Me rinit alergjik kuptojmë inflamacionin (infeksionin) e mukozës së hundës, të syve, sinuseve, veshit të mesëm, faringut dhe tubit të Eustakit (tubi që lidh faringun me veshin). Pa dyshim këtu përfshihet edhe hunda, por në shumë individë përfshihen edhe organe të tjera. Tendenca për të zhvilluar reaksione alergjike sigurisht që ka edhe komponentë gjenetikë ose predispozicionin familjar. Në individë të prekshëm, ekspozimi ndaj disa proteinave të huaja çon në sensibilizimin alergjik, i cili karakterizohet me prodhimin e antikorpeve ( antitrupave) specifike kundër këtyre proteinave (IgE specifike). Si rezultat i këtyre antikorpeve specifike dhe i bashkëveprimit të mekanizmave të posaçëm në organizmin e njeriut, në fund të fundit kemi simptomat e rinitit alergjik me rrjedhje hundësh, teshtitje, kruajtje, lotim, ndjenja e presionit në vesh etj. Të gjitha këto ngjarje mund të ndodhin në minuta, pra ky reagim quhet faza e hershme ose e menjëhershme. Mbas 10-12 orësh përmes një bashkëveprimi kompleks të ngjarjeve, kalohet në fazën e mëvonshme që mund të vazhdojë me orë ose me ditë. Kjo fazë është e ngjashme me atë të parën, por ka më pak teshtitje dhe kruajtje dhe më shumë sekrecione si edhe lodhje, përgjumje, parehati të përgjithshme, duke cenuar kështu edhe cilësinë e jetës.
A përbën rrezik për jetën riniti alergjik?
Në vetvete riniti alergjik nuk përbën rrezik për jetën, por shpesh ai bashkëjeton me astmën bronkiale dhe mund të shoqërohet me ekserbacione (gëlbazë e shumtë që vjen si rezultat i shkatërrimit të strukturës bronkiale nga infeksionet kronike). Ai është i lidhur gjithashtu edhe me infeksionin e veshit të mesëm dhe të tubit të Eustakit, me sinusitet, polipet e hundës (mishi i huaj në hundë), me lodhjen e përgjithshme, me çrregullimet e gjumit, duke cenuar kështu cilësinë e jetës dhe ndonjëherë duke e rrezikuar atë (në format e ashpra të astmës bronkiale).
Cilët janë personat më të rriskuar nga kjo sëmundje?
Riniti alergjik u ndodh personave të gjitha racave. Përhapja e tij mund të ndryshojë midis popullatave të ndryshme dhe kulturave, kjo për arsye të dallimeve gjenetike, faktorëve gjeografikë, mjedisorë, etj. Përsa i përket seksit, në fëmijëri riniti alergjik është më i zakonshëm tek djemtë sesa tek vajzat, por në moshë madhore, prevalenca është përafërsisht e barabartë midis burrave dhe grave. Fillimi i rinitit alergjik është më i zakonshëm në fëmijëri, në adoleshencë dhe në rininë e hershme, por ai mund të ndodhë në gjitha moshat. Zakonisht mosha më e preferuar është rreth 20 vjetëve. Shfaqja për herë të parë tek të moshuarit është një fenomen i rrallë.
Cilët janë shkaktarët e rinitit alergjik?
Shkaktarët janë të shumtë, por ndër të parët renditen polenet, të cilat shfaqen më së shumti gjatë lulëzimit pranveror. Ky lloj riniti njihet edhe si riniti alergjik sezonal. Polenet (pemët, barërat, farëra të ndryshme, etj) ndryshojnë nga pozita gjeografike dhe shfaqen më shpesh në pranverë, por jo pak edhe në vjeshtë. Ndër pemët kryesore përmendim lisin, panjën, ullirin, thuprat etj. Shumë nga barërat e këqija si për shembull gjethe delli, lëpjeta, gjemb gomari, etj. Janë më të spikatura në fund të verës, veçanërisht në klimat e ngrohta. Kushtet atmosferike mund të ndikojnë në rritjen dhe shpërndarjen e një numri të madh polenesh, prandaj përhapja e tyre ajrore mund të ndryshojë në varësi të klimës dhe sezonit. Një shkaktar mjaft i rëndësishëm i rinitit alergjik janë pluhurat e shtëpisë, të cilat mund të gjenden në dyshekë, në jastekë, në qilima, mobilje. Këto lloj speciesh lulëzojnë në temperatura të larta dhe lagështirë të lartë, kurse në klimat e thata janë të rralla. Rinitet alergjike mund të shkaktohen edhe nga qimet e kafshëve të ndryshme. P.sh. alergjitë ndaj qimeve të maces dhe qenit janë hasur më së shumti në praktikën mjekësore. Mjaft shpesh po ndeshemi edhe me rinitet alergjike profesionale që shkaktohen si pasojë e ekspozimit ndaj alergjenëve në vendin e punës. Profesione të tilla mund të përmendim fermerët, veterinerët, punonjësit e bujqësisë, ata që punojnë nëpër mobileri, në fabrikat e dyshekëve etj.
Cili është trajtimi dhe profilaksia ndaj riniteve alergjike?
Menaxhimi i riniteve alergjike përfshin tre komponentë që kanë të bëjnë me kontrollin e mjedisit dhe shmangien e alergenëve, me trajtimin medikamentoz, si dhe me imunoterapinë. Sa i takon kontrollit të mjedisit dhe alergenëve kjo është mjaft e vështirë, duke ditur se ato janë të përhapura në natyrë. Megjithatë reduktimi i daljeve sa të jetë e mundur gjatë periudhës kur alergenët janë në ajër në masë përbën një masë të rëndësishme, mbajtja e dyerve të shtëpisë dhe makinave mbyllur gjatë udhëtimit, bërja e një dushi kur kthehemi në shtëpi për të larguar ato polene që mbeten në flokë e në lëkurë. Për ata që janë alergjikë ndaj pluhurave të shtëpisë ka rëndësi zgjedhja e jastekëve dhe dyshekëve që janë të ngjeshur (jo me susta), si edhe veshja e tyre me mbulesa antialergjike. Rekomandohet që ndërresat dhe shtresat e krevatit të lahen shpesh me ujë të nxehtë që çon në shkatërrimin e këtyre specieve. Pastrimi i qilimave dhe trajtimi i tyre me agjentë kimikë mund të ndihmojë por në fund të fundit qilimat duhen hequr në varësi nga rëndesa e sëmundjes. Për alergjitë nga kafshët, shmangja e plotë është masa më e mirë. Për ata që nuk duan t’i shmangin, izolimi i kafshëve në një dhomë të veçantë, larja e shpeshtë e tyre do të sillte përfitime. Ndërsa për alergjitë profesionale, nëse nuk është e mundur shmangia totale, përdorimi i maskave respiratore do të kishte efikasitet. Këto ishin disa këshilla të përgjithshme që rekomandohen, por riniti alergjik kërkon një trajtim profesional nga mjeku specialist. Ndërkohë sa i takon imunoterapisë (desensibilizimi) ose siç njihet shpesh me emrin vaksinimi kundër alergjisë, i takon mjekut specialist. Ky është një proces afatgjatë, i cili nëse rezulton efikas (pas 6 deri12 muaj) duhet vazhduar për 3 deri 5 vjet. Por, edhe kjo nuk është pa rrezik sepse mund të ndodhin reaksione të rënda sistematike. Prandaj është mjeku ai që shqyrton rreziqet dhe përfitimet dhe së fundi vendos.
