Si Romeo e Zhulieta…

anazapta

Të paktën njëherë lajmet që vijnë nga India nuk kanë të bëjnë me përdhunimet monstruoze, e megjithatë tmerri është i njëjtë: dy të dashururar janë vrarë në mënyrë barbare nga familjarët që refuzonin marrëdhënien e tyre

Një vajzë dhe i dashuri i saj që kishin zgjedhur të qëndronin bashkë pavarësisht refuzimit të familjeve të tyre, u vranë brutalisht mesnatën e së mërkurës në një fshat të shtetit indian të Harianas. Lajmin e raportoi të enjten televizioni i Nju Delhit “Ndtv”, duke nënvizuar se i ati, xhaxhai dhe dy të afërm të tjerë të vajzës u arrestuan si përgjegjës të krimit. Këto janë vrasjet e radhës “për hir të nderit”, ndërsa viktimat: 20-vjeçarja Nidhi Barak dhe 23-vjeçari Dharmendra Barak. Disa ditë më parë, të dy ishin arratisur drejt Nju Delhit, pasi familjet e tyre në fshatin Gharnavati nuk e pranonin dashurinë e tyre.

Nidhi ishte studente në universitetin e Arteve të Bukura në Dharmandra, ku ndiqte kurset e specializimit teknik. Megjithatë, prindërit e vajzës arritën të viheshin në kontakt me të, duke i kërkuar të kthehej në shtëpi me premtimin se asgjë e keqe nuk do t’i bëhej asaj apo partnerit. Por, policia deklaroi se “në shtëpinë e Nidhit ishte organizuar një qendër e vërtetë torturash, që i çoi drejt vdekjes dy të rinjtë”. Vajza u vra jashtë shtëpisë para njerëzve të saj, ndërsa djali pasi u rrah, iu prenë krahët dhe këmbët. Në fund torturuesit e tij i morën jetën dhe ia hodhën trupin në qendër të fshatit.

Agjentët ndërhynë duke bllokuar ceremoninë e djegies së kufomës së vajzës, duke arrestuar përgjegjësit e dyshuar dhe duke i transferuar mbetjet e dy të rinjve në spital për t’iu bërë autopsinë.

Një tjetër viktimë për dashurinë e ndaluar

Gomathi, 17 vjeçe, u var nga vëllezërit në shtëpinë e saj në Seevalaperi, një fshat në shtetin indian Tamil Nadu, sepse refuzonte të hiqte dorë nga ideja për t’u martuar me një të ri ‘paria’, që i përket kastës më të ulët të shkallës sociale në Indi. Lajmin e ka raportuar  “The Times of India”.

“Vrasja me gjakftohtësi, shkruan gazeta, u krye nga Murugan dhe Sodalaimuthu, vëllezërit e Gomathit, të cilët vepruan me bekimin e të atit Mayandi”.

Vajza i përkiste një kaste të mesme dhe punonte në një fabrikë peshku ku ishte njohur me bashkëmoshatarin e saj. Kur familja mesoi se ajo dëshironte të martohej me të riun ‘dalit’, u përpoq t’ia kthente mendjen duke i organizuar një martesë tjetër.

Por, si kundërpërgjigje Gomathi braktisi gjithçka dhe u rrëmbye nga i dashuri. Familjarët e gjetën dhe e bindën që të kthehej në shtëpi, duke i premtuar se do t’ia plotësonin dëshirën. Pasi ajo hyri në dhomën e saj, u rrah e më pas u var nga vëllezërit, të cilët u përpoqën të simulonin një vetëvrasje. Policia e lajmëruar nga banorët e fshatit, ndërhyri duke rindërtuar ngjarjen dhe duke arrestuar dy djemtë që fillimisht mohuan dhe pastaj pranun krimin./D.Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *