Dhimbjet e kokës janë ndër shqetësimet më të shpeshta që shoqërojnë përditshmërinë tonë, pavarësisht kriterit moshë. Intensiteti i tyre, si dhe shenjat karakteristike dalluese çojnë në identifikimin e llojit të dhimbjes së kokës. Bluzat e bardha vënë në dukje se shkaku kryesor i dhimbjes kronike të kokës, që zgjat në kohë dhe ripërsëritet ndaj ngacmuesve të ndryshëm (stimujve) është migrena. Sëmundja raportohet të jetë më e pranishme tek femrat. Për lexuesit e “Dita”, mjekja Ilda Xhelili, tregon shkaqet që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve migrenoze, simptomat që i shoqërojnë, si dhe këshillat se si duhet të menaxhojmë dhimbjet e migrenës duke ndjekur një stil më të shëndetshëm jetese. Mënyra më e mirë e parandalimit të dhimbjeve ka të bëjë me identifikimin fillimisht të faktorëve që ngacmojnë dhe çojnë në dhimbje të rënduara migrenoze. Më pas ndiqet dhe terapia e përcaktuar nga një mjek i specializuar.
Çfarë kuptojmë me migrenë?
Ndonëse në jetën e përditshme shumica e njerëzve për të përshkruar dhimbje koke të rënda përdorin termin “migrenë”, jo në çdo rast bëhet fjalë për këtë sëmundje. Në vërtetë një dhimbje koke migrene, vjen si rezultat i ndryshimeve të caktuara fiziologjike brenda trurit, gjë e cila më pas prodhon simptomat dhe dhimbjet karakteristike të migrenës. Zakonisht dhimbjet e kokës të tipit migrenoz lidhen me provokime shumë të thjeshta, si për shembull një aromë e caktuar, një ndezje e papritur drite, apo një lëvizje jo e zakonshme e qafës. Përveç kësaj, shumë pacientë përjetojnë të përziera ose të vjella. Dhimbjet migrenoze të kokës zakonisht përfshijnë njërën anë të kokës (dhimbje unilaterale), por në disa raste pacientët përjetojnë dhimbje në të dyja anët e kokës (dhimbje bilaterale). Ndërkohë që në disa raste të tjera pacientët që vuajnë nga migrena përjetojnë para fillimit të dhimbjes së kokës shenja të veçanta paralajmëruese, si një atmosferë tipike dhe që vazhdon pastaj gjatë si dhimbje rënduese. Në jo pak raste, dhimbja fillon në mënyrë dramatike, si një goditje e fortë dhe e menjëhershme e kokës. Megjithatë, jo të gjitha dhimbjet e rënda të kokës përfaqësojnë migrenën, si dhe nga ana tjetër migrena nuk është i vetmi kusht për të shkaktuar dhimbje të rënda të kokës.
Cilët janë faktorët predispozues të migrenës?
Janë identifikuar shumë faktorë si shkaktarë të dhimbjeve migrenoze. Në radhë të parë do të përmendja luhatjet normale hormonale, të cilat ndodhin me cikle të rregullta menstruale dhe që mund të predispozojnë një grup grash të përjetojnë dhimbje koke të tipit migrenoz. Po ashtu disa lloje të kontraceptivëve oralë (pilula kontraceptive që merren nga goja) mund të rrisin predispozitën për dhimbje migrenoze. Kjo është edhe arsyeja se pse preken më shpesh nga këto dhimbje femrat e moshave të reja dhe seksualisht aktive. Po ashtu, ekspozimi ndaj stimujve të fortë, të tillë si drita të forta verbuese, zëra apo tinguj të lartë, ndryshimet barometrike të presionit atmosferik, janë përshkruar si faktorë shpërthyes të dhimbjeve migrenoze. Por, duhet theksuar gjithashtu se jo çdo individ që vuan nga migrena do të përjetojë një dhimbje migrenoze të radhës kur ekspozohet ndaj faktorëve të tillë.
Po ushqimet mund të ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve migrenoze?
Ushqime të veçanta mund të jenë shkaktarë të migrenës, si për shembull lloje të ndryshme verërash, çokollatat, djathëra të ndryshëm, mishëra të tymosur, produktet e qumështit, alkooli , orët e tepërta apo të pakta të gjumit, etj.
Cilat janë shenjat klinike që e ndihmojnë pacientin të kuptojë se bëhet fjalë për migrenën dhe jo për ndonjë tjetë lloj dhimbje të kokës?

Shenjat më të zakonshme klinike të migrenës janë dhimbja e fortë e kokës, zakonisht në njërën anë (pra unilaterale) me intensitet nga të moderuar në të rëndë, të përziera ose të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve (fotofobia dhe fonofobia), dhimbje sysh. Dhimbjet e kokës mund të kenë edhe karakter pulsues, të cilat rëndohen edhe nga aktiviteti fizik. Një dhimbje koke migrenoze zakonisht zgjat nga disa orë, deri në disa ditë. Në disa raste dhimbjet përfshijnë të dyja anët e kokës. Rreth një e treta e pacientëve përjetojnë shenja paralajmëruese siç janë përshëmbull të përzierat (nauzetë) ose të vjellat, dhimbjet e thella rënduese të syve, ndjenja e mpirjes së kokës në një anë kur ndizet një dritë e fortë papritur, kur fillojmë menjëherë një vrap të shpejtë (për shembull për të arritur autobusin), ose kur ngjisim shkallët. Në rastet e dhimbjeve migrenoze të kokës ekzaminimet e pacientit dalin normale (analizat e gjakut, skaneri dhe ezheja e kokës). Padyshim që diagnoza e migrenës i takon mjekut specialist neurolog, pasi edhe diagnoza diferenciale e dhimbjeve të kokës është mjaft e rëndësishme, në disa raste jetike. Padyshim që sot ka trajtime të shumta medikamentoze që menaxhojnë mjaft mirë dhimbjet migrenoze të kokës. Por, sikundër kemi thkesuar edhe për sëmundjet e tjera nuk duhet të teprohet me përdorimin e tyre pa kriter. Në çdo rast duhet marrë më parë mendimi i mjekut specialist, e vetëm më pas të nisë terapia e trajtimit sipas recetës së përshkruar.
Si vendoset diagnoza?
Identifikimi individual i faktorëve që çojnë në shpërthimin e dhimbjeve migrenoze për çdo individ mund të jetë mjaft i dobishëm për parandalimin e tyre. Shkaku specifik se pse shkaktohet migrena nuk dihet ende, por, mendohet se ndodhin ndryshime specifike të substancave kimike (neurotransmetuese) që përcjellin mesazhet në qelizat e trurit. Pikërisht këto ndryshime mund të predispozojnë disa njerëz për të përjetuar dhimbje koke të tipit migrenoz. Rreth 25 për qind e njerëzve kanë provuar të paktën një herë në jetën e tyre dhimbje të kësaj natyre. Pas periudhës së adoleshencës femrat preken rreth tre herë më shumë se meshkujt nga këto lloje dhimbjesh të kokës. Migrena duket se nuk ka predispozitë gjenetike apo familjare.
Çfarë rekomandohet për stilin e jetesë për këta pacientë?
Vetë pacientët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e shpeshtësisë dhe të ashpërsisë së krizave migrenoze. Rekomandohet që këta pacientë të mbajnë shënime të rregullta për episodet migrenoze që përjetojnë, për faktorët që kanë shpërthyer dhimbjen, duke bërë të mundur evitimin e mëvonshëm të tyre. Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e modeleve që paraprijnë migrenën, si edhe në identifikimin e faktorëve që kontribuojnë në zhvillimin e dhimbjeve të kokës. Po ashtu pacientëve u rekomandohet një regjim i rregullt ushqimor dhe në mënyrë të veçantë i gjumit. Shmangni disa ushqime që mund të provokojnë dhimbje koke (alkooli, çokollatat, produktet e qumështit, kikirikët). Kujdes duhet treguar edhe me hidrimin e trupit (marrja e sasive të duhura të lëngjeve) pasi dehidrimi renditet ndër shkaqet që favorizon migrenën. Gjithashtu këshillohet kryerja e ushtrimeve fizike që çojnë në relaksimin e muskujve, sidomos të muskujve të qafës. Mjaft pozitive rezultojnë edhe teknikat e meditimit, jogat. Shumë gra gjatë shtatzanisë përjetojnë një stabilitet të migrenës për shkak të niveleve më të qëndrueshme të hormoneve që ndodhin gjatë shtatzanisë. Edhe pse studimet e akupunturës nuk janë përfundimtare, shumë pacientë përgjigjen mjaft mirë ndaj saj. Kjo është një terapi e vjetër kineze që bazohet në shpime me age shumë të holla në zona të caktuara që nxisin relaksimin muskular. Me rritjen e moshës, zakonisht pas moshës 50 vjeç, intensiteti i dhimbjeve migrenoze bie dhe përgjithësisht shkon drejt zhdukjes.

Kam dhimje ne njeren an te kokes qe tri jav kam pas para 4 vitev njejten dhimje por me ka kalu vet me skam pas Problem tash mu ka perserit apet qa te bej doktorr