Si të merrni testin e korrigjuar të letërsisë dhe gjuhës së huaj

Pranvera Kola

 

Maturantët e pakënaqur me notat e marra në provimin e detyruar të gjuhës se huaj, si dhe atë të gjuhës shqipe e letërsisë, kanë dy ditë kohë në dispozicion për të kërkuar tërheqjen e kopjes së testit të korrigjuar.

Referuar afateve të përcaktuara, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) bën me dije se të gjithë maturantët që duan një kopje të korrigjuar të dy testeve të përmendura, duhet që përgjatë këtyre dy ditëve të paraqiten në shkollat e tyre për të dorëzuar kërkesat për kopjet e testeve të korrigjuara, për të cilat duhet të paguajnë edhe një tarifë të caktuar.

Afatet e tërheqjes së testeve të korrigjuara
“Në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2018, çdo nxënës maturant dhe kandidat i viteve të shkuara që kërkon fotokopjen e testeve të maturës për provimet D1 (gjuha shqipe dhe letërsia), si dhe D3 (gjuha e huaj), duhet të paraqesë kërkesën në shkollë brenda datës 27 qershor”, bëjnë me dije burimet zyrtare të QSHA-së.

Pas përfundimit të këtij afati, drejtoritë arsimore të çdo rrethi duhet të mbledhin nga shkollat që mbulojnë të gjitha kërkesat e bëra nga maturantët, të cilat më pas duhen dorëzuar në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit, ku bëhet edhe administrimi i testeve të korrigjuara. Po ashtu, edhe drejtoritë arsimore duhet që të dorëzojnë të gjitha kërkesat për fotokopje të testeve në QSHA brenda datës 28 qershor.

Do të jetë pikërisht ky institucion që do të japë për nxënësit kopjet e testeve të kërkuara. Pavarësisht marrjes së fotokopjes së testit, nuk do të ketë proces rivlerësimi. Çka do të thotë se ju mund të shihni vlerësimin, por jo të ndryshoni notën.

Sipas ekspertëve të QSHA-së, për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm është vendosur në rregullore se çdo përgjigje e testit t’i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, çka do të thotë se është korrigjuar nga dy mësues të përzgjedhur si të pavarur nga njëri-tjetri.

Rakordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve të pavarur, është bërë në fund të çdo dite edhe nga një vlerësues i tretë, çka do të thotë se vlerësimi kalon nëpër një filtër të trefishtë. Kjo bëhet me qëllim për të shmangur çdo lloj gabimi të mundshëm “njerëzor”, ndaj dhe është vendosur që të mos ketë proces rivlerësimi.

Aktualisht po vijon procesi i korrigjimit të provimeve të matematikës, të cilat janë drejt fundit, ndërsa vijon me ritme më të përshpejtuara edhe procesi i korrigjimeve për testimet me zgjedhje të zhvilluara pak ditë më parë. Me shpalljen e rezultateve edhe për këto dy provime, do të përcaktohen edhe afatet e tërheqjes së kopjeve të korrigjuara për testet e matematikës dhe provimeve me zgjedhje.

Gara për studimet e larta
Përgjatë muajit korrik do të nisë zyrtarisht edhe gara për vijimin e studimeve të larta në një nga fakultetet publike, apo private të vendit në varësi të kushteve të përcaktuara.

Sipas udhëzimit të shpallur më herët nga dikasteri i arsimit lidhur me aplikimin për studimet e larta, saktësohet se në garë për të fituar studimet e larta në një nga degët e preferuara kanë të drejtë të shkojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kalojnë me sukses të pesë provimet e Maturës Shtetërore 2018, dhe që kanë notë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6 e lart, duke përjashtuar këtu degët e mësuesisë, për të cilat në konkurrim kërkohet mesatare nga nota 7 e lart.

Këtyre dy kushteve të hyrjes në garë, më pas u shtohen edhe kriteret e veçanta të pranimit që do të realizojë secili universitet, të cilat tashmë janë bërë publike për çdo maturant. Maturantët edhe për këtë vit do të garojnë me 10 preferenca, teksa është bërë e ditur se shpallja e fituesve do të zhvillohet nëpërmjet tre raundeve. Kjo me qëllim për t’u dhënë një mundësi aplikimi për studimet e larta edhe maturantëve që do t’i nënshtrohen maturës së vjeshtës./ DITA 

 

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *