Moikom Zeqo
Pergamen antik i paklasifikueshëm.
Me germa hebraike por me një gjuhë mes kaldeishtes, targunikës, rabinikës, kabalistikes dhe talmudikës etj.
Quhet Scir detarnegol bara letzafra, që do të thotë Kënga pranverore e gjelit të pyllit.
Fabula është e trishtë dhe fatale, ku hiperbola e sfidon metaforën.
Bëhet fjalë për një gjel të egër pylli që me kthetrat mbështetur në tokë prek qiellin me lafshën dhe sqepin e tij.
Ky gjel gjigant, shpend Polifem, përdor dhe arsyen, si një papagall i stërvitur nga një lloj zoti parak i panjohur fare, arrin të shqiptojë fjalë të pafundme njerëzore.
Teologjia hebraike e përmend këtë shembëlltyrë të llahtarshme si një univers alternativ, ose kozmogoni zoomorfe.
Kuptohet: një herezi përpara çdo lloj surrealizmi pamor (ose mendor).
Dorëshkrimi i frikshëm nis me fjalinë Urgusr sarnok mzika. Studjues të thekur dhe idhnakë janë përpjekur ta deshifrojnë këtë fjali.
Murgu irlandez, që ka jetuar në Venedik në 1564, Patrich Deep, e ka botuar një libër për formulat magjike në substancë linguistike dhe thotë se fjalia torturuese ka kuptim mbinjerëzor, por në rrafshin e gjuhëve njerëzore është e barazvlefshme ose kuptimisht me shprehjen latine Serguite mortui, dmth Ngrihuni të vdekur!
A ngrihen të vdekurit?
Utopi këndellëse!
Pse pikërisht të vdekurit?
Sepse edhe të gjallët janë të vdekur potencialë! Aha!
Po si ngrihen të vdekurit?
Si vallë?
Këtë s’e di askush!
Second Camming-u i Krishtit është një ngasje misteri, ose hamendje mrekullore.
Me vonesa shekujsh, ose pakohësi të paperceptueshme! Kodiku i enigmës, fosili i ideve që s’dihen!
Shkronjat përtej çdo alfabeti real, mjeran!
Shkrimi i fshehtë.
Fshehtësi grafike.
Patrich Deep zbuloi një koncept të gjuhës si sistem i pafund simbolesh si dhe teknikat ekzegjetike përmes të cilave gjenerohen tërë kuptimet përmes përpunimit të simboleve.
Filologët e paepur që janë marrë me kodikun “Scir detarnegal bara letzafra” i kanë kapërcyer moshat e jetës të sfilitur, të çmendur.
Figura e gjelit vigan është imagjinative.
E kanë arritur një cak: idenë se teksti misterioz është një gjuhë zogjsh.
Adami e ka ditur këtë gjuhë kur bisedoi dhe emërtoi zogjtë.
Kjo gjuhë ju shfaq edhe Solomonit, që ja komunikoi Mbretëreshës Saba dhe mistikut Apolonit të Tianës.
Cyrano De Bergeracut flet, se e ka takuar një shpend të mrekullueshëm, që “i foli duke kënduar”.
Tingujt janë gjithashtu fonema shkrimore.
Gjeli që bashkon Tokën dhe Qiellin përtej metaforizimit profan është hyjnizim zoomorfian.
Gjeli i Jetës dhe Vdekjes.
Por edhe i Ringjalljes!
E dëgjojnë të shurdhëtit!
E shohin të verbrit!
Sic et non! (Kështu dhe jo kështu!)
LUDUS NATURAE-LOJA E NATYRES
Ludwig Wittgenstein-i e çmonte poezinë më tepër se sa filozofinë.
Vetë ai krijoi një filozofi të mërguar në fshehtësi ».
Variant i brishtë dhe i shpupuritur i nepozitivizmit.
Doktrina « e atomizmit logjik ».
Parashtron edhe programin e një gjuhe « ideale » pra artificiale sipas gjuhës logjike të matematikës.
Ai ka thënë : « Bota është gjithçka që rastis ».
Gjuha sipas tij është përdorimi i gjithfarë « lojërash gjuhësore ».
Ai është shprehur me ironi se « lojërat gjuhësore » kanë sot atë përhapje që ka patur « gjeometria » në Sicili në kohën kur aty qëndroi Platoni.
