Policia e Elbasanit ka arrestuar sot gjashtë persona, të cilët dyshohet se merreshin me trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike të llojeve të forta.
Gjithashtu nga operacioni i koduar “Shënkolli” vijojnë të ndiqen në gjendje të lirë dy shtetase, ndërsa u sekuestruan edhe 550 gram drogë e llojit kokainë.
“Finalizohet operacioni “Shënkolli”.
Gjatë ditës së sotme, në funksion të procedimit penal të vitit 2018 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënkolli”.
Në operacion u përfshinë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Reparti RENEA dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ku u bë i mundur arrestimi i shtetasve:
K.Gj., 32 vjeç, banues në Elbasan me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit; A. Q., 45 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit; S. P., 23 vjeç, banues në Elbasan; L. D., 35 vjeç, banues në Elbasan; L. Gj., 25 vjeç, banues në Elbasan; K. T., 31 vjeç, banues në Elbasan.
Si dhe ndiqen në gjendje të lirë dy shtetase. Shtetasit A. Q., dhe K. Gj., si organizatorë të grupit kriminal, siguronin lëndën narkotike dhe pjesëtarët e tjerë të grupit kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla në qytetin e Elbasanit.
Policia gjatë kontrollit fizik të krerëve të grupit, por edhe kontrollit në banesat e tyre, gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej rreth 550 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Operacioni është ende në vijim, për identifikim dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.
v.l/ Dita
