Si zbulohet disleksia te fëmijët, njohja e shenjave të para

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Vështirësia që shumë fëmijë mund të shfaqin gjatë të mësuarit për të lexuar mund të jetë pasojë e një çrregullimi që në gjuhën mjekësore njihet si: “disleksia”, e jo thjeshtë dembelizëm, apo mungesë përqendrimi sikundër keqkuptohet rëndom.

Për shkak të mungesës së informimit rreth këtij çrregullimi, në shumë raste disleksia kalohet pa u vënë re.

Mjekja Ilda Xhelili, ndalet në detajimin e formave se si zhvillohet ky çrregullim që në fëmijërinë e hershme, si dhe simptomat që duhet t’i orientojnë prindërit për të kuptuar sa ma herët praninë e disleksisë tek fëmijët e tyre.

Referuar shenjave klinike, mjekja thekson se fëmijët me disleksi shfaqin vështirësi në të lexuar, nuk mund të dallojnë të majtën nga e djathta, nuk mbajnë dot mend atë që sapo lexuan, kanë probleme të theksuara me drejtshkrimin, nuk mësojnë dot tabelën e shumëzimit, apo alfabetin, ndiejnë shpesh ankth, akuzohen se janë përtacë, manifestojnë shpesh dhe shenja të depresionit, kanë mendime negative për veten, probleme me sjelljen, janë të irrituar, etj.

Në këto raste duhet kërkuar ndihma e specializuar e mjekut neurolog

Çfarë duhet të kuptojmë me termin disleksi?

Në vitin 1968 Federata Botërore e Neurologjisë, e përcaktoi disleksinë si një çrregullim tek fëmijët, të cilët pavarësisht pjesëmarrjes së rregullt të tyre në shkollë, nuk arrijnë aftësinë gjuhësore të leximit, të shkrimit dhe të drejtshkrimit, në përputhje me aftësitë e tyre intelektuale. Pra disleksia është vështirësi në të mësuarit për të lexuar.

Edhe pse shkaku i disleksisë nuk është i sqaruar plotësisht, ajo mund të lidhet me faktorë të trashëguar, ose faktorë të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e trurit. Këta fëmijë kanë vështirësi për të mësuar të lexojnë, pavarësisht mësimeve tradicionale që ndjekin.

Mendohet të jetë shkaktuar nga dëmtimi i aftësisë së trurit për të përpunuar fonemat (njësitë më të vogla të fjalës që i bëjnë fjalët të ndryshueshme nga njëra tjetra).

Gjithashtu, ky problem nuk mendohet të rezultojë nga probleme të tjera, si të ato të shikimit, dëgjimit, të vonesës mendore, të dëmtimit të trurit, apo mungesës së inteligjencës.

Në çfarë formash zhvillohet disleksia?

Tipi më i zakonshëm është disleksia primare, e cila nuk ndryshon me moshën. Në këtë rast kemi mosfunksionim të anës së majtë të trurit (korteksit cerebral).

Në këtë formë të disleksisë merr rëndësi të veçantë ndërhyrja adekuate arsimore, përkujdesja e veçantë, gjë e cila bën që këta individë të jenë akademikisht  të suksesshëm gjatë jetës së tyre.

Në rast se nuk ndërhyhet në kohën e duhur, atëherë këta individë do të luftojnë gjatë gjithë jetës së tyre me shkrimin dhe leximin.

Disleksia primare kalon në linjat familjare nëpërmjet gjeneve (të trashëguar), ose nëpërmjet mutacioneve (ndryshimeve) të reja dhe është gjetur më shpesh tek djemtë, sesa tek vajzat. Një formë tjetër është disleksia e mesme, ose zhvillimore.

Ky lloj shkaktohet nga problemet e zhvillimit të trurit gjatë fazave të hershme të jetës fetale (në barkun e nënës). Problemet e kësaj lloje të disleksisë zvogëlohen kur fëmija maturohet. Edhe ky lloj është më i zakonshëm tek djemtë, sesa tek vajzat.

Në rastin kur truri nuk interpreton siç duhet sinjalet vizuale (pamore), atëherë flasim për disleksinë vizuale. Në rastin kur nuk përpunohen siç duhet sinjalet që vinë nga tingujt atëherë flasim për disleksi auditive.

Përmendim gjithashtu edhe disgrafinë, e cila i referohet vështirësive së fëmijës për të mbajtur dhe kontrolluar një laps në mënyrë që të hidhen në letër vizatime, ose shenja të sakta.

Cilat janë shenjat e para të disleksisë që i ndihmojnë prindërit të kuptojnë se fëmija i tyre vuan nga ky çrregullim?

Mësuesit në klasë nuk mund të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse një fëmijë ka apo jo disleksi, por ata mund të zbulojnë shenja të hershme që sugjerojnë një vlerësim të mëtejshëm nga mjeku specialist neurolog, por edhe nga psikologu.

Shenja të hershme janë vonesat në zhvillimin e hershëm të gjuhës, probleme me dallimin e tingujve, ose fjalëve të ngjashme, vështirësi me mësimin e fjalëve të reja të fjalorit, vështirësi në kopjime tekstesh nga libra ose kompjuteri, vështirësi në të mësuarit e shkrimit.

Gjithashtu, një fëmijë i tillë mund të mos jetë në gjendje të mbajë mend përmbajtjen e një teksti, apo përralle të preferuar. Këta fëmijë kanë hasin vështirësi me sportet dhe lojërat e organizuara.

Fëmijët në këto raste mund të kenë vështirësi në kujtimin, ose kuptimin e asaj që dëgjon dukë prodhuar vetëm sekuenca të asaj që dëgjon dhe shpesh herë bëhet qesharak, gjë që fëmija e vuan shumë.

Fëmijët që luftojnë me këtë problem mund të dinë se çfarë duan të thonë, por kanë vështirësi në gjetjen e fjalëve të duhura për të shprehur mendimet e tyre.

Tek fëmijët me disleksi mund të jenë prezent shenja shumë delikate, si për shembull: tërheqja në vetvete dhe zhytja në depresion ose ana tjetër, veprojnë duke tërhequr vëmendjen nga vështirësitë e tyre.

Mund të lindin probleme me vetëbesimin dhe bashkëveprimet me shokët dhe familjarët e tyre, mund të humbasin interesin në lidhje me aktivitetet që lidhen me shkollën, duke u dukur si të pamotivuar, ose dembelë. Po ashtu janë mjaft të rëndësishme dhe kërkojnë vëmendje të veçantë edhe situatat emocionale që mund të krijohen tek këta fëmijë.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit kur konstatohen shenjat e para të kësaj problematike?

Përveç bisedës së gjerë me mësuesit, ose edukatorëve të fëmijës është e rëndësishme të konsultoheni me pediatrin tuaj për ekzaminime të mëtejshme dhe përcaktimin e drejtë të situatës që kemi përpara. Sot të gjitha shkollat kanë mjekun dhe psikologun e tyre, të cilat në mënyrë rutinë duhet të analizojnë problematikën e çdo fëmije për të kapur që në fillesën e tyre problematika të ndryshme që mund të paraqesë çdo fëmijë.

Terapitë janë të shumëllojshme dhe afatgjata. Është shumë e rëndësishme mbështetja emocionale e fëmijës dhe jeta kolektive si në ambientet familjare, ashtu edhe shoqërore. Përgjithësisht këta fëmijë kërkojnë një trajtim të veçantë edhe nëpër shkolla nga mësues profesionistë. Disleksia është një çrregullim i vështirë për t’u diagnostikuar.

Ekzistojnë faktorë të shumtë që psikologu dhe profesionistët e tjerë të shëndetit duhet të analizojnë për të vënë një diagnozë të tillë. Këto janë problematika që zgjasin dhe që duan durim. E rëndësishme është që ato të kapen dhe të trajtohen që në fillesën e tyre. Prandaj mos nguroni asnjëherë të bëni kontrollet rutinë të fëmijës tuaj tek mjeku specialist, edhe kur mendoni se çdo gjë shkon mirë me fëmijën.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *