Si të dalloni trombozat e venave të thella

Dita

Sipas mjekëve gjendja e trombozës së venave të thella mund ta ndërpresë, pjesërisht ose plotësisht qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar dhimbje kronike dhe ënjtje të këmbëve. Më e zakonshme është ënjtja në këmbën e prekur, si dhe parehatia që nis të shfaqet në pulpën e këmbës. Kategoritë që janë të rrezikuara, si dhe këshillat për të mos lejuar ndërlikimet e formave të rënda

***

Trajtime të caktuara mjekësore, si dhe shumë faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me sëmundje inflamatore të zorrëve, mbipeshën, tumoret, përdorimin e pilulave kontraceptive dhe terapive hormonale, ecjet për një kohë të gjatë, bëhen shkak për shfaqjen e ndërlikimeve që njihen si trombozat e venave të thella të gjakut. Mpiksja e gjakut si shkak i faktorëve të përmendur shton rrezikun për tromboza, të cilat shfaqen kryesisht në venat e thella të këmbës. Bluzat e bardha të QSUT-së, bëjnë me dije se tromboza mund të shoqërohet me simptoma të dukshme që identifikojnë praninë e sëmundjes, siç janë dhimbjet e forta, ose ënjtjet në këmbë. Po sipas tyre, janë të shumta edhe rastet në të cilat pacienti paraqitet për trajtim për shkak të parehatisë që ndjen, por pa e ditur se janë prekur pikërisht nga trombozat, pasi nuk kanë asnjë shenjë të dukshme klinike të saj. Më të rrezikuar për t’u prekur nga tromboza të venave të thella janë pacientët që u nënshtrohen ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale, si rezultat i të cilave duhet të qëndrojnë për një kohë të gjatë të shtruar (pa lëvizje) deri në shërimin e plotë të tyre. “Tromboza e venave të thella zhvillohet si pasojë e gjendjeve të caktuara shëndetësore apo trajtimeve mjekësore që ndikojnë në mpiksjen e gjakut. Kirurgjia, si dhe çdo gjendje që kërkon pushim në shtrat për më shumë se tri ditë, rrit rrezikun. Tromboza e venave të thella është një gjendje serioze dhe ndonjëherë me risk të lartë. Ndër më shqetësueset është shkaktimi i embolisë pulmonare, që mund të ndodhë si pasojë e shkëputjes dhe udhëtimit të trombit drejt mushkërive. Bllokimi i qarkullimit të gjakut aty mund të çojë në pasoja fatale për jetën edhe në vetëm disa orë”, detajohet në udhëzuesin këshillues të përgatitur nga bluzat e bardha të QSUT-së për pacientët.

Simptomat që shfaqen

Mjekët këshillojnë se duhet t’u drejtoheni qendrave shëndetësore dhe të kontaktoni mjekun e familjes për udhëzime të mëtejshme nëse hasni në shenjat dhe simptomat që tromboza shfaq, por gjithashtu nëse keni shenja të tromboembolisë pulmonare. “Simptomat e embolisë pulmonare përfshijnë, kollitje, dhimbje të mprehtë në gjoks e cila përkeqësohet ndërsa merrni frymë thellë ose kolliteni, frymëmarrje të shpejtë ose gulçitje gjatë frymëmarrjes, marramendje ose dobësi, si dhe kollitje me gjak. Në këto raste duhet shkoni në urgjencë”, sqarohet prej tyre. Në varësi të ndikimit të faktorëve, mjekët thonë se gjendja e trombozës së venave të thella mund ta ndërpresë, pjesërisht ose plotësisht qarkullimin e gjakut dhe shkakton dhimbje kronike dhe ënjtje, kryesisht në këmbë. Më e zakonshme është ënjtja në këmbën e prekur, si dhe parehatia që nis të shfaqet në pulpën e këmbës. Më tej, mjekët shtojnë se janë shumë të rralla rastet në të cilat ënjtja mund të prekë njëkohësisht të dyja këmbët. Dhimbjet bëhen edhe më dukshme, si dhe shqetësuese gjatë kohës që jeni duke ecur. Gjithashtu, në shumë pacientë mund të ndodhë që të kenë edhe nxehtësi në lëkurën e këmbës së prekur dhe vena të dukshme sipërfaqësore. Mjekët këshillojnë që të bëhet shumë kujdes, pasi fatkeqësisht në disa raste tromboza nuk shfaq simptoma të dukshme, ndërkohë që ndërlikimet e saj mund të jenë edhe me pasoja shumë të rënda.

Vendosja e diagnozës

Në mungesë të shenjave të dukshme klinike, shpesh herë vendosja e diagnozës shfaqet e vështirë. Megjithatë, mjeku i familjes dhe ai specialist, për të diagnostikuar trombozën, duhet t’ju pyesin rreth shëndetit tuaj, historisë mjekësore dhe simptomave, si dhe të bëjnë ekzaminimin fizik nëpërmjet ekzaminimeve dhe testeve specifike. Kjo me qëllim për të ndaluar në kohë të gjitha ndërlikimet e tjera që mund të shoqërohen nga simptoma të ngjashme. Vendosja e saktë e diagnozës bëhet nëpërmjet disa testeve dhe ekzaminimeve specifike që pacienti duhet të kryejë me rekomandimin e marrë nga mjeku specialist. Konkretisht, për të konfirmuar diagnozën do të nevojiten teste siç janë ekzaminimi me ultratinguj, analizë gjaku, venografi, CT-skaner ose rezonancë magnetike.

Trajtimi që duhet ndjekur

Pas vendosjes së diagnozës, si dhe identifikimit të shkaktarëve që kanë ndikuar në shfaqjen e trombozës së venave të thella, objektivi kryesor që mjeku vendos në trajtimin e pacientit, ndalet në parandalimin e rritjes (zmadhimit) të trombit, parandalimin e shkëputjes dhe shkaktimit të tromboembolisë pulmonare. “Disa këshilla të thjeshta për t’u aplikuar në përditshmëri janë përdorimi i çorapeve me efekt shtrëngues, shmangia e qëndrimit ulur për një kohë të gjatë, çlodhja e këmbëve në pozicionin pak të ngritur për të ndihmuar qarkullimin e gjakut drejt zemrës, aktiviteti fizik dhe ndjekja e këshillave shëndetësore të marra nga një mjek specialist në rastet e udhëtimeve shumë të gjata”, theksojnë mjekët. Ndërkohë që terapia medikamentoze është tërësisht individuale, në varësi të gjendjes në të cilën ndodhet pacienti. Sikundër theksohet edhe për shumë sëmundje të tjera, në asnjë rast nuk duhet që të orientoheni drejt marrjes në farmaci të qetësuesve për dhimbjet, nëse më parë nuk është vendosur diagnoza e saktë nga mjeku specialist. Në të tilla raste mund të ndodhe që të përkeqësoni edhe me shumë gjendjen shëndetësore.

 

Ju mund të keni risk të shtuar për të zhvilluar trombozën si pasojë e një ose disa faktorëve si:

Gjendje e trashëguar që nxit koagulimin e gjakut.

Qëndrim i gjatë në shtrat, si në rastet kur kaloni kohë të gjatë të shtruar në spital, ose paralizë.

Lëndime ose kirurgji.

Shtatëzani ose periudha menjëherë pasi keni lindur foshnjën.

Përdorimi i pilulave kontraceptive ose terapive hormonale.

Mbipeshë.

Kancer.

Histori me trombozë venoze ose emboli pulmonare.

Varikozë venoze.

Histori me sëmundje kardiovaskulare.

Sëmundje inflamatore të zorrëve.

Moshë mbi 60 vjeç.

Qëndrimi ulur dhe mungesa e aktivitetit për kohë të gjatë.

Udhëtimet e gjata, mbi katër orë.

Duhanpirja.

Share This Article
7 Comments
  • Pershendetje para 3muajve kam kapercyer nje pellg me uji dhe aty ndjeva nje therje tek gjuri posht dhe qe aty e deri me tani kam siklet sikur me han nga brenda sikur me ftohet paksa sikur me djersin ndonjiher me lodhet kur eci shum nuk e shtriq fort deri ne fund se me dhemb me jep dhimbje ne gjur ju lutem me jepni nje shpjegim ju faleminderit

  • Pershendetje
    Këmbën e djathtë ma pershkon një temperature dhe me duket se po më rrjedh gjak nëpër këmbë .Pastaj kur rri ulur për 1 ose 2 orë ulur këmba e humbë balancimin dhe kam dhimbje në këmbë.

  • A mund te shkaktoje tromboze me pasoje vdekjen per shkak te kurimit te nje grip ose virus ose thjesht per shkak terapise se gabuar

    • pershendetie..
      mamaja ime ka ber operim.ka ven dy unaza ne venat e zemres.
      dhe peson shpesh her bllokim.
      kemi frik per humbien e jetes se mamas.
      doktori thot ska miekim
      si mund te kuptoim keto bllokime,dhe si mund te ndihmojme ,,,,ju lutem pres nji pergjigje,

  • pershendetie..
    mamaja ime ka ber operim.ka ven dy unaza ne venat e zemres.
    dhe peson shpesh her bllokim.
    kemi frik per humbien e jetes se mamas.
    doktori thot ska miekim
    si mund te kuptoim keto bllokime,dhe si mund te ndihmojme ,,,,ju lutem pres nji pergjigje,

  • Pershendetje! Ne analizat e gjakut PLT rezultoi 473….me krijoi problem ne sy..bllokim i arteries se syrit…po mar mjekim cardiopirin…mu ul PLT ne 361 dhe pas 2 javesh u rrit ne 405…Ju lutem mund te me thoni cfare rezikoj dhe ku duhet te drejtohem?Faleminderit!

  • Me falni , une po ecja normalisht por sa zbrita nje bordure te vogel me dhembi dhe me ther pulpa e kembes.Cfare duhet te jete?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *