Si të rikthejmë gjumin pa ndihmën e ilaçeve

anazapta

Përdorimi i pilulave apo qetësuesve që rikthejnë gjumin po shndërrohet në një problem më vete për bluzat e bardha. Sipas tyre, gjatë viteve të fundit po shtohet numri i personave që varen nga “qetësuesit”, për të siguruar disa orë gjumë. Madje, ky fenomen shqetësues po prek edhe të rinjtë, ndërkohë që marrja e këtyre qetësuese bëhet në kushtet e mungesës së plotë të një konsulte me mjekun specialist. Mjekja Ilda Xhelili tregon se tendenca e marrjes së qetësuesve pa rekomandim, është ndër veprimet e gabuara që ne bëjmë për të rikthyer gjumin, duke na vënë kështu përballë rreziqeve të shumta shëndetësore. Me pagjumësi kuptojmë atë çrregullim që karakterizohet nga paaftësia për të fjetur, apo për të qëndruar në gjumë aq sa duhet. Pagjumësia apo edhe çrregullimet gjatë kohës së gjumit kanë të bëjnë edhe me situata të ndryshme mjekësore apo edhe me çrregullime psikiatrike që karakterizohen nga vështirësia për të rënë në gjumë, si edhe nga cilësia e dobët e gjumit. Pagjumësia mund të ndodhë në çdo moshë, por më e zakonshme është tek të moshuarit”, sqaron mjekja Xhelili.

 

Cilat janë problemet që shfaqen në organizëm nëse vuajmë nga pagjumësia?

Pagjumësia mund të jetë afatshkurtër (kur zgjat deri në tre javë) ose afatgjatë (mbi tre-katër javë), e cila mund të çojë në probleme të kujtesës, depresion, nervozizëm, si edhe rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës, apo edhe rritje të rrezikut për aksidente automobilistike, si rezultat i mungesës së vëmendjes dhe përqendrimit. Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia shpesh marrin pilula gjumi pa u këshilluar më parë me mjekun, gjë e cila mund të çojë në varësi, ndaj këtyre substancave, veçanërisht në rastet kur ato përdoren për një periudhë të gjatë kohore. Pagjumësia quhet primare kur ajo nuk i atribuohet asnjë shkaku shëndetësor, psikiatrik apo mjedisor (për shembull zhurmat nga jashtë, zilet).

 

Duke iu referuar studimeve të kryera, si ndikon mungesa e gjumit në nivelin e vdekshmërisë?

Gjumi është një faktor mjaft i rëndësishëm për funksionimin normal të gjithë organizmit. Personat që bëjnë më pak se gjashtë orë gjumë në ditë e kanë më të lartë shkallën e vdekshmërisë. Studimet e fundit amerikane referojnë se ka një rritje me 15 për qind të vdekshmërisë për gratë që flenë më pak se 3.5 orë dhe burrat që flenë më pak se 4.5 orë. Po ashtu, kanë rritje të vdekshmërisë ata që përdorin pilula gjumi për periudha të gjata kohore pa këshillimin e mjekut. Vdekshmëria më e ulët është parë në individë që flenë midis 6.5 dhe 7.5 orë në natë. Edhe duke fjetur rreth 4.5-5 orë në natë, rritja e vdekshmërisë është mjaft e ulët. Fenomeni i pagjumësisë është më i shpeshtë tek gratë se sa tek burrat. Moshat më të ndjeshme ndaj këtij fenomeni janë midis 55 dhe 85 vjeç. Rreth 30 për qind e të rriturve raportojnë fenomene të pagjumësisë qofshin këto edhe për periudha të shkurtra kohore.

 

Por, cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të pagjumësisë ?

Së pari janë drogat psikoaktive (stimuluese) duke përfshirë medikamente të caktuara, çajra të ndryshëm, kafeinë (kafe, çokollata), kokainë, nikotinë (duhani), marrja e tepruar e alkoolit, çrregullimet periodike të lëvizjes së gjymtyrëve, të cilat ndodhin gjatë gjumit dhe shkaktojnë zgjimin. Çrregullime mund të shkaktojnë edhe pozicione të parehatshme apo edhe kushte të parehatshme (si për shembull një dyshek jo i mirë, dritat ndezur, etj), gratë para menstruacioneve (për shkak të hormoneve që paraprijnë menstruacionet), para dhe gjatë menopauzës, ngjarje të tilla në jetë si frika, stresi, ankthi, tensionet emocionale ose mendore, probleme të punës, stresi financiar, lindja e një fëmije (shtatzania dhe lehonia për gratë, meraku dhe kujdesi për baballarët e rinj). Janë edhe mjaft patologji shëndetësore që shoqërohen me çrregullime të gjumit si për shembull problemet gastro-intenstinale (ndjesia e djegies në stomak, urthi, kapsllëku ose diarreja), depresionet e ndryshme, stresi post-traumatik, sëmundjet malinje (kanceri), artriti rheumatoid, hipertireoza (aktiviteti i shtuar i tiroides), faktorë të jashtëm (zhurmat e ndryshme, etj).

 

Ç’farë rekomandohet për trajtimin e pagjumësisë ?

Përpara se të vendoset për trajtimin e pagjumësisë, është e rëndësishme që të identifikohen shkaqet mjekësore dhe psikologjike, të cilët mund të jenë shkaktarët e vërtetë të kësaj situate. Trajtimet medikamentoze rekomandohen përgjithësisht për zvogëlimin e simptomave të pagjumësisë akute, ndërsa roli i tyre në menaxhimin e pagjumësisë kronike mbetet jo shumë i qartë. Përgjithësisht pilulat e gjumit nuk rekomandohen për përdorim afatgjatë. Është e rëndësishme të identifikohen problemet shëndetësore që kontribuojnë në pagjumësi të tilla si depresioni, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, si edhe dhimbjet kronike. Për sa i përket trajtimeve jofarmakologjike vlen të përmendet hipnoza, e cila mund të ketë efekte të gjata e të qëndrueshme. Edhe mjekimi hipnotik rekomandohet vetëm për trajtime afatshkurtra sepse edhe në këtë rast mund të zhvillohet varësia ndaj saj. Po ashtu ka të dhëna se edhe meditimi luan një rol shume pozitiv. Strategjitë jofarmakologjke përfshijnë gjithashtu vëmendje për higjienën e gjumit, kontrollin e stimujve negativë, edukimi i pacientit me një stil të shëndetshëm jetese dhe relaksimi. Bashkangjitur shkrimit po ju përmendim disa këshilla të thjeshta se si mund të ndihmoni në rikthimin e gjumit, duke ndihmuar kështu organizmin që të jetë i shëndetshëm dhe të përballojë më lehtë të gjitha problemet apo vështirësitë që shfaqen në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

  • Rekomandohet të shkoni në të njëjtën orë në shtrat për të krijuar oraret e reflekseve të rregullta të gjumit.
  • Nëse ju del gjumi natën mos u ngrini ose mos hapni televizorin, mos shikoni orën se sa është, por qëndroni në shtrat dhe përpiquni të flini (mund të numëroni ose të kryeni veprime matematike me mend derisa t’ju mundë gjumi).
  • Mos u shtrini për pushimin e drekës pas orës 15:00, dhe jo më shumë se tridhjetë minuta, maksimumi një orë.
  • Asnjëherë mos flini me barkun plot, hani darkë të paktën dy orë para se të shtriheni. Edhe shëtitjet para gjumit janë dobisjellëse. Një ushqyerje e shëndetshme është gjithmonë pozitive.
  • Marrja me aktivitete sportive ndihmon shumë në një gjumë të rehatshëm. Mjaft pozitive janë kur bëhen afër kohës së gjumit.
  • Bëni kujdes që të keni një dyshek dhe krevat të rehatshëm për trupin tuaj, hiqni nga dhoma sende që bëjnë zhurmë si për shembull tik-taku i orës, mbani grilat ulur për të minimizuar zhurmat nga jashtë.
  • Mos pini shumë kafe gjatë ditës dhe sidomos jo pas orës 16.00, si dhe mos abuzoni me alkoolin e konsumin e duhanit.
  • Kryesore janë këshillimet me mjekun tuaj, por edhe me psikologun. E theksoj edhe një herë, mos blini kurrë pilula gjumi në farmaci pa këshillimin e mjekut.

 

Share This Article
3 Comments
  • Pershendetje kam problem me gjumin nuk me merr gjumi deri 2-3 mengjesit dhe tash po perdori kokrra per gjum ama po I pi veq gjys kokrre a mundem me dit Se sa or zgjat gjumi kur pin gjys kokrre per gjum dhe a munet me pas naj efekt ansor ose naj efekt shendetsor jom 58 vjeq nese e Lexoni kit Mesazh me shkruani ne email per pergjigjje ki faliminderit Naten e mir!

  • Pershendetje kam problem me gjumin nuk me merr gjumi deri 2-3 mengjesit dhe tash po perdori kokrra per gjum ama po I pi veq gjys kokrre a mundem me dit Se sa or zgjat gjumi kur pin gjys kokrre per gjum dhe a munet me pas naj efekt ansor ose naj efekt shendetsor jom 58 vjeq nese e Lexoni kit Mesazh me shkruani ne email per pergjigjje ju faliminderit Naten e mir!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *