Ka nga ata të burgosur që me një kokërr rruaze bëjnë art. Art, që më pas i shërben për të mbajtur familjen, qoftë edhe nëpërmjet hekurave të burgut. Sot jemi futur në institucionin e vuajtjes së dënimit për të parë nga afër një pjesë të jetës për shumë të burgosur. Nëpërmjet pedagogut të gazetarisë, Zylyftar Bregu, kemi kuptuar më shumë se çfarë ndodh me burgjet në të gjithë Shqipërinë. Ai e njeh nga afër këtë terren, për shkak të profesionit si fillim, e më pas për shkak të angazhimeve të tjera që e afruan më shumë me burgjet. Sot, Bregu, na ka treguar për pasionet e tjera të personave që vuajnë dënimin pas hekurave. Ka nga ata që e kanë “zbuluar” vetën teksa u gjendën të mbyllur, ka edhe të tjerë që e kishin një dell, dhe duke i bashkuar këtu kohën lirë, rezultati u bë i dukshëm. Profesori, duke i parë prurjet e të burgosurve, bëri një hap konkret në ndihmë të tyre. Nëpërmjet një projekti, ai u siguron atyre lënën e parë, dhe prodhimet që dalin më pas, shitën. Kështu, mundi i tyre nuk shkon dëm. Në këtë intervistë për “Ditën”, Zylyftar Bregu, shpjegon detajet.
Një pedagog gazetarie në burg? Pse, cila është lidhja juaj me burgun?

Fillimisht ka qenë gazetaria ajo që më ka lidhur me burgun. Kam qenë gazetar që kam shkruar për kronikën e zezë, për krimin. Për herë të parë kam hyrë në spitalin e burgut, 16 vjet më parë. Më pas, kam hyrë si vëzhgues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në vitin 2004 deri në vitin 2009. Përvojë shumë e dobishme që lidhet me ndryshime shumë të mëdha ligjore, dhe infrastrukturore të burgjeve në Shqipëri. Në vitin 2009, ndërsa diskutonim për zgjerimin dhe thellimin e studimeve mbi median dhe komunikimin në shkollën doktorale që u hap për herë të parë atë vit, përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë, Prof. Artan Fuga, duke vlerësuar këtë përvojë timen, më besoi studimin e audiencave të mbyllura (njëri prej të cilëve, në mos më përfaqësuesi, është edhe burgu).
Pse vendosët të merreni pikërisht me këtë gjë, pra me punime dore të bëra nga të burgosurit?
Gjatë vizitave të mia të shumta kam takuar qindra të burgosur. Një pjesë prej tyre i kishte mposhtur burgu, një pjesë e përballonin izolimin me indiferencë dhe disa syresh kërkonin ta sfidonin izolimin duke aktivizuar ose kultivuar aftësinë për të bërë art dhe punë në kushtet e burgut. Bënin punime të ndryshme artizanale. Punime të dobishme dhe funksionale, ose edhe thjesht krijime. Ky ka qenë qëllimi i projektit, të vlerësoja këtë angazhim, këtë aftësi të këtyre të dënuarve. Fillimisht kam furnizuar me lëndë të parë falas një numër të dënuarish, kryesisht ata më të varfërit, ose kontigjentin e të dënuarve të braktisur nga familja. Më pas, u pa që punimet artizanale të kryera, nuk kishin mundësi të mbërrinin në treg. Projekti aktual merr përsipër tregëtimin e këtyre punëve dhe depozitimin e të ardhurave në llogarinë e atij që e ka kryer këtë punim.
Ju jeni një person që i njihni burgjet nga afër, për faktin se u ka lidhur puna me to, cila është gjendja e tyre në përgjithësi?
Burgjet do t’i ndaja në dy kategori! Në kategorinë e parë janë burgjet, godinat e të cilëve është e trashëguar nga sistemi komunist. Për shembull burgu i Bënçës në Tepelenë, Burgu i Burrelit, apo edhe Burgu 313, e ndonjë tjetër. Në këto institucione situata është pak e vështirë. Edhe nëse ekziston dëshira është e pamundur që të kemi një trajtim me standarde të të dënuarve. Në kategorinë tjetër janë burgjet e ndërtuara gjatë këtyre viteve që kanë një infrastrukturë të përshtatshme. Megjithatë, edhe në këto burgje nuk mungojnë problemet. Sipas meje, situata në burgje është përmirësuar. Pavarsisht përmirësimit, ne ende bëjmë vetëm ndëshkim dhe jo rehabilitim të të dënuarve. Kjo është sfida aktuale.
Po gjendja e vetë të burgosurve si individ, a ka nga ata që ankohen se vuajnë një dënim gabimisht apo që kanë marrë një faj për hatër të dikujt tjetër?
