Sot dita botërore e luftës kundër HIV-AIDS. Vërehen mungesa në shërbime dhe mbulimin me medikamente. Kontaktet seksuale të pambrojtura, shkak për shtimin e rasteve. Mbetet problem evidentimi në rrethe
Neglizhenca në përdorimin e masave mbrojtëse ka bërë që të shtohet numri i pacientëve të prekur nga sëmundja e HIV- AIDS. Shifrat e raportuara nga strukturat shëndetësore në vendin tonë tregojnë se gjatë këtij viti analizat e kryera kanë evidentuar si mbartës 70 pacientë të rinj, duke e çuar shifrën totale të rasteve të të prekurve në 555 të identifikuar. Ajo çfarë cilësohet si më problematike, mbetet fakti i zbulimit të sëmundjes në stade shumë të rënduara, gjendje e cila i ka kushtuar jetën një pacienti gjatë këtij viti.
Specialistët e shëndetit publik vënë në dukje se në realitet shifra e të prekurve është shumë herë më e lartë. Kjo pasi shumë prej pacientëve nuk paraqiten për të bërë analizat përkatëse si rrjedhojë e frikës dhe diskriminimit që shoqëria mund të bëjë. Veprim ky që mbart një tjetër alarm, pasi frika e transmetimit të virusit tek popullata e shëndoshë është shumë herë më e lartë.
Duke u ndalur tek rrugët e infektimit, edhe për 2012-n rezulton se aktiviteti seksual mbetet rruga kryesore e transmetimit të infeksionit, përkatësisht tek më shumë se 93 për qind e rasteve. Ndërsa transmetimi nga nëna tek fëmija përbën 4 për qind të rasteve dhe transmetimi nëpërmjet gjakut përbën 3 për qind të rasteve në total. Ndryshe nga sa ndodhi një vit më parë fatmirësisht 2012-ta nuk është shoqëruar me përhapje të virusit nga nënat tek fëmijët (raste të reja). