Mbledhja e viteve të punës, që duhen për plotësimin e kushteve të daljes në pension, si dhe vërtetimi i pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke nisur nga dita e dielë e datës 1 maj do të sigurohen vetëm nëpërmjet shërbimit online në portalin qeveritar “e- albania”. Kundrejt tarifave zero nga portali online në pak kohë, mund të siguroni të gjitha vërtetimet e duhura mbi vjetërsinë kontributive që duhet për plotësimin e kushteve të daljes në pension. Këto vërtetime do të jenë të pajisura me vulat përkatëse elektronike, ndërkohë që vlefshmëria e tyre do të jetë pa afat.
“Në e-albania ju do të mund të merrni të gjitha vërtetimet e sigurimeve shoqërore pa asnjë dokument, apo kosto shtesë. Për konfirmimin e vjetërsisë së punës në portalin online mund të aplikohet për vërtetimin për periudha pune të kryera në ndërmarrjet shtetërore para janarit të 1994, vërtetimin për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga viti 1994 deri në përfundim të vitit 2011, vërtetimet për periudha pune në ish-Kooperativat Bujqësore (KB). Nëpërmjet portalin do të mund të aplikohet edhe për vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurimin vullnetar (1993-2013), me firmë elektronike. Vërtetimet janë falas dhe mund të shkarkohen në çdo kohë nga çdo aplikues nëpërmjet rubrikës së “dokumentet e mija” që ndodhet në portalin e-albania”, sqarojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore.
Mbledhja e viteve të punës
Procedurat për sigurimin e këtyre dokumenteve janë tejet të thjeshta. Hapi i parë që duhet të ndiqni për sigurimin e vërtetimit për vjetërsinë e punës të kryer sipas periudhave dhe viteve përkatëse për të cilat jeni të interesuar është që të hyni në portal nëpërmjet adresës www.e-albania.al, ku fillimisht duhet të identifikoheni si qytetar dhe të vijoni me procedurat e aplikimit.
Pasi të bëni identifikimin në portal duhet që të zgjidhni shërbimin përkatës që ju duhet, i cili mund të jetë: “Vërtetim për periudha pune në ndërmarrje shtetërore (para datës 01.01.1994)”, “Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 01.01.1994 deri 31.12.2011”, “Vërtetim për vjetërsinë kontributive pas viteve nga viti 2012 e në vijim”, apo “Vërtetim për punët e kryera në ish kooperativat bujqësore”, etj.
Pasi të përzgjidhni rubrikën përkatëse sipas nevojës, duhet të klikoni në butonin “Përdor”. Menjëherë më pas do t’ju shfaqet formulari përkatës në të cilin duhet të plotësoni të dhënat e kërkuara në lidhje me subjektin ku ju keni punuar në vitet përkatëse. Duke bërë plotësimin e formularit me kujdes në të gjitha rubrikat, do të mund të vijoni më pas me dërgimin e tij. Pas procesimit që do të bëhet me verifikimin e formularit nga strukturat përgjegjëse të sigurimeve shoqërore, ju do të mund të gjeni në çdo kohë vërtetimin përkatës në seksionin “Dokumentet e mia” që ndodhet tek hapësira juaj në portalin “e-albania”. Periudha e vlefshmërisë së këtyre vërtetimeve është pa afat, ndërkohë që nuk kërkohet të paguani asnjë lloj tarife për marrjen e tyre.
Mbyllja e sporteleve fizike
Pak ditë më parë autoritetet e sigurimeve shoqërore sqaruan se për aplikimet për pension, marrjen e vërtetimeve të caktuara të sigurimeve shoqërore nuk do të jetë më e nevojshme paraqitja dhe pritja nëpër sportelet fizike të agjencive dhe drejtorive rajonale të ISSH-së. “Duke filluar nga data 1 maj 2022, sportelet e pritjes pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, degëve të sigurimeve Shoqërore dhe agjencive lokale të sigurimeve shoqërore do të funksionojnë vetëm online. Qytetarët janë të lutur që të gjitha aplikimet t’i bëjnë nëpërmjet platformës “e-albania”, dhe në rastet kur aplikimet kanë dokumente shoqëruese, ato do të dërgohen nëpërmjet Postës Shqiptare pranë drejtorive rajonale në të cilat është bërë aplikimi për përfitimin përkatës”, konfirmuan autoritetet e ISSH-së.
Të drejtën e sigurimit të pensioneve të pleqërisë e gëzojnë të gjithë personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror dhe që janë në prag të moshës së përcaktuar për të dalë në pension. Këta të fundit mund të plotësojnë online kërkesën paraprake për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo me qëllim që verifikimet e kushteve të përfitimit nga strukturat e sigurimeve shoqërore të kryhen në kohë pa rrezikuar asnjë ditë vonesë në marrjen e pagesës mujore që ju takon sipas ligjit. Duhet të dini se plotësimi i kërkesës paraprake për pension nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitim pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Kjo pasi koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve të mund të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesi. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, çdo person i interesuar duke nisur nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim, mund të paraqesë kërkesën paraprake të daljes në pension nëpërmjet portalit “e-albania”.
Përfitimi i pensioneve
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, lidhur me të drejtën e përfitimit, saktësohet se personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre herë. E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre.
Pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Pensionet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se tre vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit. Personi, që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit. Personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal. Pensioni i invaliditetit do të ndërpritet për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent. Gjithashtu pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur ai refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.
Llojet e vërtetimeve që do lëshohen online:
- Vërtetim për periudha pune në ndërmarrje shtetërore (para datës 01.01.1994), me firmë elektronike.
- Vërtetim për periudha pune në ish – kooperativat bujqësore (KB), me firmë elektronike.
- Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 01.01.1994 deri 31.12.2011, me firmë elektronike.
- Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012).
- Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurim vullnetar (1993-2013), me firmë elektronike.
Procedurat që duhet të ndiqni!
- Për të marrë vërtetimin për vjetërsinë e punës në ndërmarrjet shtetërore pasi të hyni në portal dhe të bëni identifikimin përkatës, duhet të zgjidhni shërbimin “Vërtetim për periudha pune në ndërmarrje shtetërore (para datës 01.01.1994) dhe të klikoni në butonin “Përdor” për të plotësuar formularin me të dhënat e kërkuara. Pas procesimit vërtetimin mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj në portali.
- Për vërtetimin e vjetërsisë kontributive nga viti 1994 deri në vitin 2011 duhet të zgjidhni shërbimin “Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 01.01.1994 deri 31.12.2011” dhe të plotësoni formularin e përcaktuar dhe të dërgoni aplikimin. Pas procesimit vërtetimin mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj në portalin e-Albania.
- Ndërsa për periudhën kontributive pas 2012 duhet të zgjidhni shërbimin “Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012)” dhe të plotësoni formularin përkatës dhe të klikoni “Përdor” për të parë dhe shkarkuar menjëherë vërtetimin për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore si i punësuar me vulë elektronike.
- Për vërtetimin kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurim vullnetar duhet të zgjidhni shërbimin Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurim vullnetar (1993-2013)”, si dhe të plotësoni formularin e përcaktuar dhe të dërgoni aplikimin. Pas procesimit vërtetimin mund ta gjeni në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira juaj në portalin e-Albania”.
