Ankthi është një gjendje psikologjike dhe fiziologjike e ngritur si reagim ndaj situatave të ndryshme që mund të jenë të panjohura, frikësuese, kërcënuese, si dhe streseve të shumta të krijuara gjatë përditshmërisë. Sa i takon natyrës së sëmundjes, ekspertët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, bëjnë me dije se: “Të gjithë njerëzit provojnë në jetë ankth përpara, apo pas situatave të caktuara, si një mënyrë pozitive për t’u mbrojtur, për sa kohë funksioni i tij nuk bëhet pengesë për funksionimin dhe mirëqenien psikofizike të individit. Femrat janë dy deri në tre herë më shumë gjasa të vuajnë nga çrregullimi i ankthit të përgjithësuar më shumë se meshkujt”.
Po sipas mjekëve, ankthi karakterizohet po aq nga tipare psikologjike pjellore, sa edhe fiziologjike. Ankthi i përgjithësuar është një shqetësim dhe mërzi e vazhduar e tepruar dhe jo realiste mbi pothuajse të gjitha rrethanat jetësore, që shoqërohet me një ndjenjë mungese kontrolli dhe një vigjilencë të lartë ndaj çdo stimuli të lidhur me situatat kërcënuese.
Në diagnostikim, analizohen: “Ankth i përhershëm dhe shqetësim për ngjarje dhe aktivitete të jetës së përditshme si për shembull puna, shkolla, familja, etj, të cilat zgjasin më shumë se 6 muaj. Individi që vuan nga ky çrregullim e ka të vështirë ta kontrollojë shqetësimin e përjetuar”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar manualin udhëzues të përgatitur nga ekspertët e shëndetit në QSUT, për simptomat që shoqërojnë çrregullimin e ankthit, si dhe terapinë që duhet të ndiqet për reduktimin e tij.
Shenjat klinike
Ndër simptomat që tregojnë se keni të bëni me këtë patologji listohet të jenë: “Paaftësia për tu qetësuar, ndjenja e lodhjeje, ose lodhje e shpejtë, vështirësia në përqendrim, ose bllokim i mendjes, irritueshmëri, tension muskulor, si dhe shqetësimet e gjumit. Çrregullimi i ankthit të përgjithësuar mund të jetë shpesh shoqërues i çrregullimeve të tjera si çrregullimet e humorit çrregullime psikotike, apo i problemeve të tjera shëndetësore, po ashtu mund të shoqërohet dhe me probleme ekonomike sociale. Zakonisht, nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se gjashtë muaj është e mundshme që kemi të bëjmë me çrregullim ankthi të përgjithësuar. Pa trajtim, çrregullim ankthi i përgjithësuar mund të vazhdojnë për një jetë, në disa raste me i butë në disa të tjera në paaftësi, duke sjellë edhe pasoja më të rënda.
Masat që duhet të merren
Nëse ndihma e specializuar mjekësore merret në kohë, atëherë mund të reduktohen pasojat e rënduara që mund të vijnë prej kësaj patologjie. Nevoja për trajtim spitalor shfaqet kur pacienti nuk është në gjendje të menaxhojë funksionimin e tij, por sëmundja menaxhon pacientin dhe sjelljet e tij, ndjehet nevoja e trajtimit në kushtet spitalore. Njerëzit që vuajnë prej saj, janë gjithmonë të brengosur, të shqetësuar, të tensionuar dhe kjo gjendje vazhdon me kalimin e kohës, ndërsa sëmundjet fizike që shoqërojnë atë, mund të jenë me ndërprerje. Ankthi shpesh mund të jetë i lidhur me situata familjare, pune, ose paraqitet pa ndonjë shkak të vërtetë. Ankthi ndikon shume në aktivitetet e përditshme. Një në 50 njerëz zhvillojnë këtë sëmundje në një moment të jetës dhe gratë janë më të ndjeshme se meshkujt.
Në çdo rast trajtimet rekomandohen vetëm nga mjeku, dhe të mos veprohet me marrjen e qetësuesve pa rekomandim.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
• Paaftësi për tu qetësuar.
• Ndjenjë lodhjeje ose lodhje e shpejtë.
• Vështirësi në përqendrim, ose bllokim i mendjes.
• Irritueshmëri.
• Tension muskulor.
• Shqetësime gjumi.
Shqetësimet manifestohen me simptoma fiziologjike dhe emocionale
Simptomat fiziologjike
• Shpeshtim i rrahjeve të zemrës.
• Diarre.
• Pagjumësi, lodhje dhe dobësi.
• Rritje e presionit të gjakut.
• Rritje e frekuencës respiratore.
• Dridhje të zërit , si dhe të dridhura të përgjithshme.
• Urinim i shpeshtë.
• Nauze dhe të vjella.
• Skuqje ose zbehje.
• Tharje të gojës.
• Dhimbje trupore, gjoksi dhe kurrizi
• Parehati e përgjithshme e trupit.
• Ngrohje ose ftohje trupore e menjëhershme.
Simptomat emocionale
• Frikë dhe drojë, që e bën të refuzojë ndihmën.
• Pacienti është nervoz dhe nuk ka besim tek vetja.
• Në çdo rast ka frikë dhe ndjell ters.
• Humbet kontrollin dhe është i tensionuar.
• Është i paaftë për t’u relaksuar.
• Nuk e ka sensin e realitetit.
• Shfaq paaftësi në përqendrim dhe vëmendje.
• Vuan nga harresa të herëpashershme.
• Vuan nga bllokim mendimesh (paaftësi për t’u kujtuar).
• Është më tepër i orientuar më tepër ndaj të shkuarës, se të tashmes dhe të ardhmes.
