Një deputet i PD që nuk i kishte shkelur këmba prej katër vjetësh në Sauk, mori një takim me këtë zonë prej 80 mijë banorësh. Si të gjithë drejtuesit e tjerë të PD, që një e dy përmendin si sukses të madh të mazhorancës aktuale anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, edhe ky e nisi dhe desh ta përfundojë ligjërimin e tij me NATO-n. Një meso burrë andej nga fundi i sallës, ngrihet disi i revoltuar dhe thotë: “Z.deputet, kam një pyetje: A hahet NATO ?”
Deputeti pa disi i habitur dhe desh të sqarojë të mirat e NATOS, por banori i Saukut, i lodhur dhe i stresuar nisi ligjërimin e tij thjeshtë, ashtu sic është realiteti i përditshëm. “A e di ti z. deputet, se ne banorët e Saukut nuk kemi një pikë ujë në shtëpi? Njerëzit bredhin natën me kova dhe legena, drejtuesit e ujësjellësit i kanë diferencuar banorët sipas bindjeve partiake. Ata që kanë banesat buzë rrugës dhe janë të lidhur me fije të padukshme e korruptive me pushtetarë e inxhinierë të ujësjellësit kanë ujë 24 orë dhe e shpërdorojnë ujin, kurse pjesa dërmuese e lagjeve kanë mbetur me tubacione të thara.
Euforia dhe madhështia e rreme u ka marrë sytë dhe mendjen e i ka shkëputur nga ai realitet ku jetojnë përditë shumica e shqiptarëve.
Kjo shkëputje dhe mosnjohje e gjendjes konkrete që vuajnë shqiptarët cdo ditë në kurriz të tyre , të kujton një anekdotë të dikurshme. Kur e pyetën një aga të zhytur në lluks dhe në injorancë se a kishte parë vapor, ai u përgjigj me kapadaillëk : “Si mor s’kam pare vapor unë, bile edhe kam ngrënë…!”
Letër e nënshkruar: Ramazan Sherja