E lexuam letrën e Ismetit tek gazeta Dita për komisionin e ankimeve. Dje e njëjta gjë më ndodhi dhe mua tek sigurimet shoqërore në Fier. Vendimi nga Tirana kishte ardhur më 16 Qershor, sekretarja ma dha dje më 3 Tetor. Vija vazhdimisht te sigurimet shoqërore, më thoshin s’ka ardhur, njëherë mungonte sekretarja. Fillimisht jam ankuar në DRSSH Fier për pension të ulët që më nxorën me 41.6 vite pune, pensioni doli 12.000 lekë në muaj. Kam punuar në fronte të vështira të naftës, në nxjerrjen e prodhimit në Patos dhe pensioni del kaq i ulët. Kërkova takim me përgjegjësen e DRSSH Fier. Në takim ajo thirri edhe punonjësen që punoi dosjen time në prezencën e 5-6 pensionistëve që kishin zënë radhën për t’u ankuar si puna ime. Më tha:- Luto ik, se i ke në rregull. Nuk u binda, vendosa të ankohem te Drejtoria e Ankimimit në Tiranë. Bëra kërkesë me nr. prot. 895, dhashë dy numra telefoni dhe isha në pritje të vendimit. Nga data 2 Mars që e nisa dosjen, ajo erdhi në 3 Tetor, pas 9 muajsh. Vija lart e poshtë në Fier, nuk ka ardhur dosja, më thoshin. Me këmbënguljen time në datën 3 Tetor e gjeti sekretarja dosjen në sirtar. Dosja kishte ardhur nga Tirana në 17 Qershor, pas 4 muajsh dhe nga Qershori në Tetor rrinte në sirtar në sigurimet shoqërore në Fier. Vendimi ishte i formës së prerë, nuk rritet pensioni. Ankohu në gjykatë brenda 45 ditëve. Po si do ankohem? Dosja ndenji 9 muaj në sirtarët e sigurimeve shoqërore. Kështu i bëjnë zvarritjet punonjësit e “Rilindjen” që i votuam me kënaqësi. Si rasti im ka plot që ankohen nëpër dyert e gjykatave përditë, i zvarrisin qëllimisht që të mos fitojnë të drejtën qytetarët.
Letër e nënshkruar
Luftar Kuka, Patos
