Sëmundjet e zemrës janë ndër patologjitë më të shpeshta që shfaqen në vendin tonë. Ajo që konsiderohet si më shqetësuese nga bluzat e bardha, është mostrajtimi i sëmundjeve të zemrës që në stadet fillestare. Kjo ndodh për shkak të neglizhimit, si dhe mosnjohjes së faktorëve që shtojnë rrezikun për shfaqjen e ndërlikimeve kardiovaskulare. Lidhur me rrezikun që mund të keni për të zhvilluar sëmundje të zemrës, mjekët thonë se duhet të bëni kujdes me monitorimin e 6 faktorëve më të shpeshtë të riskut, që kanë të bëjnë kryesisht me mbajtjen nën kontroll të vlerave të kolesterolit, kryerjen e aktivitetit fizik, ndjekjen e një diete të shëndetshme, shmangien e mbipeshës, heqjen dorë nga konsumi i duhanit, si dhe trajtimin e kujdesshëm të sëmundjeve kronike, siç është diabeti, ndërlikimet në veshka, etj.
Kolesteroli
Sasia e lartë e kolesterolit në gjak shton riskun për sëmundje kardiake. Ndaj duhet të testoheni që të dini sasinë e kolesterolit në gjak (kolesterolit të mirë HDL dhe atij të dëmshëm LDL), si dhe nivelin e triglicerideve. Në varësi të rezultateve të testimit do të kuptoni nëse jeni përballë ndonjë risku për sëmundje të zemrës.
Inaktiviteti fizik
Studimet e bëra tregojnë se inaktiviteti fizik gjithashtu e shton rrezikun për sëmundje të zemrës, kjo edhe nëse nuk keni faktorë të tjerë rriskues. Ndaj duhet të përfshini në rutinën tuaj të javës, detyrimisht të paktën 2 orë aktivitet aerobik.
Duhani
Duhanpirësit janë 6 herë më të rrezikuar nga infarkti i miokardit. Ndaj këshillohet që të shmanget konsumi i duhanit sa më shumë që të jetë e mundur.
Pesha
Kujdesuni që të keni një peshë trupore të shëndetshme. Sa më i madh që të jetë indeksi i masës tuaj trupore, aq më i lartë është edhe rreziku për sëmundje të zemrës.
Tensioni
Po ashtu duhet të dini që presioni i lartë i gjakut shton ndërlikimet kardiake. Për të shmangur ndërlikimet duhet të mbani nën monitorim të vazhdueshëm këtë tregues.
Diabeti
Diabeti është gjithashtu një nga faktorët kryesor të riskut për sëmundje të zemrës. Ju mund të ulni riskun duke mbajtur në kontroll sasinë e glukozës në gjak. p.k/dita
