-këmbët. Madje ka prej tyre që nuk u jepet mundësia të vijnë edhe në ditët e fundit të prindërve të tyre për tu hedhur një grusht dhe, ikin intelektualë e njerëz të aftë për të cilët ka nevojë Shqipëria etj.

Mënyra sesi jetoi Fran Ivanaj, si e ndërtoi ai jetën e tij për aq kohë sa jetoi, si e deshi atdheun e të parëve dhe “si e dha jetën si me lerë”, kur u paraqit nevoja, mbetet burim frymëzimi për të gjithë.

 

Share This Article
5 Comments
  • duke u marre me plehra dhe thashetheme ,populli i kishte harruar fare keto titane te thjeshte e te heshtur te se kaluares.Pergezimet e mia autorit qe solli ne pah nje fragment te asaj kohe ku edhe pse ndoshta te shtypur dhe te skamur,por qe ne saje te ketyre heronjve qe nuk ishin te pakte,na dukej sikur ishim qendra e botes dhe qe na mbushin me krenari dhe sot,ku maksimumi eshte te krenohesh se me ke parti je tifoz!

  • Respekt per autorim qe e solli te fresket historine e heroit te popullit FRAN IVANAJ…I PERJETSHEM KUJTIMI I TIJ…

  • Ore Marash , po ti ke marre detyre ta fyesh per se vdekuri Franin ? Cfare eshte ky transformim mashtrues qe i ke bere historise ?

    Franin e ke nxjerre si nje viktime , fillikat dhe pa njeri , kur Frani ishte “trim i mire me shoke shume” !

    “Anijet jugosllave e kishin bere zakon te dhunonin anijet tona…” – thua ! Pse mashtron more njeri ? Cfare te detyron ! Cilat anije paskeshin dhunuar me pare ?

    “U ndeshen trup me trup …” – thua , duke mashtruar perseri dhe duke e nxjerre veten ne genjeshter pasi po aty thua se “jugosllavet pasi nuk munden te hipnin dot ne anije ….” !

    Fran Ndue Ivanaj , ky patriot dhe drejues anijeje i talentuar , nuk i la te afroheshin anijet luftarake jugosllave afer anijes se tij , me manovrat qe beri duke qene vete ne timon ! Pasi anijet jugosllave i hodhen litaret me ganxha per ta terhequr , Frani i goditi ato me pjesen e pasme te anijes , e cila ishte dhe pjesa me e forte ! Pasi ato deshtuan , goditen me topa te kalibrit 52 mm Fran Ndue Ivanajn qe ndodhej ne gabinen e drejtimit te anijes ! Ato goditen gjithashtu edhe vete anijen !

    Por anijet jugosllave , i prene litaret dhe iken nga syte kembet per ne ujrat e tyre territoriale , sapo filluan te dukeshin katerat silurues shqiptare te bazes se ShenGjinit , qe i kishte njoftuar vete Frani !

    Mos deformo historine dhe historite shqiptare , apo ke marre ndonje porosi nga jugosllavet qe vrane Franin ?

    • Bravo lleshi eshte shume e vertete kjo qe tregove dhe ky qe i shkruan keto genjeshtra as nuk ja paska haberin fare

  • E verteta eshte krejte ndryshe, jo per ti mrojtur jugosllavet,ne ju a kemi bere me borxhe sepse peshkonin ne ujrate e tyre deri sa jua kemi merzitur . Kame kene ne dete ate viazhe…por here tjeter do flasim…..?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *