Mjekja Ilda Xhelili vë në dukje se mungesa e gjumit mund të ndikojë në sjelljen e fëmijëve, duke shkaktuar lodhje të tepruar, ngacmim dhe emocionalizëm të tepruar, si dhe agresivitet
Pranvera Kola – DITA
Çrregullimet e gjumit nuk janë problematikë e të rriturve. Janë të shumta rastet në të cilat problemet me gjumin mund të nisin që në fëmijërinë e hershme, si dhe të theksohen me rritjen e fëmijës.
Ndërsa shkaqet që mund të çojnë në çrregullime të gjumit gjatë fëmijërisë janë të ndryshme, duke filluar nga zakone të gabuara që mund të ndjekin prindërit gjatë mbajtjes së tyre, si dhe nga patologji të caktuara.
Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e llojeve më të shpeshta të çrregullimeve të gjumit që shfaqen tek fëmijët, si dhe kujdesin që duhet të kemi për to.
Referuar moshës, cilat janë nevojat reale për gjumë duke nisur nga fëmijëria e hershme?
Ashtu si për të rriturit, edhe për fëmijët nevojat e gjumit ndryshojnë me moshën, si dhe me nevojat unike të individit. Sipas studimeve të fondacionit kombëtar të gjumit, moshat e caktuara kanë nevoja të ndryshme për gjumë.
Kështu, të vegjlit nga 1 deri në 4 javë shpenzojnë 65-75 për qind të aktivitetit të tyre ditor në gjumë. Koha e zgjimit është mjaft e shkurtër dhe në këtë moshë është e rrallë që të kenë cikle të rregullta ditë-natë.
Prandaj dhe nënat e të porsalindurve është mirë që të flenë kur flenë fëmijët. Ndërsa nga 1 deri 4 muaj foshnjat flenë 14-17 orë dhe shumë prej tyre zhvillojnë një cikël ditë-natë, megjithatë shumica prej tyre zgjohen ende gjatë natës.

Ndërsa duke filluar nga 4 deri në 12 muaj fëmijët kërkojnë të flenë 12-15 orë. E mira në këtë periudhë është se bebet fillojnë të flenë më shumë gjatë natës.
Më tej, duke nisur nga 1 deri 3 vjeç fëmijët duhet të bëjnë 12-14 ore, si dhe nga 3 deri në 6 vjeç kanë nevojë për 10-12 orë gjumë dhe mund të flenë pak edhe në drekë me të rriturit.
Regjim ky që prishet në moshën 7 vjeç kur fillojnë shkollën. Deri në 12 vjeç u nevojiten 9-11 orë gjumë (disa edhe më shumë), teksa në adoleshencë rreth dhjetë orë gjumë janë të nevojshme.
Ndërsa nga mosha 12 deri në 18 vjeç si shkak i aktiviteteve të shtuara dhe mësimit, orët e gjumit pakësohen deri nga 8-10 orë në 6-8 orë.
Pse reduktohet gjumi tek këto kategori dhe çfarë pasojash sjellin?
Në zvogëlimin e orëve të gjumit ndikojnë edhe zakonet e këqija që krijohen, si për shembull shikimi i televizorit gjatë orëve të vona, komunikimet me celular, apo rrjetet sociale.
Mungesa e gjumit mund të ndikojë në sjelljen e fëmijëve, duke shkaktuar lodhje të tepruar, ngacmim dhe emocionalizëm të tepruar, ndonjëherë edhe agresivitet. Prandaj prindërit duhet të jenë mjaft të kujdesshëm për higjienën e gjumit të fëmijëve të tyre.
Çfarë duhet të kuptojmë me higjienë të gjumit?
Higjiena e gjumit përfshin të gjithë ata faktorë të sjelljes dhe të mjedisit që i paraprijnë gjumit dhe mund të ndërhyjnë në gjumë.
Përgjumja gjatë ditës dhe probleme të ndryshme mund të jenë pasojë e higjienës së dobët të gjumit. Së pari duhet të kemi parasysh vajtjen në shtrat në një orë të caktuar, po ashtu edhe zgjimin në mënyrë që të krijojmë stereotipinë tipike të gjumit.
Dhoma duhet të jetë e ajrosur dhe me temperaturë paksa të freskët para gjumit (rreth 19-20 gradë) dhe të eliminojmë të gjitha zhurmat. Ndjekja e një rituali para gjumit është gjithmonë pozitiv, për shembull, leximi i një libri dhe jo shikimi i televizorit.
Po ashtu si të rriturit, edhe fëmijët nuk duhet të shtrihen me stomakun plot, apo të pijnë shumë lëngje. Ideale është të hahet rreth dy orë para gjumit dhe të kufizohet përdorimi i lëngjeve në darkë.
Cilat janë çrregullimet më të shpeshta të gjumit tek fëmijët?
Të gjithë fëmijët pas vitit të parë të jetës fillojnë të jenë më të ndjeshëm ndaj stimujve të jashtëm dhe të brendshëm. Janë një sërë kushtesh që mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të gjumit tek grupmosha të ndryshme të fëmijëve.
Sjelljet e gabuara të prindërve
Në fëmijërinë e hershme, shkak i prishjes së gjumit janë zakonet e këqija të krijuara nga prindërit, si: fjetja në krevatin prindëror, apo të vënit në gjumë me televizor ndezur.

Infeksionet parazitare
Po ashtu, ka edhe shumë arsye shëndetësore që çojnë në gjumë të shqetësuar gjatë natës. Të tillë janë infeksionet parazitare nga të cilat vuajnë shpesh fëmijët.
Këta fëmijë zgjohen shpesh gjatë natës, shohin ëndrra të këqija, kanë lëvizje të shprehura të këmbëve dhe të duarve, parehati në shtrat dhe zakonisht kërcasin dhëmbët gjatë gjumit.
Apnea e gjumit
Një patologji jashtëzakonisht serioze është edhe apnea e gjumit (ndalimi i frymëmarrjes për pak sekonda).
Ky fenomen është zakonisht i shprehur te fëmijët që kanë bajamet të zmadhuara (tonsillat hypertrofike), apo mish të huaj në hundë (adenoidet), të cilat pengojnë te fëmija rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Kjo perceptohet nga fëmija, si: zënie e frymës dhe zgjim i tmerruar natën.
Në ato sekonda të apnesë kemi reduktim të sasisë së oksigjenit që shkon në tru dhe vuajtje të anës së djathtë të zemrës. Prandaj në një rast të tillë, është i domosdoshëm vlerësimi i situatës nga mjeku specialist otorino-laringolog.
Sindromi i “këmbëve të shqetësuara”
Shqetësime të gjumit kanë edhe fëmijët që vuajnë nga sindromi i “këmbëve të shqetësuara”, që shprehet me lëvizje të tepruara të këmbëve gjatë natës dhe parehati në shtrat. Por, karakteristikë e këtij sindromi është se shqetësimi është i shprehur edhe gjatë ditës.
Keqtrajtimi
Gjumë të shqetësuar bëjnë edhe fëmijët që keqtrajtohen gjatë ditës nga prindërit, apo kujdestarët e tyre. Këta fëmijë zgjohen të trembur e me makthe sa mezi arrijnë të qetësohen.
Narkolepsia, çrregullimi kronik i gjumit
Një çrregullim tjetër i gjumit, por më i rrallë që shfaqet tek fëmijët (pasi është më i shpeshtë tek të rriturit) është edhe narkolepsia, e cila përkufizohet si një çrregullim kronik i gjumit, i karakterizuar nga përgjumje dërrmuese gjatë ditës dhe çrregullime të menjëhershme dhe të papritura të gjumit. Këta individë kanë nevojë të pakontrollueshme për të fjetur gjatë ditës.
Kjo vjen si rezultat i humbjes së menjëhershme të tonusit muscular (kataplexia). Këto janë patologji të rralla për fëmijët që kërkojnë një trajtim të kujdesshëm si nga ana e mjekëve, ashtu edhe e familjarëve të tyre.
Paraliza e gjumit
Tjetër problem që vihet re shpesh te moshat fëminore është paraliza e gjumit. Zgjat vetëm 1 deri në 2 minuta dhe karakterizohet nga pamundësia për të lëvizur, ose për të folur në gjumë, ose duke u zgjuar. Nuk paraqet asnjë problem shëndetësor.
Somnabulizmi
Ndërsa problem që haset më shpesh gjatë moshës së pubertetit (rreth 11-12 vjeç) është somnabulizmi. Shpeshtësia e kësaj gjendjeje shkon në rreth 18 për qind dhe shpesh herë është shqetësuese.
Si mund të trajtohen?
Kujdesi për çrregullimet e gjumit mund të arrihet nëpërmjet krijimit të higjienës së gjumit, sikundër e theksuam edhe më lart.
Ndërsa për rastet më delikate, duhet të merrni me patjetër këshillimin e mjekut dhe jo të shkoni në farmaci e të merrni ilaçe apo qetësues të ndryshëm për gjumë pa asnjë lloj rekomandimi.
Në përgjithësi medikamentet nuk i përmirësojnë këto çrregullime, madje në disa raste mund ti përkeqësojnë kur nuk respektohet doza dhe koha e marrjes. Gjithashtu është e këshillueshme që edhe fëmijëve t’u krijoni orare fikse të vajtjes në shtrat për të fjetur.
Largoni nga dhoma objekte që mund t’i shqetësojnë (si për shembull tik-taku i orës, burime drite, zhurmat, etj). Mos i çoni fëmijët në shtrat me barkun plot, duhet të kenë ngrënë të paktën 2- 3 orë para se të bien për të fjetur.
