Si të marrësh një diplomë në Shqipëri dhe të jetosh i lumtur (Video)

anazapta

Skandali i diplomës së blerë të Renzo Bossi-t në Tiranë, gjatë muajve të fundit ka drejtuar reflektorët mbi tregun e titujve të studimit në shitje në Shqipëri dhe të blerë nga qytetarët italianë. Me këtë rast është marrë së fundi programi italian “Lucignolo 2.0” i “Mediaset” që intervistoi në kryeqytetin shqiptar rektorë, punonjës dhe të rinj italianë, të gjithë të angazhuar në këto universitete private.

30 universitete vetëm në Tiranë 

Fenomeni në fakt ka përmasa edhe më të mëdha. Janë me qindra qytetarët italianë që çdo vit kalojnë Adriatikun për t’u bërë mjekë, infermierë apo dentistë në rreth 30 universitete të pranishme vetëm në Tiranë. Universiteti i parë, thuhet në shërbimin investigativ të “Lucignolo”, është vetëm 2 km larg aeroportit të kryeqytetit. Hyrja në këtë strukturë është rreptësisht e kontrolluar, por me kamera të fshehura nuk është vështirë të gjesh persona që pranojnë ekzistencën e një tregtie të vërtetë me titujt e studimit. “Nëse paguan mund të arrish gjithçka që dëshiron”, shprehet një vajzë. “Edhe diplomën universitare?”, pyet gazetari. “Po, sigurisht”, është përgjigja e saj.

Studentë italianë të emigruar

Pasi i dërguari i “Italiauno”-s hyn në këtë universitet, i njëjti ku Renzo Bossi “u diplomua” për 77 mijë euro në kurriz të “Lega Nord” (parti e drejtuar nga i ati, Umberto Bossi), një punonjëse që nuk dëshiron të identifikohet i tregon atij sallat e mësimit, mensën, kafeterinë, teatrin. Gjithçka duket e përsosur, po të mos jetë për studentët që mungojnë. Midis atyre pak të pranishmëve nuk është e vështirë të gjesh qytetarë italianë, të cilët para telekamerave të ulura shpjegojnë se gjejnë në Shqipëri atë që nuk arritën të merrnin në Itali. “Këtu nuk i jam nënshtruar asnjë testi. Thjesht u regjistrova dhe tani frekuentoj leksionet. Por dua ta mbaj këtë gjë sa më të rezervuar”, tregon njëri prej tyre.

“Po përpiqem të marr këtë diplomë, të cilën e kam pasur gjithnjë aspiratë, por që fatkeqësisht Italia nuk ma ka mundësuar kurrë”, pohon një italian në moshë të mesme. Sipas këtij qytetari ka një shpjegim për arratisjen e studentëve italianë jashtë shtetit: “Nuk mund të ketë 2000 të regjistruar për 25 vende”, dhe pastaj shton “Përse gjithë këto skandale? Vetëm për një diplomë të vogël që mori Bossi… Aha paratë! Epo mund t’ia lejonte vetes!”.

Çmime ekonomike

Në fund për telekamerat e “Lucignolo 2.0” flet rektori Leontiev Çuçi: “Për të studiuar në Itali sa është kostoja? Për një infermier… le të themi 10 mijë, 12 mijë euro? Këtu janë 5 ose 6 mijë. Pra me gjysmë çmimi, madje bëjmë edhe ulje. Nëse ti paguan për tre vjet të bëj një ulje prej 20-30% dhe nëse regjistrohesh në muajin gusht ke një ulje prej 20%, ndërsa në shtator prej 10%”.

Dhe në lidhje me skandalin Bossi shton “Kam një rritje të numrit të studentëve pas këtij rasti…”. Kur gazetari e pyet: “A nuk është kjo një tregti me dijen, me kulturën? Me këto ulje çmimesh duket sikur po shitet një makinë”, përgjigja e Çuçit le pak për të dëshiruar: “Përse? Një makinë në ç’kuptim?”.

Në fund Mirton Resuli, gazetar i të përjavshmes “Fenix”, shpjegon se jo të gjitha universitetet private në Tiranë janë të ngjashme: “Disa janë të mira, por ndonjëra lind si autoshkollë”./ Përgatiti: Dorina Gjuzi   

http://www.video.mediaset.it/video/lucignolo/clip/426111/la-laurea-facile-in-albania.html

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *