Për gazetën “Dita”, dermatologia Migena Vargu tregon se cilat janë sëmundjet më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj stine, së bashku me këshillat dhe kujdesin që duhet treguar për të mbajtur larg komplikacionet e rënduara.
Vjeshta dhe temperaturat në rënie shkaktojnë një sërë ndikimesh negative në lëkurë, manifestimi i të cilave bëhet nëpërmjet tharjes dhe çarjes së lëkurës, shfaqjes së ekzemave, dhe shumë komplikacioneve të tjera. Fytyra dhe duart janë edhe ndër pjesët më të rrezikuara, për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm nën temperaturat e ulëta. Megjithatë, me pak kujdes mund të shmangim problemet e lëkurës, duke i kursyer vetes disa rrudha të parakohshme. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia dermatologe Migena Vargu detajon komplikacionet më të shpeshta që prekin lëkurën gjatë stinës së vjeshtës dhe ditëve të ftoha, së bashku me simptomat dalluese, si dhe këshillat për të ndaluar rëndimin e mëtejshëm të tyre. Në vijim të shkrimit gjeni intervistën e plotë lidhur me sëmundjet më të shpeshta të lëkurës gjatë këtij sezoni, dhe këshillat trajtuese.
Për shumë njerëz stina e vjeshtës, më tej edhe ditët e ftohta të dimrit sjellin në vëmendje skuqjen e mollëzave të faqes, tharjen e lëkurës, si dhe probleme të pafundme me lëkuren. Duke iu referuar kriterit stinë, cilat janë shqetësimet më të shpeshta që shfaqen në lëkurë gjatë kësaj kohe?
Lëkura është organi më i madhe i trupit tonë që përbën një urë lidhëse midis organizmit dhe mjedisit që na rrethon. Përveç shumë funksioneve të tjera të rëndësishme që lëkura ka, një vend të rëndësishëm zë funksioni mbrojtës dhe ai termorregullator. Gjatë ekspozimit në të ftohtë, stinë në të cilën ne po hyjmë tashmë, ndodh një ngushtim (vazokonstriksion) i arteriolave periferike, pra enëve të gjakut më të sipërfaqshme të lëkurës, duke bërë që fluksi i gjakut të shkojë në sistemin e thellë venoz, duke realizuar kështu mos emetimin (harxhimin) e nxehtësisë në ambientin e jashtëm. Ky proces shoqërohet me zbehjen e lëkurës dhe me marrjen e një nuance gri të saj. Më pas vjen një fazë e dytë ku ndodh një zgjerim kapilar i lëkurës. Ky është një mekanizëm kompensator që e mbron lëkurën nga cianoza, pra nga mungesa e furnizimit me oksigjen. Pikërisht në këtë moment ne vëmë re një skuqje të lëkurës ku më e dukshme është në nivelin e mollëzave të faqeve. Në rast se ekspozimi në të ftohtë vazhdon për një kohë shumë të gjatë, temperaturë e lëkurës vazhdon të bjerë në nivelin e temperaturës së ambientit duke sjelle pastaj dhe dëmtime të saj për të cilat do të flasim më poshtë.
Tharja e lëkurës
Ndër problemet më të zakonshme dhe më normale të një lëkure të ekspozuar në të ftohtë janë: tharja e lëkurës, kryesisht në fytyrë, pjesët e sipërme të duarve, fisurat (çarje gjatësore të lëkurës), Keiliti (çarje e buzëve), rozacea(skuqje) dhe kruajtje e lëkurës. Trajtimi i këtyre shqetësimeve është i thjeshtë. Përdoren sapunëra delikate jo acarues për larjen e lëkurës. Aplikimi i kremrave emoliente dhe në rastet kur lëkura është shumë e thatë mund të shtohet dhe përdorimi i kremrave që përmbajnë ure. Aplikimi i tyre është i këshillueshëm pas larjes së lëkurës kur ajo përmban akoma lagështi. Për çarjen e buzëve përdoren emoliente në formë buzëkuqi apo kremra emolientë që përmbajnë dhe lëndë aktive rigjeneruese.
Inflamacioni i lëkurës
Ndërkohë ka dhe forma të tjera të problemeve të lëkurës nga i ftohti, por që janë disi më pak të zakonshme psh: Pernionet, janë shfaqje e inflamacionit në lëkurë kur lëkura ekspozohet për kohë të gjatë në temperatura të ulëta. Preken kryesisht fëmijët dhe adoleshentët. Zonat e lëkurës më të prekura janë pjesët fundore të gishtave të këmbës dhe dorës, lëkura e hundës, veshët në pjesën e llapës. Klinikisht vihet re skuqje dhe edeme (ënjtje) e lëkurës që shoqërohet me një ndjesi djegieje. Me kalimin e kohës lëkura merr ngjyrë violet dhe fillon e krojtura dhe lëkura ulcerohet duke krijuar plagë. Individët që kanë predispozitë për fenomene të tilla duhet të mbrojnë pjesët e ekspozuara të lëkurës ndaj të ftohtit me kapele, shall, doreza. Të mos përdorin këpucë të ngushta dhe në format e ulceruara t’i drejtohen mjekut dermatolog. Akrocianoza është marrja e një nuance blu-vjollcë e pjesëve fundore të duarve dhe këmbëve në nivelin e kaviljeve e pashoqëruar me dhimbje. Pikërisht njerëzit që kanë akrocianozë janë më të predispozuar për të pernione, për të cilën folëm më sipër.
Zbehja e gishtave të dorës
Një tjetër ç’rregullim nga i ftohti është fenomeni “Raynaud”, që karakterizohet nga zbehja e gishtit të tretë dhe të katërt të dorës. Me pas lëkura merr ngjyrë violet dhe pas disa minutash ajo kthehet në ngjyrën normale. Ky fenomen është rrjedhojë e çrregullimeve vazomotore. Por ka raste kur ky fenomen ndodh për shkaqe të tjera të brendshme dhe në këtë rast lind nevoja e konsultimit me mjekun.
Çfarë janë infeksionet e lëkurës, ekzemat e lëkurës, myku i lëkurës, melanoma, apo komplikacionet e tjera alergjike që prekin lëkurën?
Këto që ju përmendet janë ndër sëmundjet më të shpeshta të lëkurës. Përgjithësisht sëmundjet infektive bakteriale dhe mykotike të lëkurës janë më të përhapura në stinën e verës ku vihet re një numër i madh individësh që preken prej tyre.
Melanoma
Melanoma është një ndër patologjitë më të rënda malinje të lëkurës e krahasueshme kjo dhe me sëmundjet e tjera malinje të organeve të tjera. Meqenëse periudha e ekspozimit në diell mbaroi është e këshillueshme që individët me një numër të madh nishanesh apo nishane me përmasa të mëdha, mbi 6 mm t’i drejtohen mjekut dermatolog për të kontrolluar gjendjen e këtyre nishaneve. Është pikërisht mjeku dermatolog i cili përcakton në bazë të disa kritereve gjendjen e këtyre nishaneve dhe riskun e tyre për t’u transformuar në melanoma.
Ekzemat
Kurse ekzemat janë disa gjendje inflamatore të lëkurës të cilat vijnë si rrjedhoje e shkaqeve të brendshme ose faktorëve të jashtëm. Përgjithësisht ekzemat janë kronike me periudha acarimi apo qetësimi. Ato karakterizohen nga skuqje e lëkurës, kruajtje, sekrecione serioze, kore dhe mbivendosje të infeksioneve. Në periudhën e verës shfaqjet e ekzemave janë më të pakta dhe përmirësohen, kurse në dimër ndodh përgjithësisht acarimi i tyre.
Alergjitë e lëkurës
Sëmundjet alergjike të lëkurës mund të vijnë për shkaqe të ndryshme. Një formë paraqitje e tyre është janë elementet urikariale që janë zona të skuqura e të ngritura mbi lëkurën normale që shoqërohen me të krojtura. Në periudhën e dimrit janë karakteristike urtikariet nga i ftohti që shfaqen në zonat e ekspozuara të lëkurës dhe vihet re skuqje, edeme dhe kruajtje e këtyre zonave.
Panikulitet
Tjetër komplikacion janë panikulitet nga i ftohti. Ato shfaqen disa orë ose javë pas qëndrimit në temperaturë të ulëta. Shfaqen disa formacione të forta në prekje (noduj) të lokalizuara nën lëkurë me ngjyrë të kuqe në vjollcë të cilat mund të jenë ose jo të dhimbshme. Përgjithësisht kalojnë spontanisht.
Cilët janë faktorët që nxisin shfaqjen e tyre, ose e thënë më ndryshe cilët janë shkaktarët që favorizojnë plakjen e shpejtë të lëkurës ?
Shkaqet e sëmundjeve të lëkurës janë të ndryshme. Ato mund të kenë një predispozitë gjenetike ose mund të lindin për arsye të ndryshme. Persa i përket plakjes së lëkurës, duhet thënë që është organi i cili vë më në procesin e përgjithshëm të plakjes së qenies njerëzore. Plakja e lëkurës programohet gjenetikisht duke çuar me kalimin e viteve në dëmtime të qelizave, fijeve të kolagjenit dhe elastines. Ndërkohë ka dhe një plakje të lëkurës si rrjedhojë e faktorëve ambientale sidomos nga rrezatimi ultraviolet, që i bashkëngjitet plakjes gjenetike. Po ashtu edhe duhanpirja është një faktor i rëndësishëm në plakjen e lëkurës.
Me çfarë shenjash klinike shoqërohen, si dhe cilat janë simptomat tipike që duhet të na orientojnë detyrimisht tek mjeku?
Paraqitja më tipike e plakjes së lëkurës janë rrudhat të cilat janë rrjedhoje e forcës së rëndesës në strukturat dermo-hipodermike të lëkurës të cilat e kanë humbur elasticitetin e tyre. Këto janë rrudha të thella. Kurse plakja e lëkurës si rrjedhoje e ekspozimit të tepruar në diell karakterizohet nga rrudha jo të thella dhe të holla. Procesi i plakjes së lëkurës është rrjedhojë e stresit oksidativ, i cili çon në çlirim të radikaleve të lira.
Jo vetëm faktorët e përmendur më lart por edhe proceset patologjike të lëkurës si rrjedhoje e sëmundjeve të ndryshme, shoqërohen me një proces inflamator i cili nga ana e tij shoqërohet nga stresi oksidativ që çon në plakje të lëkurës. Një sëmundje e tillë është për shembull “psoriasa” e cila është një sëmundje inflamatore kronike e lëkurës që shoqërohet me proceset e lartpërmendura duke luajtur dhe ajo rolin e saj në plakjen e lëkurës.
Përsa i perket shenjave klinike të sëmundjeve të lëkurës duhet thënë që ato ndryshojnë në varësi të patologjisë. Është e rëndësishme që përpara çdo problemi të lëkurës çdo individ të drejtohet tek mjeku dermatolog i cili bën diferencën midis sëmundjeve të lëkurës që në pamje të parë duken të ngjashme. Dermatologu me anë të vizitës klinike dhe kur është e nevojshme dhe me ekzaminime të tjera përcakton llojin e patologjisë së lëkurës.
Përballë këtyre komplikacioneve cilat janë kategoritë më të rriskuara. Po sa i takon kriterit moshë dhe gjini, si ndikojnë këto të fundit në shfaqjen e problemeve të lëkurës?
Sëmundjet e lëkurës mund të prekin çdo moshë. Megjithatë për çdo sëmundje ka një kategori moshe që preket më shpesh. Për shembull nëse do të përmendnim aknet e fytyrës më të prekur janë mosha e adoleshencës deri në 20-25 vjeç. Nga sëmundjet infektive preken më shumë fëmijët dhe mosha e tretë. Melanoma shfaqet më shumë pas dekadës së katërt apo pestë të jetës por vitet e fundit ajo po shfaqet dhe në mosha shumë të reja. Përgjithësisht nga sëmundjet e lëkurës preken të dy sekset njëlloj. Përsa i përket procesi të plakjes së lëkurës, ky është më i shpejtë dhe më i dukshëm tek femrat si rrjedhoje edhe ndryshimeve hormonale që ndodhin gjatë procesit të menopauzës.
Si ndikon stili i jetesës dhe mënyra e të ushqyerit në mbajtjen e një lëkurë të shëndetshme?
Stili dhe mënyra e të jetuarit patjetër që luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien e lëkurës sonë. Një individ që tregon kujdes në higjienën e lëkurës, nuk pi duhan, minimizon me aq sa mundet stresin jetësor, tregon kujdes në mënyrën e të ushqyerit me lëndë proteinike, vitaminoze dhe antioksidante, patjetër do të ketë një lëkurë të shëndetshme. Roli i antioksidantëve sot po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm. Produktet që përmbajnë vitamine C dhe E (janë antioksidantë të fuqishëm) eliminojnë stresin oksidativ që përmendëm me lart i cili luan rol në çlirimin e radikaleve të lira të cilit nxisin plakjen e lëkurës.
Nëse neglizhohet marrja e kujdesit të specializuar tek mjeku dermatolog, me çfarë ndërlikimesh mund të përballemi?
Lëkura është një organ i cili mund te preket nga shumë sëmundje, por nga ana tjetër lëkura është një pasqyrë e asaj që ndodh brenda organizmit tonë. Shpesh nga një problem në pamje të parë i vogël në lëkurë mund të zbulohen sëmundje vërtet të rënda. Prandaj meqenëse me jepet mundësia do të këshilloja të gjithë lexuesit që për çdo problem në lëkurën e tyre të vizitohen nga mjeku dermatolog dhe të fillojnë mjekime të indikuara vetëm nga ky i fundit. Nuk janë të pakta rastet që si rrjedhoje e një mjekimi të marre jo nga mjeku specialist sëmundjet e lëkurës janë komplikuar në forma të rënda klinike.

Faleminderit per sqarimet e dhena ne kete artikull. Do te doja nje sqarim ne lidhje me nje problem te lekures se duarve te djalit 25 vjec i cili cdo darke ka tharje te lekures dhe ndjen te nevojshme te lage me uje ato
pershendetje jam nje vajz 19 vjec prej 3 viteve ne stinen e dimrit kam fryerje te gishtave e shpesh here te shoqeruara me kruarje e dhimbje te lehta.dhe duart me rrin gjithmon te ftohta
Mami im ka probleme me majen e hundes e ka te fryr dhe te acaruar nga jasht ka dhimbje desha nje informacionnga ana juaj dhe nje numer kontakti