Kanceri i prostatës është një sëmundje e cila kohët e fundit është shtuar me ritme të shpejta në vendin tonë. Por, pavarësisht këtij fakti shqetësues, informimi mbi mundësitë e parandalimit të kësaj sëmundje tek meshkujt shqiptar është ende në nivele të ulëta, çka po ndikon në shtimin e pacientëve që identifikohen të prekur nga kanceri i prostatës. Për këtë problem, në një intervistë për gazetën “Dita”, doktori Kim Drasa jep këshillat, dietat apo edhe mënyrën parandaluese për këtë sëmundje që po prek çdo ditë e më tepër meshkujt shqiptarë. Përveç të tjerash, të gjithë të interesuarit do të informohen edhe për mënyrën se si duhet mjekuar kjo sëmundje, duke vendosur balancat e duhura sa i takon dietës ushqimore dhe asaj mjekësore.
Prof. Kim Drasa, sa e përhapur është sëmundja e prostatës, a është kthyer kjo sëmundje në problem për meshkujt në vendin tonë?
Sipas nesh, domethënë mjekëve shqiptare, në studimet e kryera së fundmi meshkujt vdesin me kancer prostate, por jo nga kanceri i prostatës. Kanceri i prostatit është mes kancerëve më të zakonshëm tek burrat në vendet e zhvilluara e padyshim kohët e fundit mund të them që është kthyer në problematik edhe për vendin tonë. Përsa i përket vendit tonë, numërohen rreth 150-300 persona të prekur nga kanceri i prostatës vetëm gjatë një viti. Kjo shifër padyshim është në rritje. Pra, këto të dhëna na çojnë në përfundimin se kanceri i prostatës kryesisht prek moshat mbi 50 vjeç.
Çfarë këshilloni për personat, saktësisht për meshkujt që ndiejnë shqetësimet e para, çfarë masash duhet të merren?
Parashikohet që ndërsa burrat në vendet e zhvilluara jetojnë më gjatë, edhe numri i prekjes apo vdekjeve nga kanceri i prostatës të rritet, nëse këtu nuk merren parasysh përparimet shkencore. Në fakt, shkencëtarët vazhdimisht përpiqen për trajtime të reja më të suksesshme. Për shembull, unë personalisht do t’u bëja thirrje burrave mbi moshën 50 vjeç që çdo vit të kryejnë analiza të gjakut për antigjenin e veçantë të prostatës (PSA), sepse pikërisht ky është hapi i parë ku secili prej pacientëve mund të fillojë parandalimin e kësaj sëmundjeje, e cila çdo ditë e më tepër po bëhet e rrezikshme për meshkujt shqiptarë, pikërisht për shkak të moskontrollimit e të kryerjes së analizave e përkujdesjes për këtë sëmundje. Për të gjithë të interesuarit sëmundja mund të parandalohet vetëm duke kryer çdo vit analizën PSA dhe ekzaminimin digjital të prostatës (DRE). E nëse kontrollet dhe analizat janë periodike, edhe trajtimet janë shumë efikase, çka do të eliminonte gjithnjë e më shumë pasojat e rënda shëndetësore që mund të shfaqen tek këta pacientë.
A ka shumë raste me kancer të prostatës në vendin tonë dhe, a janë të informuar meshkujt shqiptarë rreth kësaj sëmundjeje dhe çfarë duhet të dinë ata?
Kanceri i prostatës (CaP), një sëmundje e zakonshme tek meshkujt po pëson një rritje të madhe. Jo vetëm në vendin tonë ku rastet po shtohen, ashtu si e thashë edhe me sipër çdo vit edhe më shumë, por edhe në mbarë botën.
Në vendin tonë nga statistikat, nga 150-200 raste që ishin tre vjet më parë, mesatarisht ky numër deri tani është rritur dyfish dhe kjo për shkak se mungon disiplinimi apo informimi për këtë sëmundje e për rreziqet e pashmangshme që paraqet kjo sëmundje e rrezikshme.
Meshkujt shqiptarë të them të drejtën janë pak të informuar, nuk njohin shkaqet, apo elementet qoftë edhe ushqimet domethënë dietën që duhen përdorur për këtë sëmundje. Dua t’u bëj thirrje të gjithë meshkujve shqiptarë jo vetëm për sëmundjen e prostatës, por edhe për një sërë sëmundjesh të tjera, të jenë sa më të kujdesshëm, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar sëmundjet në përgjithësi. Saktësisht për sëmundjen e prostatës bëj thirrje që të të kryhen të përvitshme analizat e përmendura pak më lart.
Cilat janë shkaqet që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje dhe çfarë analizash duhet të bëhen për të zbuluar sa më shpejt kancerin e prostatës. Po simptomat e para që paralajmërojnë shfaqjen e kësaj sëmundje?