Ludus natyrae. (Lojë e natyrës).
ANIJA NEURATH
Filozofi austriak Otto Neurath (1888-1945).
Metafora e anijes. “Jemi si detarët, të cilëve në det të hapur u duhet të riparojnë anijen, por pa mundur kurrë të fillojnë rishtas nga fundi i saj » (Neurath, « Anti-Spengler ».)
Një anije e këtillë që vetë Neurath.
Çdo pjesë mund të zëvendësohet sa kohë ekzistojnë mjaft pjesë të tjera, për struktura nuk mund të ndërrohet kurrë si e tillë, si e tërë.
Është e pamundur.
Plakemi por s’bëhemi sërish fëmijë. / mohojmë antikët, por ato janë fundi lundrues i skafit.
Riparimet e sipërme është tërë letërsia që vjen mbi Homerin.
Zëvendësoje Danten me Joyce-in !
E pastaj?
Modernizoje Lukianin me Swiftin!
E pastaj?
A e gjermanizon Hitleri gjakun romak të Kaligulës?
As Zarathustra persian s’është dot niçean.
As Krishti nuk e bën më perëndimor Budën!
As gratacjela manhatanase shpellën e Laskosë!
Videte ne, dum callum custoditis, terram amittatis. (Duke ruajtur qiellin, shikoni se mos humbisni tokën.)
DORA E VETME
Paul Wittgenstein-i. I vëllai i famshëm i filozofit Ludwig Wittgenstein.
Paul-i humbi dorën e djathtë në Luftën e Parë Botërore.
Me një dorë të vetme sfidoi Fatin (Botën).
Tërë truri i tij u koncentrua tek dora e majtë.
E trajnoi, e stërviti mizorisht.
Dora e Luçiferrit!
Vetëm me një dorë luante në piano (në organo) në kufijtë e të pabesueshmes.
Për të (për dorën e tij të vetme, fatalisht të vetme) kompozuan vepra pianistike Ricard Shtraus, Moris Ravel, Prokofiei dhe Briten.
Teknika marramendëse e dorës së vetme.
Dora Polifem!
Dora e kallur në zjarr e Muc Shavolës.
Duke përndritur shekujt.
Dora!
Truri dorë!
Energji kibernetike.
Dora e njeriut prehistorik e mbetur si ngjyrë në shpellat e hershme.
Dora mistike!
Dora që prek lebrozët dhe zhduk lebrën e nëmur!
Dora e filozofit Ludwig Wittgenstein-it që shkroi traktatet e ndërlikuara qe dora e ortodoksizmit filozofik.
Dora e majtë e të vëllait i kapërcen virtualisht arritjet e vështira të Ludwig Wittgenstein-it.
Dora e majtë!
E bëri perandorinë e tingujve.
Univers në solfezh.
Ah dora e majtë.
Nevrasteniku Paul i përjetoi krizat vetëm e vetëm për t’i zhdukur krizat.
Njeriu dorë qe një përjashtim i lemeritshëm.
Me dorën e vetme e vrau veten në një muzg pa krizë.
Për të anuluar krizat pa nekrologji.
Pa requiem-e!
Juctus titulus.
(Arsye e drejtë.).

PJESA E DYTE
SKICA DHE SINOPSE KULTURORE
JEAN BAUDRILLARD
Në vitet ’70 emri i Jean Baudrillard-it kishte pak kuptim jashtë qarqeve akademike franceze, por nga mesi i viteve ’80 analiza e filozofit maverik (shkelmhedhës) të shoqërisë bashkëkohore kishte prekur një nerv global.
Baudrillard-i është vlerësuar si një Guru Intelektual i kohërave tona posmoderne.
Artistët e avangardës në Nju Jork adoptuan në pëlhurë teoritë e tij të “njëkohshme”.
Në mënyrë të pashmangshme, Baudrillard-i ishte një hit i menjëhershëm në media, e cila i mbështeti idetë e tij të diskutueshme dhe thëniet e tij provokuese – Amerika është një trillim dhe thënia më e famshme e tij është: “Lufta e Gjirit nuk është zhvilluar kurrë”.
Në veprën e tij, të tillë si “Simulacra and Simulation”, Baudrillard-i kënaqet me shkatërrimin e shoqërisë së konsumit dhe hedh teorinë se reklama ka krijuar një shkatërrim të kuptimit.
