Si shpërbëhet një komb?

redaktor

Sot nuk kemi një armik nga i cili ndjehemi të rrezikuar, prandaj kemi shpallur armiq kryesor gjuhën shqipe, historinë shqiptare dhe kombin shqiptar. Tre faktorë kryesor, që garantojnë mbijetesën e një shoqërie me tipare të dallueshme nga të tjerët, që ne quajmë komb. Gjuha shqipe nuk qe ndaluar nga Serbia, as nuk kërkonte ta ndryshojmë. Madje gjatë pushtimi serb, respektonim gjuhën më shumë se sot. Për inat të tyre. Historia shqiptare qe ndryshuar apo ndaluar nga Serbia dhe Maqedonia. Emrat Gjergj e Kastriot, ishin në listën e emrave të ndaluar. As osmanët, as serbet nuk kanë kërkuar të mos quhemi shqiptar, edhe pse njëri na quante “arnaut” në gjuhën e vet, tjetri me përbuzje “shiptari.” “Intelektualët” tanë kanë shkuar më larg se ish-pushtuesit. Kanë më shumë guxim sepse njohin kombin nga brenda dhe sulmojnë nga brendësia deri në implozion.

Paragjykimi se shqiptarët kur nuk kanë me kë të vriten, vriten në mes vete, këtyre viteve së paku në aspektin psikologjik, po dëshmohet. Kundërshtarët e historisë, kundërshtarët e gjuhës, ithtarët e kombit kosovar, nuk marrin parasysh pasojat e kësaj përçarje, por destruksionin e tyre e cilësojnë si akt patriotik.

 

Për të ndërtuar një ndjesi kombëtare me vlera tërësore, të përbashkëta, një identitet kolektiv, nevojiten disa dekada, ose shekuj, për ta rrënuar, më pak se një dhjetëvjeçar. Çdo komb ka kodet e veta dhe një tërësi vlerash, që konsiderohen si të shenjta. Ato mund të rrahen nga të gjitha anët nga specialistë të fushave përkatëse: analizohen, bëhet debat, polemizojnë në mes vete derisa të kristalizohen mendimet në dobi të një etnie, që pastaj në trajta të ngurtësuara, na shfaqen në librat shkollorë.

Disa paradigma konsiderohen të shenjta dhe nuk prashiten as nga ekspertët e atyre fushave, aq më pak nga gazetarë e publicistë. Kjo bëhet për të shmangur çrregullimin e plotë në ndërgjegjen e një kombi, kur mund të zhbëhet dhe degradohet sedra kolektive, që mban një shoqëri të njësuar. Si tabu konsiderohen në Europë ndryshimi i emrit të kombit dhe nuk gjendet asnjë etni, që do ta bënte këtë. Aq më pak, të krijojë komb duke u bazuar në një etnonim me zanafillë nga gjuha e ish-pushtuesit. Në Kosovë janë disa dashnorë të pasionuar të kësaj ideje. Tito nuk mundi të ndërtojë komb jugosllav, as Bossi në Itali kombin padanez. Disa kosovarë, shpresojnë. Shpresojnë sepse në emër të demokracisë banale, u falet hapsirë, dëgjueshmëri dhe shikushmëri.

Nuk u kursye as gjuha. Gjuha ka një dinamizëm të brendshëm dhe është në gurgullimë të vazhdueshëm qoftë në fonetikë, qoftë në morfologji, sintaksë ose në leksikun e përgjithshëm. Mund të pasurohet, por jo të ndryshohet. E treta që fut në një kornizë një komb dhe e bën të dallueshëm nga tjerët, është historia dhe ndërtimi i së tashmes, si përthyes i së ardhmes.

Kombi shqiptar tek ne sulmohet në substancë: në tërësinë shqiptare, në emërtim, në gjuhë dhe në histori. Heterodoksia duket e shkapërderdhur, sepse protagonistët e saj nuk sulmojnë nga e njëjta  llogore, por rezultatin do ta kenë të përbashkët: rrënimin e sedrës kolektive dhe të mendimit shqiptar. Ata janë shfaqur në të njëjtën kohë dhe ecin paralelisht. Kur ta kenë krijuar kaosin e përkryer, do të shfaqen si klasikët e marksizmit dhe do t’ i grahin tufës skajshmërisht të pëçarë, në drejtimin që dëshirojnë vet.

 

Vet fakti se marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se ne jemi të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. Tutorizëm të tillë kanë nevojë njerëzit që gjykata u ka pezulluar apo anuluar aftësinë juridike dhe kanë nevojë për kujdestari.

 

Në Perëndim zakonisht me sedrën kombëtare, nuk merren gazetarët apo poetët, që nuk kanë shitur as dhjetë libra, por historianët, gjuhëtarët apo Akademia, si në Francë. Me një fjalë, specialistët. Njeriu i qytetëruar para se të kërkojë ndryshimin e tërësisë nacionale, sedrës kolektive, duhet të përpiqet ta ndryshojë veten. Tërësia nuk ekziston për njësinë, por njësia është pjesë përbërse e saj dhe duhet të shkrihet në të.

 

Askund në botë gjuhët letrare nuk bazohen në numrin e lokutorëve. Kjo shihet në gjuhën gjermane, në gjuhën italiane, frënge, madje edhe tek serbet dhe maqedonët. Kudo gjuha letrare është imponim jodemokratik. Me të drejtë. Nuk mund të pyeten barinjt si duhet të duket gjuha, por kashta, sana e tërfili i ledinave. Çdo ekspert, në fushën e vet. Çdo gjuhë ka një qendër dhe një regjion, por askund nuk përfshin shumicën, por pakicën e popullit. Madje më pak se dhjetë për qind. Parisi për Francën. Hanoveri me rrethinë për gjermanishten. Italianët nga veriu dhe jugu nuk kuptohen nëse flasin dialektin, por gjuha italiane e bazuar në toskanishten, krijon dhe mundëson një kohezion duke prodhuar krenarinë kombëtare italiane. Në tv perëndimore nuk mund të dëgjohen njerëz, që flasin një dialekt, por ata që zotërojnë standardin dhe fonetikën e gjuhës. I detyron ligji.

 

Kakofonia se Enver Hoxha krijoi shqipen, (duhet t’ i përkulemi për këtë me falenderime dhe mirënjohje, sepse bazuar në gjenin tonë të bajraktarizmit, do ta njësonim gjuhën diku në vitin 3972, ashtu siç krijuam alfabetin më shumë se 2000 vite pas fqinjëve tanë romak dhe grek) bëhet për ta bërë gjuhën më të urrejtshme dhe për ta prishur edhe atë që na definon si komb i qytetëruar. Mendësia tribale që kemi dhe zotërojmë deri në përkryeshmëri, na udhëzon të kërkojmë gjuhë sipas dëshirave individuale, histori sipas dëshirave individuale, komb sipas dëshirave individuale, pa menduar se mund të shfaqet grupi tjetër, që nuk pranon ndryshimin dhe përplasemi në një kaos, nga mund të na nxirrte dhe mbushte mend, vetëm një njeri si Enver Hoxha. Ne nuk pranojmë rregulla, normëzime që nuk kanë përfshirë edhe lagjen tonë, fshatin, krahinën. Ata mendojnë se gjuha duhet të jetë rezultat i shumicës, si askund në botë. Sepse për gjuhën vendosin gjuhëtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj, jo ata që nuk janë të detyruar ta zotërojnë, që nuk lexojnë, që nuk blejnë libra dhe që nuk merren me shkrime.

 

Nëse nuk arrijmë ta ndryshojmë gjuhën, atëherë mund ta korrigjojmë historinë. Ta zëmë se konsiderojmë Skënderbeun tradhtar, e atëherë? Natyrisht se nuk do të ngelemi pa histori, por do të na sillen personalitete të reja, si sulltan Murati, Mehmeti dhe pasuesit e tyre. Pra do të na sillen personalitete që kanë vrarë shqipfolës krishterë – vrasja qenka e mirë në baza fetare, si në një shtet teokratik- por edhe muslimanë në kryengritjet e mëvonshme. A do ta pranojnë këtë shqiptarët ateist, angnostik, ortodoksët, katolikët, muslimanët që nuk mbështesin idetë e tyre,(…këta mund të flasin në emër të vet, por jo në emër të popullit.) Nuk mund të besohet. Pas rrëzimit eventual të Skënderbeut edhe këtu do ta kemi kaosin e përkryer dhe klasikët e kësaj ideje, pas rrënimit, do të shfaqen si shpëtimptarë dhe interpretues dhe shpjegues të rrugës së re duke i grahur tufës pas. A do të pasojë ndarja në kantone apo republika si në Bosnjë, vështirë të parashikohet, por me siguri mund të thuhet se do të krijojë një destabilizim të brendshëm dhe huti dhe kokëvarje kolektive. Një klub, një shoqatë, një fshat, mund të kenë personalitete vetjake, por jo një komb.

Asnjë komb në Europë nuk merret aq intensivisht me çrrënjosjen e vetvetes si tek ne. Skënderbeun duhet ta urrejme pse paska pasur nënën sllave, pra jo gjak të pastër shqiptar (përshëndetje nga arena raciste dhe fashiste), por kombin e ri duhet ta krijojmë me një etnonim serb. Kjo nuk ndodh tek asnjë komb në botë. U bëmë gazi i botës!

Për gjuhën shqipe nuk mund të vendosë populli, sepse gjuha standarde askund nuk i kushtohet shtresave me arsimim inferior, por një shtrese të ngritur, që pranon norma dhe krijon një ndërlidhshmëri nacionale. Çdo njeri mund të shkruajë sot në dialektin e vet, por vetëm gjuhëtarët dhe shkrimtarë e mëdhenj duhet të na mësojnë normëzimin e gjuhës. Shqiptarizmi, sedra kolektive shqiptare, nuk duhet t’ i nënshtohet dëshirave të mia, por unë duhet të pranoj dhe nënshtrohem të mirës së përgjithshm, interesit nacional, për të shmangur zhbërjen e tërësisë shqiptare.

U ofrohet platformë njerëzve që shkaktojnë huti dhe që thyejnë tabu. Hidhen ide që shtangin. Shahen, kërcënohen, etiketohen pa pushim. Rugova tradhtar, Qosja patriot. Rugova patriot, Qosja tradhtar. Kjo gjendje në shoqëri flet për kaosin në realizimi, në përfundim e sipër. Nuk është tradhtar as Rexhep Qosja, as Ibrahim Rugova. Janë atdhetarë me vepër, me të meta, si çdo njeri, por personalitete ndër më të mëdhat dhe më të rëndësishmet në historinë shqiptare. Çdonjëri ka dhënë kontributin e vet në mënyrën që ka zotëruar më së miri. Si tërësi shqiptare kemi përfituar nga ekzistenca e këtyre dy personaliteteve.Vlera e njeriut në një shoqëri, nuk mund të matet me bindjet fetare, por me kontributin në sedrën dhe sigurinë kolektive. Për t’ i defaktorizuar rrënuesit, rruga më e mirë është injorimi absolut i tyre. Nëse për gjuhën, për emrin e kombit dhe për historinë, pyeten gazetarët, jo speicialistët, atëherë edhe për terapinë nëpër spitale, le të vendosin ata, jo mjekët.

Share This Article
12 Comments
  • Mendime si aksioma ose të mbështetura në të vërteta aksiomatike; argumenta të qarta e të shprehura thjesht, të atilla që mund t’i kuptojnë edhe injorantët, veçse po nuk deshën. Mirëpo një vërejtje nuk mund të rri pa e bërë ndaj autorit, i cili më pëlqen në të tëra shkrimet: Kam përzgjedhur në vijim një paragraf të plotë të shkrimit, ku ndodh të njësohen përemrat vetorë ATA me NE. Secili mund ta vërejë këtë në paragrafin e cituar: “Vet fakti se (ATA) marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se (ATA) kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se (NE) kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se NE JEMI të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. Tutorizëm të tillë kanë nevojë njerëzit që gjykata u ka pezulluar apo anuluar aftësinë juridike dhe kanë nevojë për kujdestari.” Pra ata që kërkojnë t’i kundërvihen thelbit që përcakton apo përfaqëson kombin del sikur na përfaqësojnë të tërëve. Ata duket që dominohen nga mendësitë fisnore, madje të atilla që as arsimimi i tyre nuk ka mundur tua davaritë ndopak, por të tillë janë vetëm ATA, jo edhe NE. E mendoj se ATA janë shumë më pak se NE. Mirëpo edhe aq pak sa janë nuk mund të jenë të padëmshëm e nuk mund të merren si të papërfillshëm, por NE (e tëra) nuk përfaqësohemi prej TYRE, atyre nuk mund t’u njihet apo t’u jepet ky status, sepse nuk u takon. Ndërkohë, t’i injorojmë? Kjo më duket si lëshim ndaj së keqes. Edhe vetë ky shkrim i autorit tregon se është e pamundur t’i injorosh. Atyre u duhet vënë emri që kanë e që u takon, sipas veprimtarisë antishqiptare që guxojnë dhe e marrin përsipër të kryejnë.
    Autorin e lexoj me kënaqësi.

  • Naser, shqetesimet qe shpreh ti nuk jane aq te medha, i ka bere media ato, shume te medha dhe nje pakice ekstremistesh analiste e historiane qe spekulojne me pozicionime ekstreme ndaj temave te nxehta kombetare! Pra mos bjer edhe ti ne kurthin e asaj pakice historianesh te perkrahur nga mediat e keqija, qe si qellim kane te zhvendosin vemendjen e shqiptareve nga problemet madhore qe e shqetesojne, e ato nuk jane as gjuha shqipe as skenderbeu, as kombi sepse jemi te lire te flasim shqip, te kemi heronjte e tane,
    problemi yne eshte per mendimin tim, dashamiresia dhe kontributi qe ne duhet te japim per te luftuar kriminalitetin, papunesine dhe korrupsionin.

    Prandaj Naser, te keshilloj te rigjeshe vetveten, si analist, dhe te vazhdosh te shkruash e kritikosh te metat e qeverive shqiptare! E di ti qe spo te degjojme me te jeshe kritik ndaj qeverise aktuale? deri dje, flisje se ne rregjimin e berishes po shkarkohen padrejtesisht njerez nga puna, po abuzohej me te drejtat njerezore, etjer, etjer, ndersa sapo kapitulloi Berisha ti po hesht, perse Naser? edhe ne kohen e Rames u shkarkua nje ushtri e tere punonjesisht shteterore, por ti heshte?
    nese dje, nje ish mnister i Berishes ishte i implikuar per korrupsion ti bertisje me te madhe, ndersa sot hesht ndaj ministriva me te kaluar te dyshimte te Rames?

    Naser! tregohu analist i sinqerte, dhe jo i nje-anshem, tregohu kritik ndaj te keqes shqiptare pa dallim, e mos i jep ngjyrime partiake, duke heshtur per te keqen e majte, dhe ulerire per te keqen e djathte!

    Beje kete qe te rifitosh besueshmerine e nje analisti te pavarur,
    po nuk e bere kete, nuk ke fytyre te merresh me gjera akoma me madhore,

    Ne, ngado qe ta dredhim, jemi e keqja e vetvetes,

    rezart palluqi

  • edhe dicka Naser! jam dakort me ty, se cdo figure shqiptare, ka pasur te mirat dhe te metat e tyre, jam gjithshtu kundra perbaltjes ose banalizmit ekstrem te figurave tone kombetare, po nga ana tjeter, kemi edhe realitetin tejpozitiv, te te njejtave figurave.
    Skenderbeun e kemi ore e minut ne goje, por ne te vertete sillemi si te pafytyre,
    a nuk te duket ty se po spekulohet me Skenderbeun?

    po te dergoj esene e meposhtme, ku une ato qe them me lart i ilustroj!

    ©Paçë me trutë e heronjve (ese)©

    Polici i doganës së Rinasit, klithi: uau, kur pa qindra tenxhere inoksi të rradhiteshin me kujdes përbri portës kryesore të ndërtesës.
    Tre punëtorë po i ngarkonin ato në një mikrobuz të kuq, i cili u nis menjëherë drejt sheshit Skënderbej. Furgoni e bëri këtë rrugë edhe shumë herë të tjera.
    Brënda dy ditësh ai shkarkoi rreth treqind mijë tenxhere përreth bustit të Skënderbeut.
    Qarkulluan thashathemet se tenxheret me inoks special kishin ardhur nga Parisi.
    -Ah, mos më thuaj se kush i ka sjellë? E di… i ka blerë shkrimtari ynë i madh për të na mësuar se si gatuhen gjellët demokratike! Tani po e kuptoj,përse edhe shteti ynë i dhuroi atij katër metra katrore tokë në shkëmbin e Kavajës, me qëllim që ai të vrojtojë me dylbinj peshkaqenët turq ose sllavë, dhe túa nxjerrë sytë atyre me penën e tij- tuturiti një plak duke dridhur kokën dhe buzët e poshtme.
    -Lëri lloqet, plak matuf, por përvishju punës se mbas pak do vijnë të hanë paçë historianët, poetët dhe politikanët e famshëm. Supë me trutë e Skënderbeut!
    -Më, sa e shijshme, u lëpi kuzhinieri me supën ende shumë të nxehtë. Ai i mbante trutë e Skënderbeut në një garuzhde të madhe, dhe e zhyste atë në cdo tenxhere, katër minuta, me qëllim që lëngu i truve të tij të kullonte në cdo tenxhere. Trutë sa herë që dilnin nga uji i nxehtë i cdo tenxherje, rrudheshin, treteshin, saqë kur dolën nga tenxherja e tetëqintë , ishin gërryer plotësisht. Kuzhinieri tashmë vetëm se ziente një skelet, kafkën e kokës.

