Entela Resuli – Dita
Ju ka rënë rruga këto kohë nga Kodrat e Liqenit? Kjo pjesë e Tiranës është e mbipopulluar me njerëz që vrapojnë dhe që ecin. Vera është në prag, ndaj mesa duket shumë persona e kanë të nevojshme te heqin disa kilogram dhe mirë bëjnë.
Një nga personazhet që gjithashtu e frekuenton liqenin, kjo për shkak se nuk ka një pistë ku të stërvitet është edhe atletja Luiza Gega.
Gjatë vrapit në këtë pistë ajo shpesh ndihet e penguar, për shkak të numrit të lartë të përdoruesve, por edhe për fatin se ajo është një pistë për të gjithë dhe jo një pistë për profesionistë.
Për këtë arsye atletja jonë zgjedh të shkojë në Elbasan dhe të stërvitet në pistën stadiumit të këtij qyteti.
Shumë shpesh zgjedh edhe Dardhën e Korçës për t’u stërvitur, atje jo se ka pistë, por klima dhe pozicioni gjeografik, e bëjnë që kur të vrapojë në zonë fushore ta ketë më të lehtë dhe rezultatet të jenë më të larta.
“Unë stërvitjen më të fortë e bëj në mëngjes, sigurisht që nuk ka të njëjtin nivel çdo ditë pasi trupit duhet t’i lësh edhe kohë rikuperimi. Unë bëj 13 seanca në javë, që do të thotë vetëm ditën e diel e kam stërvitje teke, në ditët e tjera stërvitem dy herë në ditë”, tregon Luiza për Dita-n.
Teksa bëjmë një shëtitje me të nga Kodrat e Liqenit e pyesim edhe për periudhën më të mirë stërvitore dhe si ndihet mes qindra njerëzve në këtë pjesë të Tiranës.
“Po, por për fat të keq unë duhet të stërvitem nga liqeni, pasi siç e dini Tirana tashmë nuk ka një pistë vrapimi për profesionistë. Pasi unë jam sportiste që bëj gara piste dhe për t’u stërvitur shkoj në Elbasan, atje bëj këtë stërvitje, ndërsa pjesën tjetër stërvitem tek liqeni.
Kjo është një periudhë shumë e mirë për t’u stërvitur po për mua është e vështirë, jo për nga moti por për faktin që dalin shumë njerëz. Të gjithë duan të bëhen gati për verën. Mundohem të zgjedh ato oraret kur ka më pak njerëz që është paraditja”, tregon Luiza.
Nuk mund të mos e pyesim Gegën për sfidat e përditshme që ka si sportiste, por edhe për rrugën që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë…
-Luiza, je e kënaqur nga rruga që ke ndjekur deri më tani, e cila duhet thënë që ka qenë herë me vrapim dhe herë me ecje të shpejt?
Sigurisht që po, vjen një moment që sporti të bëhet pjesë e pandarë e jetës tënde. Kështu ka ndodhur edhe me mua. Kam patur edhe shumë vështirësi duke thënë shpesh që: boll se u lodha, duhet të heq dorë sepse…Por ja që këtu jam, gati për garën e radhës.
-Ke patur zhgënjime gjatë rrugës?
Sigurisht, pasi nëse ti si person vendos objektiva për të arritur ato të duhet një mbështetje e fort, qoftë nga shteti apo duke filluar edhe nga infrastruktura që është baza. Është baza edhe për ata fëmijë që duan të bëhen sportistë një ditë dhe nëse duan që të arrijnë lartë. Kur shikoj që në vendin tonë mungojnë gjera kaq elementare ndonjëherë kam thënë që, nuk ja vlen.
-I ke parë se si stërviten kolegët e tu jashtë?
Sigurisht, madje shpeshherë edhe demotivohem. Tani me këto rrjetet sociale na është bërë një dëm edhe më i madh. Kur ti shikon se ku stërvitet njëri e tjetri, kur me vete kanë fizeoterapistin, trajnerin, me pak fjalë nga pas kanë një skuadër që u vjen në ndihmë. Është e vërtetë që unë në pistë dal vetëm, por na duhet ndihmë për të arritur deri aty. Por që ia kam dal të jem këtu edhe pa këto kushte…
-Po a ka ndryshuar diçka kohët e fundit?
Për fat të keq jo! Shumë njerëz shpesh më pyesin: pse nuk ke ikur jashtë? Pse duhet të rrish këtu kur ti nuk ke mbështetje, por kam menduar çdo vit që diçka do të ndryshojë, kam ecur me shpresë. Për fat të keq mund të them që gjerat janë bërë edhe me keq. Sot unë nuk kam një vend ku të stërvitem, shkoj në Elbasan, por është tepër e lodhshme. Më shumë se sa për veten, me vjen keq për brezat e ardhshëm. Për momentin, e tillë është situata.
-Ke ndonjë kompeticion ku do të marrësh pjesë së afërmi?
Garën më të rëndësishme për këtë vit kam Lojërat Mesdhetare në Terragona të Spanjës dhe Kampionatin Europian në gusht. Por përpara këtyre kam edhe disa gara kontrolli ose teste i quajmë ne. Janë disa gara që i zhvillon Federata Botërore e Atletikës ku merr pjesë niveli më i lart i atletëve. Këtu kam për të bërë disa të tilla.
-Kjo verë qenka sfiduese për ty?
Të gjitha verërat janë të tilla, por e rëndësishme është të vendosësh disa objektiva dhe aty të japësh maksimumin.
-Na the që stërvitesh në Dardhë… pse?
Në periudhën e verës shkoj në Dardhë të Korçës, pasi garat ku unë marr pjesë janë distanca të mesme dhe të gjata dhe është shumë e rëndësishme që për të mbajtur një nivel të lartë, të stërvitesh në lartësi, që do të thotë, sa më lartë me nivelin e detit. Vendi ku unë qëndroj është 1650 metra mbi nivelin e detit. Duke qenë se ka mungesë oksigjeni dhe ti stërvitesh me vështirësi, kur zbret poshtë, në vende si Tirana apo atje ku unë shkoj e bëj gara, trupi ndihet më mirë dhe e përballon më mirë. Këtë praktikë e ndjekin shumë sportistë. Sigurisht nuk është vendi më i mirë për t’u stërvitur, pasi nuk ka infrastrukturë, por këto kushte kemi.

-Kur shikon njerëz që stërviten nga liqeni, i sheh me syrin kritik dhe thua me vetë: boh sa keq po vrapon…?
Ndonjëherë edhe i shikoj, i shikoj edhe sepse shpesh më zënë rrugën. Më vjen shumë mirë që ka shumë që ka shumë njerëz që dalin, për të mbajtur trupin në formë apo për të çliruar energjitë negative. Ata që vrapojnë i shoh më kënaqësi, por ata që më zënë rrugën duke bërë muhabet te pista e vrapit, më bezdisin.
Pastaj, pjesa tjetër, varet se për çfarë ti do të stërvitesh, nëse do të humbësh në peshë, duhet të vraposh gjatë dhe ngadalë se vetëm në këtë mënyrë i djeg kaloritë. Shoh njerëz që vrapojnë njëqind metra me shpejtësi dhe më pas ndalojnë, nuk është kjo forma për të humbur në peshë. Mirë është të vrapohet mbi 30 minuta në ditë. Por gjithçka varet nga objektivat që ti ke.
-Ushqimi?
Ushqimi është shumë i rëndësishëm. Aktiviteti fizik dhe kujdesi ushqimore duhet të ecin paralelisht për të patur sa më shumë rezultate. Askush nuk duhet të mendojë që, bëra vrapin dhe mund të ha çdo gjë. Duhet të ushqehemi shëndetshëm…

Nuk eshte kjo arsyeja per tu dobesuar.
Nese doni te dobesoheni duhet nje kombinim I drejte midis aktivitetit fizik dhe ushqimit.
Ushtrimet kardio jane te rendesishme, por te mos harrojme edhe kujdesin qe duhet bere me ushqimin.
Gjate vrapimit, eshte e rendesishme te behen edhe interval te shpejta vrapimi per disa sekonda. Intervalet e shpejta jane pikerisht ato qe rrisin metabolizmin ne maksimum. Vrapimi I gjate dhe I ngadalte ka ane positive, por duhet kombinuar me interval te shpejta te shkurtra vrapi.
Te jesh profefionist nuk do te thote te vraposh neper stadium. Eshte pikerisht vrapimi ne natyre ai qe djeg me shume kalori.