Mbajtja e një higjiene të mirë, si dhe shmangia e vendeve të mbipopulluara gjatë kësaj stine, janë dy këshillat e rekomanduara prej mjekëve pediatër, sa i takon parandalimit të prekjes së fëmijëve nga virozat e stinës, si dhe ndërlikimet që vijnë prej tyre.
Ndërkohë që nuk duhet neglizhuar as vaksina antigrip, kjo veçanërisht në rastet kur dihet se fëmija vuan nga ndonjë sëmundje e caktuar, si dhe kur ka imunitet të dobët, çka i bën ata edhe më të prekshëm nga virozat gripale që janë në qarkullim.
Mjekja pediatre në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, Flora Korumi, thekson se përgjatë kësaj periudhe, përhapja e këtyre virozave është më e shpeshtë, sikundër edhe vështirësia që ekziston në identifikimin e shpejtë të këtyre simptomave veçanërisht tek të vegjlit që janë nën moshën 2-vjeç. Megjithatë, ndër shenjat klinike më të shpeshta që duhet të orientojnë prindërit se fëmija e tyre po kalon një virozë gripale, listohen të jenë: “Teshtima, kolla dhe temperatura”.
Në rast se nuk ka ndërlikime, simptomat e gjendjeve gripale mund të largohen brenda javës, duke pasur parasysh këtu që duhet të tregohet kujdes me mbajtjen e regjimit dhe përzgjedhjes së kujdesshme që duhet t’i jepen fëmijës. Duke u ndalur tek format se si shfaqen këto viroza tek fëmijët, mjekja Korumi ndalet në ndryshueshmërinë e shenjave klinike që shfaqen nga një fëmijë në tjetrin, të cilat ndikohen edhe nga faktori moshë.
“Duke nisur nga kontakti me një të sëmurë, deri në shfaqjen e shenjave të para, kalon një periudhë e heshtur mjaft e shkurtër, nga disa orë, deri në 1 apo 2 ditë. Shenjat kryesore te fëmijët e rritur janë: rrufë, teshtitje, kollë, skuqje sysh e hundësh, temperaturë deri në 39-40 gradë, shpesh e shoqëruar me rrëqethje e të dridhura, dhimbje goje dhe veshësh, dhimbje koke, muskujsh, kockash, e kyçesh dhe jo rrallë herë dhimbje barku, të vjella dhe diarre. Fëmijët e prekur nga virozat gripale kanë gjendje të përgjithshme jo të mirë dhe në mungesë të theksuar oreksi”, pohon pediatrja Korumi.
Ndërsa shton se, tek fëmijët e sapolindur mungojnë shumë nga ato shenja që vërehen tek fëmijët pak me të rritur. Çka kërkon edhe më shumë kujdes, e vëmendje nga prindërit për të mos lejuar shfaqjen e ndërlikimeve që vijnë nga mostrajtimi në kohë i këtyre virozëve. Te këta fëmijë shfaqen disa shenja të përgjithshme si humbja e gjallërisë së mëparshme, grindjet në dukje pa shkak, të qarat, mungesa e oreksit, prishja e humorit dhe e gjumit, etj.
Në latentët që kanë të bëjnë me moshat deri në 2 vjeç, përveç shenjave të mësipërme shpesh në plan të parë dalin edhe çrregullimet e aparatit tretës (fëmija manifeston të vjella dhe diarre), dhimbje barku me, ose pa temperaturë.
“Shenjat arrijnë pikun gjatë 2-3 ditëve të para, mandej fillojnë të zbuten. Nëse nuk ka ndërlikime, sëmundja ka ecuri të shkurtër, mesatarisht 6-7 ditë. Kolla dhe mungesa e oreksit mund të vazhdojnë dhe për pak ditë. Mirëpo, kjo konsiderohet diçka normale. Nëse nuk do të kishte ndërlikime, atëherë edhe viroza nuk do të përbënte probleme”, thekson mjekja Korumi.
Ndaj dhe bën thirrje që gjatë kësaj kohe të bëhet shumë kujdes me higjienën, shmangien e ambienteve të mbipopulluara, si dhe mbajtjen e një regjimi të kujdesshëm ushqimor. Kjo me qëllim shmangien e ndërlikimeve që shfaqen më pas në shëndetin e fëmijës. Mjekja thekson se viroza gripale rrezikon të shfaqë një sërë ndërlikimesh në shëndetin e fëmijës. Konkretisht bëhet fjalë për ndërlikime të tilla si : “mahisjet e veshit, mahisjet e rrugëve të frymëmarrjes, mahisjet e sinuseve, humbja e lëngjeve me vjellja e diarre”.
Transmetimi i virusit
Sa i takon rrugës së transmetimit, mjekja sqaron se virusi përgjegjës kalon nga i sëmuri tek fëmijët nëpërmjet spërklave të pështymës (gjatë teshtitjeve, kollës apo duke folur), si dhe me anë të duarve (të sëmurët kur teshtitjen ose kolliten, zakonisht vendosin dorën para hundës e gojës). Ndërkohë që duke u dhënë duart të tjerëve, apo dhe duke prekur fëmijën bëhet i mundur kalimi i këtij virusi drejt rrugëve të frymëmarrjes. Këto dukuri bëjnë që virozat të përhapet me shpejtësi, sidomos në mjediset ku ka grumbullime njerëzish si: çerdhe, kopshte, shkolla, vende publike, etj. Njihen shumë tipa virusesh si shkaktarë të “rrufës” ose “gripit”. Qendrat studimore parashikojnë tipin që do të qarkullojë më shumë dhe mbi këtë përgatiten vaksina kundër gripit, të veçanta për çdo vit.
Parandalimi i virozëve
Megjithëse është e vështirë, mundohuni të shmangni (aq sa mundet) kontaktet me të sëmurë me viroza duke evituar vizitat e panevojshme, ose në mjediset me grumbullime. Fëmijët duhet të lajnë shpesh duart dhe t’i venë para gojës kur teshtin ose kolliten. Rëndësi ka vaksina kundër gripit. Koha më e përshtatshme për bërjen e saj është pragu i fillimit të virozave, zakonisht fillimi tetorit ose gjatë nëntorit.
Vaksina nuk bën pjesë në të detyrueshmet, po këshillohet sidomos në fëmijë me sëmundje të përsëritura të rrugëve të frymëmarrjes (përfshi astmën) dhe në një sërë sëmundje të tjera (diabet, sëmundje veshkash, zëmre etj), ndërsa në fëmijët e shëndetshëm, nuk përbën domosdoshmëri. Kujdes duhet treguar edhe me përzgjedhjen e ushqimeve që duhet t’i jepen fëmijës, si dhe me sasinë e lëngjeve.
Somarjo
Tek fëmijët e porsalindur shfaqen disa shenja të përgjithshme si humbja e gjallërisë së mëparshme, grindjet në dukje pa shkak, të qarat, mungesa e oreksit, prishja e humorit dhe e gjumit, etj. Në latentët që kanë të bëjnë me moshat deri në 2 vjeç, përveç shenjave të mësipërme shpesh në plan të parë dalin edhe çrregullimet e aparatit tretës (fëmija manifeston të vjella dhe diarre), dhimbje barku me, ose pa temperaturë. Shenjat arrijnë pikun gjatë 2-3 ditëve të para, mandej fillojnë të zbuten. Nëse nuk ka ndërlikime, sëmundja ka ecuri të shkurtër, mesatarisht 6-7 ditë. Kolla dhe mungesa e oreksit mund të vazhdojnë dhe për pak ditë. Mirëpo, kjo konsiderohet diçka normale.
Sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, por duhet të drejtoheni tek mjeku nëse tek fëmija vërehet:
- Frymëmarrje e shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen.
- Ndryshim të ngjyrës së lëkurës.
- Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme.
- Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron.
- Bëhet nervoz sa që fëmija nuk dëshiron të mbahet.
- Rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe.
- Ethe me një skuqje të lëkurës.
- Fortësim i qafës.
Profesionet që favorizohen më shumë
Punësimi, 7 kategoritë që do përfitojnë nga programet e 2016-ës
Programet e punësimit Shtatë janë programet që do të zbatohen gjatë këtij viti për sigurimin e mundësive të punësimit për grupet në nevojë, si dhe të rinjtë. Nëpërmjet fondeve të parashikuara për secilin program, shteti parashikon që të mbështesë me subvencione dhe lehtësira të tjera financiare të gjitha subjektet e biznesit që do të sigurojnë vendet e lira të punës për këto kategori.
Nëpërmjet zbatimit të këtyre programeve parashikohet që rreth 70 për qind e përfituesve që do të punësohen të jenë femra, dhe 55 për qind të rinj. Sipas evidentimeve të bëra, referuar edhe kërkesave të dala nga nevojat e tregut të punës, fushat prioritare të zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit do të jenë industritë prodhuese, turizmi, teknologjia e informacionit, bujqësia dhe përpunimi agro-ushqimor, si dhe sektorë të tjerë. Mbështetja për bizneset që do të marrin në punë kategoritë e përcaktuara do realizohet nëpërmjet dhënies me subvencion të pagave, subvencion të sigurimeve të detyrueshme, subvencion të kostove të trajnimit dhe përshtatje të vendit të punës.
“Ne i ofrojmë punëdhënësve forcë pune falas për një periudhë të caktuar kohe, duke bashkëpunuar për arritjen e një punësimi të qëndrueshëm dhe një vendi punë të sigurt në tregun e punës. Programet që do të zbatohen adresojnë grupet dhe probleme aktuale të tregut të punës në Shqipëri”, ka deklaruar ditën e djeshme kreu i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë prezantimit të detajuar të 7 programeve që pritet të zbatohen. Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka theksuar se janë me mijëra vendet e lira të punës të identifikuara, por mungojnë punonjësit e kualifikuar. Sipas tij, të rinjtë duhet të kthejnë sytë drejt ndjekjes së arsimit profesional, e cila është edhe oferta më e mirë për punësim.
- Programi i nxitjes së punësimit të grupeve të veçanta, ku përfshihen: të rinjtë që hyjnë për herë të parë në punë, të papunët afatgjatë, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë, romët, personat me aftësi të kufizuar, emigrantë që kthehen me probleme ekonomike, viktima të trafikimit. Programi parashikon një punësim një vjeçar, për përfshirjen afatgjatë në tregun e punës, të këtyre grupeve të vështira për t’u punësuar.
- Programi i formimit nëpërmjet punës, ku përfshihen të rinjtë dhe të rriturit pa profesion. Programi përfshin kryesisht të rinj, qe kërkojnë të mësojnë një profesion, i cili do t’u rrisë shanset për punësim. Kohëzgjatja e trajnimit është deri në 6 muaj dhe profesioni mësohet në vendin e punës. Përveç punësimit pas periudhës së trajnimit, për 50 për qind të pjesëmarrësve, shanset për t’u punësuar në ndërmarrje të tjera për të njëjtin profesion, janë mjaft të larta.
- Programi i nxitjes së punësimit të të rinjve të diplomuar (bachelor apo master) deri 30 vjeç, program i cili vjen si një risi e kësaj pakete dhe ka në thelb kombinimin e formimit në punë me punësimin. Vetëm në dy vitet e fundit konstatohet një rritje e numrit të rinjve të diplomuar të cilët, regjistrohen në zyrat e punësimit dhe kjo shifër nga 3-4 për qind që ishte 3 vjet më parë, është dyfishuar dhe ka arritur në 8 për qind.
- Programi i nxitjes së punësimit të grave kryefamiljare me fëmijë në ngarkim dhe vajzave nëna. Ky program vjen si risi këtë vit dhe shoqërohet me rritjen e nivelit të pagave dhe sigurimeve të detyrueshme. Kjo pasi gratë kryefamiljare dhe vajzat nëna hasin vështirësi më të mëdha në integrimin në tregun e punës, veçanërisht kur kanë fëmijë të vegjël nën kujdestarinë e tyre. Vendosja e nivelit të pagës mbi pagën minimale në shkallë vendi, synon t’u japë mundësi këtyre grave dhe vajzave, të sistemojnë fëmijët e tyre në çerdhe apo kopshte në mënyrë që ato të kenë mundësi të punojnë.
- Nxitja e punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Ky program do të bëjë të mundur lehtësimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuar pranë punëdhënësve duke i nxitur ata për të punësuar këtë kategori personash shumë vulnerabël. Nxitja është e tillë që t’i ndihmojë punëdhënësit, që fillimisht të marrin këta persona falas në ambientet e ndërmarrjeve dhe institucioneve, për një periudhë të caktuar dhe më pas, pasi të jenë përshtatur, të mund ta mbajnë atë vend pune. Gjithashtu është parashikuar edhe dhënia e subvencioneve që i nevojiten biznesit për përshtatjen e infrastrukturës në vendin e punës. .
- Praktikat profesionale deri në 6 muaj për të rinjtë e sapodiplomuar (brenda 24 muajve). Ky program ka për qëllim të lehtësojë atë rreth vicioz që u është krijuar të rinjve shqiptarë kur tentojnë të futen në tregun e punës, që është eksperienca e punës, e cila kërkohet rutinë nga punëdhënësit. Krijimi i mundësisë për një të ri që sapo është diplomuar, të kryejë një praktikë profesionale (të paguar) pranë një biznesi apo institucioni dhe pajisja me një certifikatë pas përfundimit të periudhës së praktikës, rrit shanset për këtë të ri që të gjejë një vend pune dhe të integrohet në tregun e punës.
- Program i ri i nxitjes së punësimit për jetimët: Programi ka për qëllim të mbështesë kategorinë e të rinjve nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë statusin e jetimit dhe janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, duke ju ofruar një program, që kombinon formimin nëpërmjet punës me subvencionimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore./Pranvera Kola/Dita/