Kur ne shikojmë një reklamë ne “konsumojmë” jo objektin (një shishe Coca-Cola) por shenjën (amerikane).
Tani në librin e tij të ri “Le crime parfait”, nuk është vetëm shishja e Coca-Colës që është zhdukur, por e gjithë bota.
“Kjo është teoria e një krimi – vrasja e realitetit”, njofton Baudrillard-i, duke dhënë një përcaktim sikur të ishte Sherlok Holms, duke zbuluar se si realja është metamorfozuar në “hiperreale”.
Baudrillard-i nuk e shikon veten si një intelektual :
“Mua nuk më pëlqen ky term.
Intelektualët janë një specie e rrezikuar, aftësia e tyre për të mos ndërhyrë në ngjarjet ndërkombëtare ka marrë fund.
Sot roli i tyre është reduktuar në atë të komentatorit, duke shpjeguar gabimet, por të pafuqishëm për të penguar aktualisht që të ndodhin këto gjëra. Ata e ndjejnë se duhet të bëjnë diçka por në të njëjtën kohë e dinë se përpjekjet e tyre janë të kota.
Unë nuk pranoj të bëj peticione me shpresën për të “pastruar ndërgjegjen.
Roli tradicional i intelektualit ka marrë fund”.
Simulacrumi është kur dallimi midis riparaqitjes dhe realitetit bie.
Simboli mohon Realen.
Realiteti bëhet i tepërt, ose krijohet Hiper-realiteti,- ku imazhet shumëfishohen si kulturat bakteriale dhe madje në mënyrë inçestuale.
Pra paradigma është:
- Imazhi është pasqyrim i realitetit,
- Imazhi maskon dhe përvetëson realitetin,
- Imazhi bëhet autonom dhe shënon mungesën e realitetit,
- Imazhi kthehet në simulacrum post-modern.
Por skepticizmi nocional i Baudrillard-it nuk është megjithatë bindës.
Por kriticizmi i tij për cyber-pushtetin e mediave deutronike ndriçon një ankth të madh të njerëzimit.
Vizioni paranojak i riprodhimit të imazheve bëhet një Gulak i Mendjes.
Kështu arrihet edhe tek lojërat cyber-sex, që klasifikohen si X.
Ofelia me mjekër bëhet Cyber-girl !
Shkofshi në djall maternitete!
Bota digjitale riprodhohet vetë!
Vdisni dashnorë romantikë!
Aleluja!
Ajme!
Primum Vivere!
(Më së pari të jetojmë!)

Ç’DI TI PHILIPPE SOLLERS?
Ah, Philippe Sollers!
Ç’di ti Philippe Sollers për gjërat që s’dihen?
Ç’di për të papërcaktueshmen ?
Për të paarritshmen ?
Pse ke thënë se letërsia e sotme franceze është plot myk ?
Myk global !
Dekadencë globale !
Historia e raporteve të kontrastuara midis intelektualëve dhe shkrimtarëve mbetet për t’u bërë.
Është një histori me pasione konfuze, shpesh e nëndheshme, vlerat e së cilës përgjithësisht janë nënvlerësuar, madje censuruar.
Kujtojmë lehtë çka kaluar ka tridhjetë ose dyzet vjet.
Sartri shkruan mbi Genet dhe Flaubert, Haideger mbi Holderlin, Derrida mbi Artaud, Foucault mbi Bataille, Lacan mbi Joyce, Deleure mbi Kafka ose Luis Carrol.
Kudo dialogje dhe transversale molepsje, kapërcime kufijsh.
E njëjta gjë është dhe me artistët e Giacometi, Picasso, Bacon.
Shoqëria, qoftë e lirë ose totalitare sheh me një sy shumë të keq këtë përhapje të ndërsjellë midis mendimtarëve dhe poetëve, filozofëve dhe piktorëve, psikoanalistëve dhe romancierëve, linguistëve dhe artizanëve të foljes.
Gëlimi që rrjedh është zbulues: Një ndarje vepron, kinemaja përzihet, muzika në nëntokë e fshehur zbulohet, Stravinski, Berg, Veber, universiteti dhe pushtetet e vjetra kulturore janë vënë në pikëpyetje, një shpërthim do të lind dhe do të jetë aq shokues sa fillimi i tij do të vijë nga lart në kundërshti me analizat sociale të kockëzuara. “Nga flisni ju?” Pyetje shumë e mirë që do të heshtë shpejt.
Secili duhet të kthehet në vendin e tij apo jo, intelektualët në kompetencat e tyre ose në predikimet e tyre morale, shkrimtarët dhe artistët në proporcionin e vlerave. Ka patur frikë një moment.
“Mos qarkulloni më” do t’u thonë kudo ku të jeni.
Është momenti teknik ku hapësira publike bëhet masivisht mediatike.
Mbaruan seminaret plot e përplot me hyrjen e lirë ku mendimtari i tillë ose i këtillë mbaruan një diskurs shpesh të mbështetur mbi letërsinë dhe artin.
Mbaroi pretendimi i nxjerrë nga disa, që letërsia qysh prej fillimit mendon ndryshe nga transmisioni rutinor i mësimit. Kush të ketë menduar më shumë mbi veprën e Artaud, ose Joyce, veç në një kurs klasik të metafizikës është ndjerë si një rrezik i vërtetë ,- si një terror.
Intelektualët kanë humbur në misionin e tyre, – ata e kanë lënë veten të kënaqen nga sirena të rrezikshme.
Ata duhet të kthehen në rregullin kolektiv, të braktisin aventurat,- pos lutjeve, që i përmbledh në rastin e tyre individual.
Të gjithë do të shkojnë tek televizioni, por secili në anën e tij idetë në të majtë, imagjinata djathtas.
Aspak turbullim, sidomos kjo do të mund të ç’orientojë spektatorin, të prishë kartat politike, të sëmurë tregun. Intelektuali duhet të bëhet një inxhinier shpirtrash, dhe shkrimtari një simptomë kalimtare ,- prenotuar në renditjen sociologjike të parakohshme.
Duhet të mendojë për të ngrohur zemrën, të shkruajë për të të shqetësuar pak,- por pa pasqyra.
Shoqëria nuk ka nevojë për mendimtarët që interesohen për magjiken ose delirin, ose shkrimtarë që nisin të reflektojnë. Shkurt, kufijtë pa vendosur dogana funksionojnë.
Ka qenë e nxehtë, shkolla normale ishte çmendur, Kolegji i Francës një rendez vous e çuditshme, Sorbona një han i vërtetë.
Një revistë e vogël e përtremuajshme paralizonte krijimin në Francë.
Fatkeqësisht kjo lëvizje ka fituar universitetet amerikane.
Pyesin si?
Por është në rënie, normaliteti progreson. Intelektuali duhet të jetë i dobishëm, grumbullues pak rëndësi ka i majtë apo konservator.
Një shkrimtar duhet të jetë i vetëm.
Nëse kalon pak masën ai do të ketë interes të jetë i munguar ose zëhumbur në pamundësi të të qenit i vdekur.
Të gjitha kontaktet midis intelektualëve dhe shkrimtarëve do të shëmbëllejnë me ringritjen e një lidhjeje të shkrirë. Intelektuali është i brishtë, shumë eksperienca të jetuara do të mund ta destabilizojnë, ta nervozojnë, ta tërheqin në vende të rrëshqitshme, ta bëjnë t’i shëmbëllejë një ish-murgu duke e hedhur tek seksi ose drota.
Shkrimtari nga ana tjetër është një plaçkë e vyer, një neurozë e veçantë në zhdukje e sipër, funksioni i së cilës është, të na emocionojë, të na bëjë të ëndërrojë me dëshira melankolike dhe të vuajmë.
Edhe njëherë të evitojmë të turbulltën, kemi parë tepër ku na shpie.
Ah, shkrimtari qenka një neurozë?
U shofsh, u bëfsh hi Freud! Dhe ti Gustav Jung!
Binjakë Kainianë!
Neuroza e shkrimit.
Boshllëku i ideve!
“Finnegans Wake” është një shkrim në natë.
Në ëndërr!
Palexueshmëria është dyshim.
Ah James Joyce, Nembroti i Poliglosisë së çmendur!
Çdo emër është shumë emra!
Pse gjuha nuk është filtra e ëndrrës?
Pse Philippe Sollers? ALP. Anna Livia Plurabelle.
Ç’ndodhi midis Andre Breton dhe Levi Strauss në Nju Jork gjatë Luftës së Dytë Botërore ?
Një takim i paqtë një Ndriçim i Ri.
Si është e mundur që një shkrimtar i madh refraktar si Cuy Debord të ketë thënë shumë gjëra të vërteta mbi shoqërinë globale të kohës sonë, sa të gjithë intelektualët marksistë ?
Për ç’arsye Freud interesohej në këtë pikë për Sofokliun për Shakespeare-in, Dostojevskin ?
Përse Sartre-i, kur zienin manifestuesit në rrugë mbyllej në studion e tij me Flaubert-in ?
Ç’kërkonte Foucault në fillimet e tij duke frekuentuar shkrimtarët e rinj të interesuar për “Historinë e tij të çmendurisë” dhe librin e tij mbi Raymond Roussel?
Po Derrida duke parë shpesh të njëjtat, në momentin kur Mallarme shfaqej në sytë e tij?
Po Barthes,?
Po Lacan?
Biseda, darka, shëtitje, lexime, jetë paralele intensive. Askush s’ishte prekur, rolet s’ishin përkufizuar.
Historia dukej se kishte nevojë për këtë tronditje.
Që këtej e tutje duket se historia është e mbyllur, që nuk ka më ideologji, që mendimi për këtë arsye duhet të jetë i kujdesshëm dhe modest, ku zhurma dhe zemërimi janë kudo dhe që ideologjia është vetë substanca e të gjithë ligjëratave.
Në realitet sigurisht gjithçka vazhdon por në hije, pa kërkuar lejen e askujt.
Kleri institucional s’kërkon të verbohet dhe produktet e tij mediatike janë vazhdimisht vonë (i lëndojnë shumë duke u thënë pse s’janë të fuqishëm).
Kontaktet lidhen, pyetjet që s’prisnin bëhen nën informacionin dhe leximin e gazetave.
Cili mendon diçka në këtë moment?
Kush shkruan ndonjë gjë?
Sistemi i kontrollit pretendon të dijë dhe të parashikojë por asgjë s’është më pak e sigurtë si zakonisht. Intelektualët, nisën të lexojnë autorë shumë modernë ose shumë klasikë në të njëjtën mënyrë.
Shkrimtarët reflektojnë në kushtet e tyre, tallen me imazhin e tyre, përdorin mjetet teknike pa vajtur, kalojnë përmes gënjeshtrës ekonomike dhe shoqërore.
S’të kam takuar kurrë Philippe Sollers!
S’do të të takoj as në pas-vdekje!
Nec verba volenti sufficiunt! (Dua të flas, por s’kam fjalë të mjaftueshme!)
SCRABBLE
Idea për Çështjen X mbart atribute të Çështjes X.
Një ide për pafundësinë është vetë ide e pafundme!
Tymi s’kthehet kurrë brenda cigares së ndezur, pasta e dhëmbëve s’futet prap brenda tubetës nga ka dalë!
Scrabble është lojë angleze shkathtësie, në të cilën lojtarët ndajnë mes tyre një sasi gurësh, si ato të dominosë, të cilët nga njëra anë kanë nga një germë të alfabetit latin.
Lojën e fiton ai që arrin i pari të formojë fjalë me të gjithë gurët që ka në dorë.
Ah, scrabble!
Si mund të fitosh në kaos?
Bota s’është rendi i rregullit por një entropi e ulët!
Kështu ndodh në scrabble!
Në këtë lojë ka më shumë shanse që në dorën e parë prej shtatë germash të të bijen fjalë me katër, ose me pesë germa, sesa fjalë me shtatë germa.
Përherë mundësitë janë të kufizuara.
Dhe arti.
Ç’poet bëri poema me scrabble?
Fjalët janë forma të vetmisë, sepse sintaksa është iluzive.
Fati i yjeve në çerabble!
I peshqve dhe papagajve!
Nabukodonozari s’del asnjëherë në fjalëformimet në scrabble! Keats-i po.
Ndoshta dhe Mjeda!
Germat e rastësishme janë gjuha që shpiket përherë!
Nuk fiksohet, ndaj s’artikulohet.
Scrabble jemi vetë ne.
Scrabble janë ëndrrat në heshtje absolute!
Njeriu!
Juget vix tria verba miser.
(Ai i mjeri mezi lidh bashkë tri fjalë.)