Për të diagnostikuar sëmundjen e prostatës, bëhet si rregull EKO-ja e saj. Përveç kësaj, kanë vlerë analiza e urinës dhe urokultura. Për të dalluar se mos kemi të bëjmë me kancer të prostatës dhe jo rritje beninje të saj, bëhet analiza e PSA-së. Në Amerikë çdo vit burrat mbi 50 vjeç, matin PSA-në, si dhe bëjnë ekzaminimin me gisht të prostatës (DRE). Kjo duhet të bëhet edhe në Shqipëri.
Duhet të kihet parasysh që burrat që kanë pasur babanë ose vëllanë me kancer prostate, rrezikojnë dy herë më shumë dhe ekzaminimet duhet t’i fillojnë në moshën 45-vjeçare. Përveç faktorit gjenetik në shkaktimin e kancerit të prostatës luan rol edhe faktori social dhe mjedisor, veçanërisht dieta dhe mënyra e jetesës.
Përsa i përket shenjave që ka i sëmuri vijnë nga irritimi ose nga obstruksioni, jo të gjithë njerëzit i kanë shenjat njëlloj të shprehura. Si pasojë e mosurinimit të mirë dhe bllokimit që ndodh, zhvillohen komplikacione, si: infeksioni urinar, gurët e vezikës urinare, hematuria (gjak në urinë), por komplikacioni më serioz është hidronefroza, pra, zgjerimi i veshkës dhe pengimi i funksionit normal të veshkës me pamjaftueshmëri të rëndë të funksionit të veshkave, gjë që bën të rritet azotemia.
Çfarë diete duhet të përdoret për parandalimin e komplikacioneve të prostatës, e veçanërisht të kancerit?
Ushqimet që përdorim në këtë rast janë:
Isoflavonet (bishtajat), këtu më i rëndësishëm është soja, e cila gjatë studimit ka treguar që ka aktivitet antiproliferative mbi qelizat e prekura nga kanceri i prostatës. Një studim i madh epidemiologjik ka demonstruar që CaP është i lidhur inversisht në lidhje me marrjen e sojës.
Lycopene: gjendet tek domatja dhe shalqiri. Një studim i kryer tek 47 mijë persona tregoi që përdorimi i shalqirit dhe domates reduktoi 35 për qind rrezikun e shfaqjes së kancerit të prostatës. Përdorimi i salcës së domates (burim kryesor i kësaj substance) shoqërohet me reduktimin shumë të madh të rrezikut për CaP.
Selenium: të dhënat e para klinike sugjerojnë që seleniumi që gjendet në silazhin e freskët, ul rrezikun për t’u prekur nga kanceri i prostatës. Kur merret nga goja është verifikuar që akumulohet nga prostata. Ka rol antioksidant të padiskutueshëm. Personat që përdorin selenium kanë 49 për qind reduktim të rrezikut nga kanceri i prostatës. Ky merret sipas rastit 50-100-150 mg në ditë.
Vitaminat: Vitamina E. Alfa-tecoferoli është forma më aktive e vitaminës E, e cila shfaq veti antiproliferative dhe antioxidante. Vitamina E ul rrezikun për t’u prekur nga kjo sëmundje në 32 për qind, në krahasim me ata që nuk e marrin (ushqime që përmbajnë vitaminë E janë sallata jeshile, spinaqi, lakrat e ndryshme, arrat, mëlçitë, qumështi, gjiza, mishi, veza, rrushi, bajamet etj.)
A ka medikamente për këtë sëmundje?
Fatmirësisht ka. Agjentët hormonal: Lidhja midis 5alfa- reductaze dhe rrezikut për kancer në prostatë ka filluar të përcaktohet nga disa studime që nga viti 1990. Burrat japonezë të cilët kanë insidencën më të ulët për CaP është parë që kanë ulje të ndjeshme të 5afla-reductazës, në prostatën e tyre.
5alfa-reductaze është një enzimë që katalizon shndërrimin e Testosteronit në Dihyrdrotestosteron (androgjeni më aktiv). Ka dy tipa të 5alfa-reduktazës. Tipi 1- duket që është predominant në qelizat e prekura nga kjo sëmundje, ndërsa tipi 2 është prediminant në zmadhimin beninje të prostatës (BPH). Finasteridi është inhibitor i tipit 2 të enzimës 5alfa-reductaze dhe ka qenë vlerësuar si një agjent kimiopreventiv. Rezultatet treguan që burrat që morën Finasterid patën reduktim të ndjeshëm të rrezikut për CaP.
Si ndikon jeta seksuale?