    Politikanët me automjetet zhurmëmadhe mbërritën të parët.
    -U pagua fatura e majme e tenxhereve- e pyeti një gazetar ministrinë e ushqimit?
    – Patjetër, pjesën më të madhe e pagoi shteti shqiptar. Një tenxhere e pagoi shkrimtari ynë i madh, me fitimet e librit të tij: Kështjella! Pak rëndësi ka kjo! Rëndësi ka që populli ynë do të shijojë në kulm, paçën me trutë e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
    Ministri u mënjanua pak, i pëshëpëriti diçka kuzhinierit në vesh. Ky i fundit i dorëzoi veshin e majtë të Skënderbeut në një copë letër të zezë.
    -Veshi i majtë ishte për poetët dhe shkrimtarin tonë të madh apo jo?
    -Po, po,pa veshin e Skënderbeut si do t’i zbulojmë në tërmetet? Si do t’i dëgjojmë në oshëtimat e topave të armiqve tanë serbë, turq, por edhe evropiane. Ja, pa të , nuk mund t’i dëgjojmë klithmat seksuale të homoseksualëve holandezë?! Hë, hë, rrofshin veshët e Skënderbeut, u krenua ministri i mbrojtjes, i cili ia rrëmbeu prej duarsh veshin e djathtë poetëve dhe këngëtarëve dhe i valviti plot krenari ata në ajër .
    Kuzhinieri i dorëzoi në vazhdim ministrit të mbrojtjes hundën e Skënderbeut. Ndërsa përkrenaren e Skënderbeut e mori kryeministri. Ai u zemërua sepse maja e mprehtë e saj ishte këputur dhe sipas tij kjo kishte ndodhur ngaqë atë e kishte përdorur ministri i financave gjatë një kokëpërplasje me të, pardje natën vonë në rrugën e kombit.
    Të nesërmen shkrimtarët dhe poetët shkruan tregime e poezi rreth shijes mitologjike që zbuluan tek supa e Skënderbeut. Dikush propozoi që t’i jepnin nga një pjatë supë edhe vëzhguesve evropianë. U bë. Në të gjithë kuzhinat e trupeve diplomatike në Tiranë u dërgua një tas me supë, të gatuar në fakt me skeletin e kokës së truve të Skënderbeut. Trutë ishin tretur qysh ditën e parë, e megjithatë supëngrënia përbri shtatores së Skëndërbeut u bë cdo ditë dhe më popullore.
    Të nesërmen ambasadori amerikan pohoi i egzaltuar prej supës: nëse Hitleri, Musolini, Stalini, Hoxha, do të kishin ngrënë supën e Skënderbeut, nuk do të kishim pasur Luftë të dytë Botërore , as komunizëm!!
    Ndërsa ambasadorët evropianë, vetëm se teshtinë fort, katër herë.

    Historianët , që shtohen dita ditës ,llustrojnë këpucët , hekurosin këmishat dhe flasin orë të tëra për fuqinë mitologjike që ka shpata e Skënderbeut. Ndodh që me shpatën e Skënderbeut shtypin morrat e armiqve para kamerave. Më pas po para kamerave hanë një pjatë supë. Sa më shumë ata shfaqen para kamerave e flasin për shijet legjendare të supës Skënderbeane, aq më shumë shtohen rradhët e bark-uriturve në sheshin Skënderbej.

    Shqiptarët e kanë refuzuar disa herë anëtarësimin evropian sepse ata kanë frikë lopët e cmendura holandeze, angleze dhe gjermane. Shqiptarët propozuan atëherë që çmenduria e lopëve kurohet vetëm nëse atyre u hap një vrimë me majën e shpatës së Skënderbeut. Evropianët nuk ranë dakort, ndërsa shqiptarët këmbëngulin në mjekimin e vetëm të lopëve të cmendura që gjithnjë sipas tyre bëhet duke ia shpuar trutë lopës me majën e shpatës së heroit të tyre kombëtar.

    Kohët e fundit, po ngrihen zërat se po injorohet me qëllime dashakeqase supa e heroit kombëtar. Kadarea shkroi për këtë në gazetën shekulli në vitin 2007, një letër ku thonte se “është fëlliqësi dhe tradhëti të hedhësh baltë mbi tenxheren e supës së Skënderbeut”
    Ai refuzoi gjithashtu kur kuzhinieri propozoi që për zjarr të mos përdoren vetëm eshtrat e ushtarëve turq që u vranë gjatë “rrethimit të kështjellës së Skënderbeut” por thjeshtë dru të pyjeve shqiptare.
    Por Kadare mbasi firmosi peticionin e famshëm,u ngritën në këmbë qindra historianë, këpucarë, lopçarë, dhe e mbytën kuzhinierin.

