Si të ulni rrezikun për atak kardiak dhe goditje në tru!

Ornela

Pranvera Kola

Diagnostikimi dhe trajtimi në kohë i sëmundjeve të zemrës mbetet një ndër problematikat më të mëdha të shëndetit publik edhe në vendin tonë. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të sëmundshmërisë, por edhe të faktit se sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve që ndodhin, duke i bërë që të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të strukturave të shëndetit, 4 në 5 vdekje të shkaktuara nga sëmundjet kardiovaskulare janë si pasojë e goditjeve në zemër dhe goditjeve në tru. Përballë kësaj situate shqetësuese, në prag edhe të “Ditës Botërore të Zemrës” (29 shtator), ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për marrjen e masave të menjëhershme sa i takon njohjes së faktorëve të riskut dhe kontrollimit të tyre kur është e mundur, si dhe të domosdoshmërisë së kryerjes së kontrolleve të hershme mjekësore edhe kur nuk kemi shenja të dukshme klinike.

Sipas tyre, shumica e sëmundjeve kardiovaskulare shkaktohen nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen ose të modifikohen. “Organizata Botërore e shëndetit përllogarit se të marra së bashku, uljet modeste të tensionit të gjakut, obezitetit, të kolesterolit dhe të përdorimit të duhanit në të gjithë popullsinë, mund të përgjysmojnë incidencën e sëmundjes kardiovaskulare.

Termi sëmundje kardiovaskulare i referohet çdo sëmundjeje të zemrës, çdo sëmundjeje vaskulare të trurit, ose sëmundjeje të enëve të gjakut. Në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pjesa më e madhe e njerëzve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare.

Nga këto vdekje, 80 për qind ndodhin për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës (atak në zemër) dhe sëmundjeve cerebrovaskulare (goditje në tru), dhe prekin kryesisht vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së. Zemra është sa madhësia e grushtit tuaj dhe ka muskujt më të fortë të trupit. Por edhe pse e fortë, zemra juaj mund të bëhet e prekshme nga faktorët e rrezikut, si pirja e duhanit, dieta jo e shëndetshme, stresi, etj. Kontrolli i rregullt i këtyre faktorëve të rrezikut dhe monitorimi i tensionit tuaj arterial, mund të zvogëlojë rrezikun e një individi për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare.

Faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës

Ka shumë faktorë rreziku që shoqërohen me sëmundje koronare të zemrës dhe goditje në tru. Disa faktorë rreziku, siç është historia familjare, nuk mund të modifikohen, ndërsa faktorët e tjerë të rrezikut, si presioni i lartë i gjakut, mund të modifikohen me trajtim mjekësor, si dhe kontroll të stilit të jetesës.

“Ju nuk do të zhvilloni sëmundje kardiovaskulare nëse keni një faktor rreziku. Por sa më shumë faktorë rreziku të keni, aq më e madhe është mundësia që të sëmureni nëse nuk merrni masa për të modifikuar këta faktorë rreziku, si dhe të parandaloni që ata të dëmtojnë shëndetin e zemrës suaj”, shtojnë specialistët e ISHP-së. Ndër faktorët e riskut që mund të monitorohen janë jenë: Pasiviteti fizik, kequshqyerja, monitorimi i tensionit të gjakut, shmangia e konsumit të duhanit, kripës, mbajtja e vlerave të duhura të kolesterolit, luftimi i mbipeshës dhe obezitetit. Ndërsa faktorët që nuk mund t’i kontrollojmë janë: diabeti, historia familjare, mosha, gjinia, statusi socio-ekonomik, etj.

Njihuni me simptomat e atakut në zemër

Mbi 70 për qind e të gjitha emergjencave kardiake dhe atyre të aparatit të frymëmarrjes ndodhin në shtëpi, kur një anëtar i familjes është i pranishëm dhe mund të ndihmojë një të sëmurë.

Nëse njihni shenjat dhe simptomat e kësaj emergjence shëndetësore dhe nëse dyshoni se një anëtar i familjes ka një atak në zemër, duhet të kërkoni menjëherë ndihmën  e specializuar mjekësore. Sipas specialistëve, disa atake në zemër janë të papritura dhe të mëdha, ku askush nuk dyshon se çfarë po ndodh. Por shumica e atakeve në zemër fillojnë ngadalë, me dhimbje të butë ose një gjendje parehatie.

Shpesh njerëzit e prekur nuk janë të sigurtë se çfarë nuk shkon, dhe presin shumë kohë para se të kërkojnë ndihmë mjekësore. Më poshtë jepen disa shenja që mund të nënkuptojnë se po ndodh një atak në zemër: sikleti që mund të ndieni në gjoks, apo edhe në zona të tjera të pjesës së sipërme të trupit. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje ose siklet në njërin ose të dy krahët, në shpinë, qafë, nofull ose stomak. Shenja të tjera mund të përfshijnë djersë të ftohtë, të përziera.