Studimet botërore dhe ato personale tregojnë që burrat me jetë të rregullt seksuale kanë më pak rrezik për zhvillimin e kancerit të prostatës. Ekziston mjekimi me ilaçe dhe mjekimi kirurgjikal. Për të zgjedhur se cilat nga këto duhet aplikuar, mjeku bazohet mbi shenjat klinike të pacientit dhe në ekzaminimet që bëhen.
Duhet thënë se jo gjithmonë ka një paralelizëm midis madhësisë së gjendrës së prostatës dhe gravitetit të shenjave klinike. Sidoqoftë, në fazat e fillimit rekomandohet që pacienti të bëjë një aktivitet të moderuar fizik e seksual, të evitojë jetën sedentare dhe të hajë ushqime të shumëllojshme.
Duhen evituar alkooli dhe të mos përdoren sallamet, djathërat e yndyrshme, çokollatat dhe ushqimet pikante. Duhet evituar kapsllëku e për këtë të përdoren ushqimet me shumë fibra. Ndër ilaçet që përdoren përmendim: finasteridin, i cili ndikon në uljen e volumit të prostatës, duke bërë të lehtësohen simptomat. Një grup tjetër ilaçesh janë alfa-bllokuesit, si: “Omnic Ocas”,”Omnic”,”Tamsu Genericon”,”Prostacure”, etj. Këto ilaçe lirojnë muskulin e qafës së fshikëzës urinare, të uretrës, në brendësi të prostatës dhe të vetë prostatës, dhe lehtësojnë kalimin e urinës.
Përveç kësaj ekzistojnë dhe disa ilaçe me natyrë bimore që kanë efekte të mira mbi prostate dhe më i miri në Shqipëri është “prostameto” se ka 4 përbërës kryesore: ”Saë Palmeto, Pygenum Africanum, Pumkin Seed Oil dhe Uva Ursa”, si dhe ka 13 vjet që e marrin pacientët edhe në vendin tonë.
Mjekimi kirurgjikal bëhet në faza të avancuara të sëmundjes, kur këtë e këshillon edhe mjeku, pas verifikimeve të bëra nëpërmjet vizitave dhe kontrolleve për ecurinë e sëmundjes.
Nxënësit e privatit do t’i japin në shkollat publike provimet e maturës
Provimet e maturës do të zhvillohen vetëm në ambientet e shkollave publike. Në këto kushte nxënësit që kanë ndjekur studimet në shkollat e mesme private do të grumbullohen sipas një plani të caktuar dhe do të paraqiten në ambientet e shkollave publike për të dhënë provimet e maturës shtetërore. Provime këto që janë vendimtare, jo vetëm për të konfirmuar mbarimin me sukses të shkollës së mesme, por edhe për të siguruar një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit.
Në provimet e maturës që do të zhvillohen në fillim të muajt qershor, është parashikuar që në procesin e mbikëqyrjes të marrin pjesë edhe mësuesit e shkollave private. Sa i takon masave të marra për këtë kategori mësuesish drejtori i arsimit parauniversitar privat në Ministrinë e Arsimit, Alfred Mullai, deklaron se janë përcaktuar kriteret që do të përdoren në përzgjedhjen e mësuesve të shkollave private që do të marrin pjesë në monitorimin e provimeve të maturës shtetërore 2013. “Maturantët janë të barabartë, si ata që mbarojnë një institucion privat, si ata që përfundojnë në një institucion shtetëror. Për standarde të njëjta ata japin provime në mjedise të përbashkëta, jo të veçanta. Do të ketë administratorë edhe nga shkollat private. Këta administratorë në të gjitha drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore bëjnë një deklaratë paraprake dhe janë të detyruar për të zbatuar gjithë rregulloren e maturës shtetërore”, deklaron Mullai.
Sa i takon kushteve të marrjes në punë të arsimtarëve të rinj, Mullai shton se janë forcuar kriteret dhe janë vënë kushte të reja ndërmjet të cilave edhe pajisja me licencën profesionale pas kalimit të provimit të shtetit. “Është kusht i domosdoshëm të ketë kualifikimin e nevojshëm. Fjala është për gjimnazet, por edhe për arsimin bazë. Patjetër mësuesit e rinj të kenë kaluar provimin e shtetit, të jenë licencuar”, shprehet Mullai.
Aktualisht në vendin tonë numërohen mbi 121 shkolla të mesme private. Ndërkohë që vetëm në kryeqytet ka mbi 25 të tilla, të cilat kanë profile të përcaktuara si të arsimit të përgjithshëm, si dhe të atij profesional.
Kim Derrasa duhet te lexoje dhe te rekomandoje perdorimin e medikametit Doxazosine.