Tradicionalisht mbahet si simbol i burrërisë. Dikush thotë se i sjell fat, ndërsa një tjetër se nuk mund ta mendonte dot jetën pa mjekër. Pasion apo jo, për mjekrat më interesante të botës, prej vitesh tashmë zhvillohet një kampionat botëror.
Shumëkush thotë se për mjekrën edhe të vret. Dikush tjetër thotë se e ka thjesht një hobi, një tjetër pohon se ajo i sjell fat, ndërsa një tjetër se nuk mund ta mendonte dot jetën pa mjekër.
Disa mendojnë se është indeks i pakompromis i burrërisë, dikush ka fobi prej saj, por ka dhe nga ata që e adhurojnë.
Sidoqoftë, pasion apo jo, për mjekrat më interesante të botës, prej vitesh zhvillohet një kampionat botëror, pa përmendur se për të ardhur në të, zhvillohen shumë të tillë, lokalë apo rajonalë.
Kështu, në këtë fillimtetori, në fshatin e vogël austriak Leogang, në zemër të landit të Salcburgut, për tri ditë me radhë u zhvillua dhe gara e njerëzve “më mjekroshë” në botë.
Ky lokalitet tashmë e zhvillon këtë kompeticion të hapur që i bën banorët e tij të ndihen krenarë, qysh në vitin 2005, kur ai u bë vendi organizator i “Beard Olympics” dhe në vitin 2010 edhe i “Beard European Championships”, pra i Kampionatit Europian.
Ka qenë një juri, ajo e cila qysh më datë 3 tetor u ngarkua të zgjidhte mjekrën më atraktive në kampionatin aktual botëror, por jo vetëm, pasi ajo duhej të përcaktonte edhe se cila nga mjekrat ishte më origjinalja dhe më e pazakonta në disa kategori, si: atë të mustaqeve, atë të mjekrës së dredhur e të hollë dhe në atë të mjekrës së plotë e të patrajtuar (çka të gjitha në fakt, nëse do u shkonim më tej detajeve të kategorizimit, do të bëheshin plot 18 të tilla).
Në këtë garë morën pjesë 350 pjesëmarrës nga 20 kombe të ndryshme të botës.
Në këtë rast, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht me rubrikat e suplementit tonë NDRYSHE në gazetën “Shqip”, thënia: “Foto sa një mijë fjalë”, do të ishte e duhura për t’u aplikuar. Hidhini një sy një përzgjedhjeje jo rastësore të mjekrave më interesante të vlerësuara nga juria, e cila duket se ka pasur një punë tejet të vështirë, për të përcaktuar fituesit në çdo kategori apo jo?





