Anjeza Tufina, vajza nga Tirana e cila ka studiuar në Itali, sot lëviz çdo javë në qytetet më të rëndësishme të modës në botë. Ajo është një Fashion Blogger dhe ka arritur të ndërthurë më së miri ekonominë, industrinë e modës dhe markat e njohura.
“Fabrika e kukullave”, quhet faqja e saj virtuale ku Anjeza hedh të gjitha të rejat më të fundit dhe stileve në veshje. Ndryshe nga shumë “vajza mode”, ajo është shumë e thjesht, artikulon shumë mirë dhe mbi të gjitha luksi mes të cilit punon, nuk e ka “dehur”.
Ajo ia ka dalë të hyjë në industrinë e modës në Milano dhe jo vetëm. Tufina, ka studiuar Menaxhim Biznesi në Itali.
Në fillim nuk ia kishte marrë mendja që këto dy pasione do i zhvillonte në të njëjtën kohë, por ja që ëndrrat dalin, kur ke vullnet dhe këmbëngul për atë që do. Kjo vajzë është njëra prej tyre që sot shëtit në korridoret e modës në botë.
Ne kemi folur me Anjezën, jo vetëm për këtë formë të re të punës, si bloggere, që tashmë po orientohet më shumë drejt stilit të jetës. Kemi marrë prej saj disa këshilla se si të vishemi për festat e fundvitit dhe cilat janë tendencat e fundit.
Pavarësisht “stresit” që përjetojnë shumë vajza në këtë kohë, Anjeza ka një ide dhe i fton njerëzit të mendojnë për një argëtim ndryshe, pa këtë “ankthin” e zakonshëm.
Nga brenda fabrikës së kukullave të Anjeza Tufinës ju sjellim këtë intervistë.
Anjeza, të shohim në rrjetet sociale të angazhuar dhe në lëvizje, me çfarë po merresh aktualisht?
Dikush që viziton blogun për herë të parë, do mendojë se po shikon një blog udhëtimesh dhe jo mode, kjo sepse shumë nga projektet e fundit që kam ndjekur më kanë çuar në qytete të ndryshme në Itali, Francë dhe Angli dhe kam përfituar për të përzier bashkë udhëtimin me stilin. Ky moment fund viti është i qetë nga ana e publikimeve në blog, por prapa kuintave po punoj në mbylljen e disa kontratave për disa bashkëpunime shumë interesante për 2016. Edhe pse vazhdoj të quhem Fashion Blogger, interesat e mia po spostohen më shumë në temën e Lifestyle ku bashkëpunimet janë më të gjera dhe përfshijnë të qenurit Ambasadore Stili për shampanjën Veuve Clicquot, bashkëpunime me firma kozmetike si, La Mer, dhe më së fundmi pjesëmarrja ime në një konferencë në Paris këtë javë, ku tema është se si marketingu përfiton më së miri nga fuqia e Web Influencers.
Po si funksionon një blogere? Ti i blen të gjitha veshjet që vesh… apo ka një formë tjetër për t’i përdorur?
Kur arrin në një nivel profesional të të qenurit Fashion Blogger, pjesa e veshjeve funksionon në të njëjtën mënyrë si funksionon për revistat e modës. Janë firmat e ndryshme që ofrohen të të veshin për evente, udhëtime ose thjesht për një fotografim për blogun. Kjo është një mënyrë alternative për firmat që të reklamojnë koleksionet e tyre më të fundit. Por përsëri si blogger të lënë lirinë të zgjedhësh vetë pjesë nga koleksioni i tyre i fundit që i përshtatet më shumë stilit tënd personal.
Dihet se çdo zgjedhje ka vështirësitë e saj, madje edhe për ato që në sytë e publikut duken thjesht argëtim. Cilat janë vështirësitë e profesionit tënd?
Për ata që duan të punojnë në industrinë e modës vështirësia kryesore gjendet në fillim, kur zbulon se ajo që jemi mësuar të shohim në revista mode, sfilatat e Fashion TV dhe luksi ka mbrapa një punë që përfshin mijëra njerëz nga industri të ndryshme. Kur je pjesë e industrisë së modës, puna është punë si në çdo vend tjetër. Duke hequr iluzionin që industria e modës ka lidhje direkte me industrinë e ‘qejfit’, je gati për t’u hedhur kokë e këmbë në një ambient dinamik ku kalohen eksperienca interesante dhe gjithmonë mëson diçka të re.
Fisi Tufina në Tiranë njihen si orëndreqës, ndërsa ju jeni imazhi i një ore. Na trego pak më shumë për këtë marrëdhënie, që diku është shkëputur, po përsëri e gjeti rrugën…?
“Sahati i Tironës” është një kujtim i vazhdueshëm për familjen tonë edhe pse nga ne Tufinsit e rinj asnjë nuk ka vazhduar këtë profesion, kjo me të drejtë sepse është një nga ato profesionet artizanale që po humbasin në të gjithë botën. Sidomos në kohët e sotme ku preferohen më shumë orët automatike dhe orët mekanike janë shumë të shtrenjta për pjesën më të madhe të popullsisë. Kjo bisedë e bërë gjatë një eventi gala në Vjenë, në 2013, ka qenë dhe nisma e një bashkëpunimi me firmën zvicerane të orëve Omega, më të cilën bashkëpunoj.
E meqë jemi në prag të festave të fundvitit, si e mbyllet 2015? Si ishte për ju ky vit?
2015 ka qenë një vit pozitiv nga ana e punës dhe realizimit personal. Ka qenë dhe një vit ku me ngjarjet që po ndodhin në botë të bën të vendosesh në perspektive gjithçka që realizon, duke e konsideruar veten me shumë fat edhe për gjërat më të vogla pozitive që të ndodhin. Ditën kur ndodhi fatkeqësia në Paris, unë sapo kisha marrë avionin nga Parisi për t’u kthyer në Milano, mbas një projekti pune për blogun. Në ato momente kupton që problemet e tua nuk janë në të vërtetë probleme, dhe vendos që misioni i parë në jetë është të bësh gjithçka që të jesh e lumtur dhe jo të jetosh me frikën se çfarë mund të ndodhi në të ardhmen. Do kthehem përsëri në Paris këtë jave për një konferencë mbi mënyrat e reja të komunikimit online, dhe frika nuk do jetë pjesë e këtij udhëtimi.
Në Shqipëri, festat e fundvitit janë më të rëndësishmet, kjo shihet edhe për sa i përket kujdesit që tregojnë ndaj vetes njerëzit. E keni kuptuar edhe ju këtë?
Festat e fundit vitit në Shqipëri janë si një mega-party që duhet t’ia kalojnë çdo feste tjetër të bërë gjatë vitit. Duke parë sa festa të bukura që bëhen në verë, ose në diskoteka gjatë çdo fundjave me njerëzit të veshur sa më mirë që të bien ne sy, me duket sikur po bëhet gjithmonë e më e vështirë t’ia kalosh vet vetes për festën e Vitit te Ri. Shoh në shoqëri që krijohet një stres i madh, së pari duke menduar: Çfarë do bëjmë këtë Vit të Ri? Ku do të shkojmë? Ku është festa më e madhe, më e bukur, më zhurmshme? Që më duket sikur i mundon më shumë të gjithë dhe pastaj vjen veshja.
Unë kam hequr dorë nga stresi i Vitit te Ri vite më parë, duke kuptuar se gjatë vitit ka momente ku është më e mundur të marrësh kënaqësi duke bërë zgjedhje personale pa qenë pre e presionit të shumë njerëzve, siç mund të jenë pjesëmarrja në koncerte live të këngëtareve të preferuar, një fundjavë në mal ku mund të ngjitësh maja duke ecur me orë në natyrë, një fundjavë në një hotel SPA ku mund të relaksohesh. Vini re që këto tre shembuj nuk kanë as stresin e veshjes ose të të bërit make up. Në koncert mjafton një xhaketë lëkurë sipër t-shirt të grupit tënd të preferuar, në mal mjaftojnë një palë tuta dhe në SPA, je tërë kohën me kostum banjoje. Do i ftoja njerëzit të mendonin për një argëtim ndryshe dhe pa stres për këtë vit të ri.
Po le te mbetemi tek ata që do i festojnë patjetër këto festa në mënyrë tradicionale, përpara kemi Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, a duhet të ketë ndryshim veshja në këto dy festa? Dhe çfarë konkretisht?
Për Krishtlindje, pjesa më e rëndësishme është dreka familjare e datës 25, dhe këtu veshja është çdo fustan që është i rehatshëm duke të të lënë mundësinë të gëzosh ato 20 pjata që janë përgatitur me aq dashuri nga familja. Kjo s’do të thotë që fustani të jetë i thjeshtë, mund të zgjedhim një ngjyrë festash si jeshilja dhe të kemi një prerje elegante. Për Vitin e Ri vlen e njëjta këshillë për darkën në familje, me ndryshimin e vogël që duhet të kemi akoma më shumë vend për të ngrënë edhe bakllava. Mund të guxojmë më shumë për daljen në darkë, ku këtu është i pranueshëm çdo lloj stili, nga fustanet me shumë shkëlqim, që presin gjithë vitin datën 31 për të dalë nga dollapi. Për këtë dimër gjatë sfilatave janë prezantuar shumë ngjyrat metalike, një trend që është kopjuar menjëherë dhe nga shumë firma fast-fashion si Zara dhe Asos, një stil perfekt për Vitin e Ri, por që mund të përdoret edhe për daljet e tjera gjatë vitit.
Çfarë mund të na këshilloni më konkretisht për veshjet e femrave?
Konkretisht mund të zgjedhim një fustan i teri me “sequins” të mëdhenj që janë perfektë për një natë vallëzimi ku dritat luajnë shumë bukur me fustanin. Nëse një total look me shkëlqim do ishte tepër për stilin tuaj, mund të veshim një fund me sequins i shoqëruar me një bluzë të thjeshtë të zezë dhe aksesore minimal duke i lënë fundit të gjithë vëmendjen. Një tjetër veshje që shoh që përdoret shumë pak nga femrat, por që është perfekt si për lirshmërinë që të lë në të kërcyer, po ashtu edhe elegancën që të jep janë ‘jump suit’ tutat te strukturuara. Për të qenë akoma me ndryshe në mbrëmje ku të gjitha femrat zgjedhin një LBD (Little Black Dress) mund të shkohet kundra rrymës me një LWD (Little White Dress) që në mes të shumë njerëzve të veshur me të zeza bie më shumë në sy.
Cilat mund të jenë ato detaje që bëjnë diferencën?
Një nga detajet që femrat në përgjithësi zgjedhin të fundit, por në të vërtetë duhet t’i zgjidhen të parat, janë këpucët. Shume veshje prishen shumë kollaj nga një palë këpucë që nuk ndjekin stilin dhe ngjyrat e fustanit. Këshilla më e mire është të zgjedhim së pari këpucët, pastaj të krijojmë një veshje rreth tyre. Një nga mënyrat për të mos gabuar me këpucët është te ndjekim shembullin e Kate Middleton e cila vesh gjithmonë një palë këpucë elegante në ngjyrën “nude” duke bërë në këtë mënyrë që të mos bie në sy këpuca, por vetëm veshja.
A ka ndonjë gjë në të cilën nuk duhet të gabojmë duke pasur kujdes?
Çfarë shoh në Shqipëri që është theksuar shumë në vitet e fundit është make up për festa. Nëse me veshjet mund edhe të shkojmë nga një ekstrem në tjetrin duke shprehur guston tonë dhe duke e përshtatur për tipin e festës, tek grimi nuk është e nevojshme të “vishemi”. Kështu që gabimi kryesor që duhet të evitojmë është të trukohemi aq shumë sa të krijojmë një maskë ku mbrapa fshihet fytyra. Trendet kryesore në botën e bukurisë janë, kujdesi për lëkurën dhe krijimi i një pamjeje sa më natyrale.
Pa lënë mënjanë meshkujt, na sugjeroni diçka edhe për ta?
Meshkujt e kanë jetën shumë më të lehtë për festa. Një palë xhinse blu dhe një këmishë të bardhë dhe janë gati për çdo lloj darke dhe feste. Për ata që ndjekin modën mashkullore më shumë, vitet 70 janë kthyer bashkë me rebelët si Steve McQueen dhe rock’n’rollin ku pantallonat vijnë më të gjera poshtë, lëkura hyn përsëri në gardërobën mashkullore me xhaketat dhe pantallonat e lëkurës.


Mua më pëlqen shumë stili I Anjeza Tufina, po I ndjek këshillat e saj për Stilin,sepse çdo femër do të dëshironte që për veshjen e saj të përkujdesej një talent I modës, do të doja të Kisha rastin që ta njihja personalisht Anjeza Tufina, një Fashion Blogger që njeh industrinë e modës dhe markat e tjera!