Ndryshueshmëria e simptomave sipas gjinisë

Manifestimi i shenjave të atakut në zemër shpesh ndryshon nga femrat tek meshkujt. Ashtu si te meshkujt, edhe te femrat simptoma më e zakonshme e atakut në zemër është dhimbje në gjoks ose siklet. Por femrat janë disi më të prirura se meshkujt që të pësojnë disa nga simptomat e tjera të zakonshme, veçanërisht gulçim, të vjella dhe dhimbje prapa shpinës, ose nofulla. Menjëherë sapo të konstatoni simptoma të tilla nuk duhet të neglizhoni marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore.

Parandalimi

Duke qenë se sëmundjet kardiovaskulare në shumicën e tyre lidhen ngushtësisht me faktorët e stilit të jetesës, të cilët janë të modifikueshëm, të trajtueshëm dhe të kontrollueshëm, atëherë apeli bëhet për të nxitur marrjen e masave për të shpëtuar njerëzit jetën e tyre, duke bërë vetëm disa ndryshime, të cilat mund të ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Konkretisht bëhet fjalë për masa të tilla,si: inkurajim për ushqim të shëndetshëm, inkurajim për kryerje të aktivitetit fizik, shmangien e përdorimit të duhanit dhe kontrollin e rregullt të presionit të gjakut, nivelit të kolesterolit, mbipeshës dhe obezitetit. Po ashtu nuk duhet të neglizhohen edhe kontrollet e rregullta mjekësore.

Disa shenja që mund të nënkuptojnë se po ndodh një atak në zemër:

  • Siklet në gjoks. Shumica e atakeve në zemër përfshijnë siklet në qendër të gjoksit që zgjat më shumë se disa minuta. Mund të ndihet si presion i pakëndshëm ose dhimbje.
  • Siklet në zona të tjera të pjesës së sipërme të trupit. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje ose siklet në njërin ose të dy krahët, në shpinë, qafë, nofull ose stomak.
  • Gulçim me ose pa shqetësime në gjoks.
  • Shenja të tjera mund të përfshijnë djersë të ftohtë, të përziera.

Shenjat paralajmëruese të goditjes në tru

  • Një goditje në tru është një urgjencë mjekësore. Nëse shfaqet ndonjë prej simptomave të detajuara në vijim duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore.
  • Mpirje e papritur ose dobësi e fytyrës, e krahut apo këmbës, veçanërisht në njërën anë të trupit.
  • Konfuzion i papritur, probleme në të folur.
  • Problem i papritur në sy.
  • Probleme të papritura në ecje, marramendje, humbje ekuilibri ose koordinimi.
  • Dhimbje koke e papritur e rëndë pa shkak të njohur.

Faktorët e rrezikut të modifikueshëm përfshijnë:

  • Pasivitetin fizik.
  • Dietën jo të shëndetshme.
  • Tensionin e lartë të gjakut.
  • Përdorimin e duhanit.
  • Kolesterolin e rritur.
  • Obezitetin dhe mbipeshën.

Faktorët e rrezikut jo të modifikueshëm përfshijnë:

  • Histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare, apo praninë e sëmundjes së diabetit.
  • Moshën. Thjesht plakja është një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare; rreziku i goditjes në tru dhe atakut në zemër dyfishohet çdo dekadë pas moshës 55 vjeç.
  • Gjininë. Gjinia është domethënëse, një mashkull rrezikohet më shumë të preket nga sëmundjet e zemrës sesa një femër para menopauzës. Por, pasi kalon menopauzën, rreziku i një femre është i njëjtë me atë të një mashkulli. Rreziku nga goditja në tru është i njëjtë si për meshkujt dhe për femrat.
  • Statusin socio-ekonomik. Të qenët i varfër, pa marrë parasysh vendndodhjen në botë, rrit rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
  • Stresin, izolimin shoqëror, ankthin dhe depresionin, të cilat rrisin rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare.

Kontrolloni nivelin e glukozës në gjak

Glukoza e lartë në gjak (sheqeri në gjak) mund të jetë tregues i diabetit. Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë 60 për qind të të gjitha vdekjeve te njerëzit me diabet, kështu që nëse lihet e padiagnostikuar dhe e patrajtuar, mund të jeni më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru.

Kontrolloni presionin e gjakut

Presioni i lartë i gjakut është faktori numër një i rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Ai quhet “vrasësi i heshtur” sepse zakonisht nuk ka shenja paralajmëruese ose simptoma, dhe shumë njerëz nuk e kuptojnë se kanë presion të lartë në gjak.

Kontrolloni numrat tuaj

Drejtojuni mjekut tuaj në kujdesin shëndetësor parësor dhe kërkoni që t’ju matin nivelin e kolesterolit, peshën dhe indeksin e masës trupore (IMT), si dhe presionin arterial dhe nivelin e glukozës në gjak. Ata mund t’ju këshillojnë për rrezikun tuaj nga sëmundjet kardiovaskulare, në mënyrë që të ndërmerrni veprimet e duhura për të përmirësuar shëndetin e zemrës suaj.

 

Share This Article
1 Comment
  • Ju falenderrojme , presim me teper informacione
    te ketij lloji dhe jo ato “made in Rama ” e kompani ku vlen te permendim Like , Nano, e Sali , te 30 vjecarit qe Shqoiperine e beri plur e hi ..!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *