Problemet financiare janë dy llojesh: mungesë financiare dhe bollëk financiar por që duhet legalizuar. Rasti i dytë përbën një problem të madh, por që në vendin tonë mund të zgjidhet lehtësisht me anë të ligjit të ri të arsimit të lartë që pritet të miratohet këtë muaj në kuvendin e Shqipërisë. Pikat 1 dhe 2 të nenit 119 të projektligjit parashikojnë kontrollin prej themeluesit të universiteteve të ngritura prej fondacioneve:
Bordi i Administrimit në IALPP përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, për një mandat 4- (katër) vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.
Themeluesi i institucionit përfaqësohet në këtë organ me 6 (gjashtë) anëtarë…
Kjo lejon që dikush që ka probleme me paratë e thata të bëjë dy veprime: të themelojë një fondacion prej të cilit të financohet universiteti dhe njëkohësisht të themelojë një shoqëri tregtare që mbulon të gjitha shërbimet universitare, kuptohet përveç personelit akademik. Në këtë mënyrë, paratë e thata të hedhura në fondacion qarkullojnë më anë të universitetit dhe vijnë në dorën e shoqërisë tregtare e cila i shërben universitetit. Prej këtej paratë janë legjitime dhe problemi është zgjidhur.
Për sa më lart mund të bëhen disa komente: Së pari, nuk është synimi i qeverisë, që ka propozuar projektligjin, për të krijuar industrinë e pastrimit të parasë në Shqipëri. Ai është një gabim ortografik në projektligj, prandaj shpresoj se me të gjitha gjasat Kuvendi i Shqipërisë do të ulë numrin nga 6 (gjashtë) në 0 (zero) të anëtarëve të bordit që përfaqsojnë themeluesin. Në të njëjtën kohë do t’i pritet dita e punës e asaj vajzës që ka shkruar gabimisht numrin 6 (gjashtë) në nen!
Në qoftë se qëllimi ka qenë që universitetet private të kthehen në OJQ, mendoj se ky projektligj thjesht sanksionon fitimin me anë të shoqërive tregtare që i shërbejnë universitetit. Meqë ligji parashikon financimin prej shtetit të universiteteve fondacione, rrjedh se taksapaguesit shqiptarë do të kontribuojnë në rritjen e pasurisë private të themeluesit të universitetit. Për më tepër, meqë skema mund të përdoret lehtësisht për pastrim parash, atëhere publiku shqiptar me anë të taksave do të jetë kontributor në këtë skemë. E parë pozitivisht, Shqipëria do të ketë rritje arsimore dhe ekonomike prej faktit se shumë subjekte, shqiptare ose të huaja, do të turren për të dhënë diploma në Shqipëri. Prej këtej do të pasojë edhe hapja e vendeve të reja të punës në shoqëritë tregtare që i shërbejnë universiteteve, prej nga Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike për të paguar borxhet që po i merr me shpejtësi që e ka zili edhe Greqia! Më në fund, arsimi shqiptar do të jetë një fanar ndriçues në Evropë! Uroj që terrorizmi ndërkombëtar mos ta kuptojë këtë hile të Shqipërisë sepse pastaj vijnë e na hapin universitete e pastaj nuk na pranojnë në Evropë dhe bëhet qameti e rrëzohemi nga pushteti!

Nje qeveri e perbere per me se shumti nga perfaqesues OJQ-she nuk ka se si te dale nga kjo menyre te konceptuari gjithcka rreth fondeve dhe mashtrimeve me to. Eshte e vetmja eksperience pune qe kane dhe po e vene ne jete.