Përgjigje e vështirë dhe nuk jam personi kompetent për këtë aspekt. Por fjalia që mbizotëron në burgje (madje jo vetëm në këto shqiptare) është: Jemi të pafajshëm! Na kanë dënuar kot!
Profesor, një pjesë e mirë e të burgosurve mundohen ta kalojnë kohën në institucionin e vuajtjes së dënimit në mënyrë të dobishme. Mund të na tregoni, me se merren ata pas hekurave të burgut?
Nga ora 9 deri në orën 13:30 kanë ndonjë aktivitet social apo edukativ. Matanë këtij orari nuk do hezitoja të thoja ‘asgjë’, vuajnë regjimin e qelisë. Mos harroni se në burgje sot mosha mesatare e të dënuarve është vetëm 25 vjeç. Mosha më energjike dhe më aktive e njëriut për punë. Legjislacioni u njeh atyre të drejtën për të punuar, por nuk u garanton asnjë mundësi, me përjashtim të një kategorie shumë të pakët që janë të punësuar në pjesën ndihmëse (prapavijë) të burgut, si pastures, ndihmëskuzhinierë etj.
Ka nga ata që e kanë zbuluar dhuntinë dhe talentin e tyre pikërisht në burgje?
Po, ka. Madje edhe ata që e kanë pasur atë dhunti kur kanë qenë në liri, me kanë treguar që intensiteti i jetës nuk u linte mundësinë që ta ushtronin. Në burg, koha është me shumicë, kështu që ata i janë rikthyer dhuntisë së tyre.
Çfarë po bëhet aktualisht me këto vepra arti apo punët e dorës që ata prodhojnë, ku shkojnë ato dhe ku mund t’i gjejnë njerëzit?
Këto punime dore janë ekspozuar në një dyqan në mjediset e qendrës tregëtare City Park! Kjo qendër ka dhuruar mjediset për gjashtë muaj, aq sa zgjat edhe projekti pilot, për të parë më pas se si do të jetë vazhdimësia. Qytetarët aty mund t’i blejnë këto punime, madje me emrat përkatës të të dënuarve.
Çfarë punojnë më shumë?
Ka nga më të ndryshmet! Piktura, qendisma të grave, bizhuteri të bërë me rruaza, anije, shqiponja etj. Një listë e gjatë me punime.
Sa e rëndësishme është për një të burgosur që nga këto punime të nxjerr edhe të ardhura?
Është shumë e rëndësishme! Por, pa mbërritur tek pjesa ekonomike, studimet tregojnë se angazhimi ndihmon në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre. Këtë e kam konstatuar edhe unë gjatë studimit! Sepse të dënuarit kryenin punimet e tyre artizanale pa u shqetësuar nëse shiteshin ose jo! Madje një pjesë të këtyre punimeve ata i falnin! Por, edhe pjesa ekonomike është e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë ata përballojnë kostot anësore të burgut dhe çlirojnë familjen e tyre nga kjo barrë.
Ata e pranuan lehtë propozimin tuaj që veprat e tyre të shiteshin?
Ka qenë kërkesa dhe shqetësimi i tyre që më nxiti të ndërmerrja këtë nisme! Është një projekt tërësisht në funksion dhe në shërbim të tyre. Të dënuarit i vendosin vetë çmimet dhe me atë çmim dalin në treg.
A ka ndonjë të burgosur i cili është shumë pasionant dhe që gjithmonë ka bërë diçka të re nga duart e tij?
Pyetjes suaj po i përgjigjem në mënyrë të tërthortë! Tre të dënuar (mundet të ketë edhe më shumë, por kaq njoh unë për momentin) arrijnë të garantojnë mbijetesën ekonomike të familjeve të tyre!
Cili është vepra apo objekti më i çuditshëm që ka dalë deri më tani nga burgjet?
Maketi i një vile tre katshe vendosur në një tavolinë e gjitha e bërë me dorë. E vlerësoj si të çuditshme, se përkushtimi më shumë se një muajor i të dënuarit nuk shkon paralelisht me dobinë e veprës dhe me çmimin e saj.
Cili është objekti më i shtrenjtë dhe a mendoni ta zgjeroni këtë si projekt dhe të nxisni akoma më tepër të burgosurit të punojnë?
Objektet më të shtrenjta janë pikturat (aktualisht në burgjet shqiptare janë dy piktorë profesionistë) si dhe anijet e drurit. Por, ka dhe punë të vecanta, për shembull shqiponja, kulla Eifel, etj.
Puna është terapi psikologjike, të jesh i dobishëm edhe në burg

Rigona Perluca, me profesion punonjëse sociale, pohon se gratë e vuajnë më shumë dënimin, kjo si nga fakti qe janë më të ndjeshme emocionalisht sesa burrat, por edhe nga opinioni publik, nga pritshmëritë që shoqëria ka për gruan! Megjithatë, të merresh me punë në burg, është terapia më e mirë psikologjike. Në këtë bisedë me “Ditën”, Rigona, si një njohëse nga afër e punës dhe e aktiviteti të kontingjentit që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, na tregon se sa e dobishme është puna në rrethanat kur të mungon liria.
Rigona, çfarë ndryshimi ka një i burgosur që e kalon kohën duke punuar, dhe një tjetër që është pasiv në këtë drejtim?
Fillimisht, unë doja të përgëzoja të dënuarit, që kanë vullnetin dhe dëshirën e mirë për të punuar, që zgjedhin mënyrën më të mirë të mundshme për të shfrytëzuar kohën aty brenda, sepse një institucion i mbyllur siç është burgu, pavarësisht se krijon kohë të mjaftueshme fizike, është mjaft rëndues për anën psikologjike! Të dënuarit që kanë zgjedhur të punojnë, në krahasim me të tjerët, duken më aktive dhe më të socializuar! Nëpërmjet punës, qoftë ajo në grup apo individualisht, ata kanë zgjedhur një formë ndryshe komunikimi, si me veten ashtu edhe me të tjerët, një formë që i ka orientuar drejt një vetëvlerësimi më të lartë dhe këndvështrimi më optimist. Puna është dhe një terapi psikologjike.
Sa e rëndësishme është për këtë kategori njerëzish që të punojnë, të merren me diçka dhe në finale të kenë një punë të përfunduar në dorë?
Njëtrajtshmëria e ditëve, të qenit larg familjareve apo të afërmeve, shkaku se përse janë aty dhe lloji i ambientit, krijon monotoni, dëshpërim dhe probabilitet të madh për luhatje të theksuara emocionale dhe depresion! Dhe të aktivizuarit në diçka, i jep ditës tjetër kuptim. Puna është një mënyrë e efektshme për t’i “shpëtuar” monotonisë e pse jo dhe dëshpërimit ! Është shumë e rëndësishme që ata të përpiqen për shëndetin psikologjik dhe emocional të tyre. Përveç kësaj, nëpërmjet punës ata kanë edhe përfitime ekonomike, sepse arrijnë të përballojnë vetë një pjesë të shpenzimeve brenda burgut, por edhe kontribuojnë tek familjarët duke u bërë të dobishëm, sidomos në rastin kur të dënuarit janë kryefamiljare dhe nuk duan ta shohin veten larg përgjegjësive! Angazhimi u jep gjithashtu mundësinë të ushtrojnë ose kultivojnë një talent apo zanat që ata mund të kenë, por edhe nëse nuk kanë, patjetër që mësojnë të bëjnë diçka! Dhe në finale, të pasurit një punë të përfunduar në dorë, është mjaft motivuese për ta, sepse ata ja dolën, u bindën që munden dhe përpjekjet e tyre u konkretizuan, madje u krijua dhe tregu që vlerëson punën e tyre dhe sjell rezultatet!
Kush e vuan më shumë një dënim, grat apo burrat?
Heqja e lirisë, qoftë për gratë apo për burrat është dënim mjaft i rëndë për jetën e tyre! Secila palë ndjen shqetësimet e veta emocionale që nga dëshpërimi i heqjes së lirisë e deri tek reduktimi i marrëdhënieve me njerëzit jashtë! Për shembull në rastin e një burri, fillojnë të shmangen privilegjet dhe përgjegjësitë e të qënit një baba i pranishëm dhe i përkushtuar, një bashkëshort, një vëlla, një shok! Dhe në rastin e grave, nuk mund të jesh më një nënë, një bashkëshorte e kujdesshme dhe e përkushtuar si më parë, një motër apo mikeshë që vazhdimisht jep dhe merr nga marrëdhënia! Por sigurisht, duke u nisur edhe nga natyrat e ndryshme të dy gjinive, rezulton që gratë e vuajnë më shumë dënimin, kjo si nga fakti qe janë më të ndjeshme emocionalisht sesa burrat, por edhe nga opinioni publik, nga pritshmëritë që shoqëria ka për gruan! Një grua ose vajze që ka shkelur ligjin gjykohet më ashpër në krahasim më një burrë.
Kulla Eifel dhe… maketi i një vile tre katëshe
Në burgje mund të gjesh që nga kulla Eifel, shqiponjat, veshje me punime dorë por edhe piktura të mirëfillta. Por ajo çka habit është fakti se aty gjen edhe maketin e një vile tre katshe vendosur në një tavolinë e gjitha e bërë me dorë.
