Gripi stinor është një infeksion (sëmundje) akut viral respirator i shkaktuar nga viruset e gripit stinor.
Çdo grip stinor përhapet nga viruse të ndryshme të tij dhe prek njerëz të ndryshëm në bazë të aftësisë së trupit të tyre për të luftuar infeksionin. Ekzistojnë disa tipe virusesh që shkaktojnë gripin, si tipi A, B e C. Tipet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit.
Si përhapet gripi?
Gripi stinor është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë, gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e gripit stinor.
Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?
Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Por veçanërisht te fëmijët apo personat me imunitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë pak më e gjatë.
Kush rrezikon prekjen nga gripi stinor?
Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të kenë komplikacione nga gripi. Në rrezik më të madh janë: fëmijët e vegjël nën 5 vjeç ,sidomos deri në 2 vjeç, njerëzit 65 vjeç e sipër, gratë shtatzëna, njerëzit me sëmundje kronike, si: astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar si HIV/AIDS, kancer etj. Kushte neurologjike, si: epilepsia, distrofia muskulare, vonesa të rënda të zhvillimit etj., njerëzit obezë, të rinj nën 19 vjeç që kanë përdorur gjatë aspirinën.
Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:
Temperaturë e lartë
Kollë
Dhimbje fyti
Shenjat që shfaqen tek fëmijët
Lodhje
Dhimbje koke
Të përzjera
Diarre
Të vjella
Dhimbje barku
Rrjedhje të hundëve
Dhimbje muskujsh
Shenjat paralajmëruese për emergjencë.
Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, por drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse: fëmijët shfaqin: “frymëmarrje të shpejtë ose probleme me frymëmarrjen, ndryshim të ngjyrës së lëkurës, nuk konsumon lëngje të mjaftueshme, nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron, bëhet nervoz sa që nuk dëshiron të mbahet, kur ka rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe, ethe me një skuqje të lëkurës, si dhe fortësim të qafës.
Ndërsa tek moshat më të rritura shenjat paralajmëruese janë vështirësi në frymëmarrje apo gulçim, dhimbje apo presion në gjoks apo bark, marramendje papritur, konfuzion mendor, të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme.
Tre mënyrat më të mira për t’u mbrojtur nga gripi
Ekspertët e shëndetësisë këshillojnë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, veprimet e përditshme parandaluese dhe përdorimin e saktë të barnave antivirale nëse mjeku i rekomandon.
Mënyra më e mirë e parandalimit të gripit është vaksinimi me vaksinën antigrip. Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit. Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet personave që kanë alergji nga veza, atyre me gjendje akute me temperaturë, ata që kanë sindromën Guillain–Barre, personat që kanë pasur reaksion të mëparshëm, si dhe fëmijëve nën 6 muajsh.
Në grupin e veprimeve të përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor bëjnë pjesë mbulimi i hundës dhe gojës kur kollitemi dhe teshtijmë, larja e shpeshtë e duarve me sapun, shmangia e prekjes së syve dhe hundës apo gojës me duar të palara. Gjithashtu, përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë, ushqehuni mirë, bëni aktivitet fizik, gjumë të mjaftueshëm, si dhe dezinfektoni ambientet ku banoni. Për rastet kur të gjitha këto këshilla nuk do të japin efektet e duhura, e vetmja mënyrë është që pacienti t’u drejtohet mjekëve që të marrë trajtimin e specializuar.