    Kuzhinieri deri dje bënte të njëjtën gjë: e ziente dhe riziente, ndoshta për të tremiliontën herë kafkën e truve të Skënderbeut për të bërë paçën e famshme. Por sot në mëngjes, përdori kokën e një plaku që i ra të fikët mbasi sipas plakut, kafka e Skënderbeut nuk kishte vitaminat e mjaftueshme për të qëndruar në këmbë. Sapo ishte gdhirë dhe në shesh atë moment ndodhej vetëm kuzhinieri dhe plaku.Kuzhinieri kur u sigurua se plaku kishte vdekur, ia hoqi kokën fët e fët, e ropi dhe e ziu fshehurazi në të gjitha tenxheret.
    Në mëngjes, si zakonisht, të pastrehët lëpinë thonjtë me supën e Skënderbeut.
    -E paske qarë sot, o usta, supën- e lëvdoi një plakë dhëmbhumbur.
    Në drekë reaguan me të njëjtët komplimente edhe historianët dhe këngëtarët.
    -Sot kuzhinieri, u desh të përdorte kokën e një gruaje të pastrehë, të cilës i ra të fikët duke i dhënë sisë fëmijës,e ulur në bordurën e bustit të Skënderbeut.

    – Atë mesditë ajo do të këndontë këngë të lavishme për ditlindjen e Skëndërbeut- i pati thëne kuzhinierit. Ky i fundit, lotoi, ndërsa pa në bordurën e bustit të Skënderbeut, copën e letrës të përgjakur, ku ajo kishte hedhur në vargje këngën e saj Skënderbeane. Me ato vargje, poetët thurën këngë të lavdishme për një heroinë që sakrifikoi jetën e saj për Skënderbeun. Mjaullimat e foshnjës së saj jetime, trazojnë herë pas here këngët melankolike të poetëve…

  • Shkrimi eshte i argumentuar me se miri. E keqja eshte se specialistet shpesh jane te lodhur dhe heshtin. Opinioni i painformuar sakte, ne pershendetje te “lirise se fjales” nuk arrin te njohe profesionalistin. Nga media tashme shumekush paraqitet si i tille per te rritur vlerat e emisioneve, ku me se shumti nuk flitet shqipja brenda normave dhe rregullave te saj. Megjithate nje shkrimtar duhet te jete i lire te zgjedhe gjuhen ne librin e tij, ne norme ose jo, pasi gjuha letrare ne norme, duke u bere e detyrueshme, do te kufizonte te shprehurit e ideve dhe artin ne nje veper artistike. Kjo zgjedhje behet kur ai e ndjen se nuk e zoteron gjuhen ne norme ashtu si ne dialekt. Kjo nuk ia ul vlerat nje vepre…( Si vepres se Migjenit psh etj.)

  • Gjergj Kastrioti nuk e ka pase nanen sllave dhe ortodokse,por Shqiptare katolike ,por e ritit ortodoks apo Lindore siç na shpesh I thona. Të gjithe shqiptaret ne kohen e perpara pushtimit turk kane kene të besimit Katolik,por nji pjese katolik Latin apo perendimor edhe nji pjese të ritit lindor,apo “arbanska vera ” si na quenin serbet .(Katoliket lindor jane ai Komunitet të krishtenesh qi ne pamje të jashtme nuk kane asnji ndryshim prej ortodokesve,por qi Kryetar kishe kane Papatin dhe jo Kostantinopojen.Te tille jane sot arbereshet e Italise,) Edhe serbet deri rreth viteve 1240-1250 ishin katolik lindor dhe mbas ketyne viteve ato iu bashkangjiten Kostantinopojes. Nga kjo kohe filloi grabitja ne mase të madhe e monumenteve tona kishtare dhe lufta e ashper ndaj nesh,tue vazhdue deri ne kohet tona.Shqiptaret edhe pse katolike të dy riteve I qendruen besnike Papatit. Letra e Papes se Romes e vitit 1319 dergue princave Shqiptare të Jugut e Veriut e tregon ma se miri kte fakt. Pushtimi turk ia ndrroj identitetin shqiptareve nga katolik perendimor dhe lindor ne musliman dhe ortodoks tue lane ne kambe dhe krenare,nji pjese të vogël qendrestaresh katolik. Shdrrimi I besimit I ka kushtue shume popullit tone,miljona shqiptare musliman u degdisen neper Azi dhe Anadoll si turq apo arabe ,sot shume prej tyne po thone qi jane vllazën me turqit ,miljona të tjere ortodoks jane sot grek,malazez,serb apo maqedonas.Asht pra feja ajo qi ka ndikue ma se tepermi ne rrenimin e kombit tone, e mos të shtiremi e të bajme të paditunin apo “ateistin”se ajo nuk ka pase ndikim nder ne. Sot ka ardhe koha qi të gjithe intelektualet qi shohin ballas rrezikun islamik dhe ortodokso sllave- grek të orientojne shqiptaret kah besimi I vjeter I shqiptarve KATOLIÇIZMI PERENDIMOR,pasi aty ato gjejne lashtesine(katoliçizmi shqiptar asht Apostolik),gjejne historine (Shen Flori e Shen Lauri,Shen Jeronimi dhe Shen Nikete Dadani ,iliro-shqiptare jane) dhe krenarine nacionale me Gjergj Kastriotin e Nane Terezen.

    • Do te te jap nje mesim te mire posacerisht ty,qe je vetem nje dhemje e Vatikanit!
      Vojsava e ema e Gjergjit esht martuar ne Epir sa per dijeni,dhe mbiemer Kastriot tek Katoliket Shqiptare nuk ka ekzistuar ndonjehere!
      Kush esht Kastr-ioti mbiemri i babes apo i nenes sepse nga nena quhej Vojsava Brankovic e bija e Gjyro ose me mir ne shqip Gjergj ose internacional Durad,ky i fundit i nipi i CAR Stefan LLazar-vic kte mundet ta lexosh ne historin e literatures boterore!Emri Gjon te cilin e quani Katolik eshte vetem nje ide e ardhur nga Vatikani per te pasur edhe katolike Shqiptare te cilet kan qene pjes e Dalmacise por te solidarizuar ne lufte kunder Turqise se bashku me Arvanitasit ose Arbereshet!IAtesia e Gjergjit vertetohen nga emrat e vllajt e motrave si Kostandin e Mara e Stanisha pra ne kto emra skemi te bejm fare ne identitetin e Fese Katolike te ashtuquajtur Gjon apo Xhon Xhovani????
      Kastr-iot vjen vetem nga EPIR-IOT!

  • Opinion mjaf interesant dhe i argumentuar profesionalisht.
    Shpresoj te kuptohet nga ata qe duan te tjetersojne gjuhen shqipe.

  • Me se fundi vjen nje reagim qytetar dhe intelektual. Me ishte krijuar nje pershtypje se e keqja e kishte vene perfund te miren ne Kosove, se shqiptaria ishte bjerrur dhe strukur nen thundren e frontit antishqiptar, por jo. Perjetova nje llahtar kur lexova nje pamflet racist antishqiptar si ai i Kimete Berishes, ndjeva thyerje kur degjoja Kelmendet te neverisnin gjuhen shqipe, u ligeshtova nga meskiniteti i Vokrrit, dhe u turperova kur Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit matjan dhe i Vojsaves, nje zonje shqiptare nga Pollogu, merret neper goje nga sterniperit e jenicereve.Naser Aliu po mban gjall driten e se vertetes, po mban gjalle shqiptarine me forcen e arsyes.

  • Shkrim i klasit te larte. Urime Naser Aliut per argumentimin dhe pozicionin qe mban. Por…fatkeqesisht e keqja e i ka shtrire shume metastazat. Tashme nuk kemi vetem armiqte tane qe na akuzojne se jemi komb e shtet i ngritur artificialisht, por edhe keta plehra qe e mbajne veten shqiptar, edhe dy mender akademite ne Tirane e Prishtine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *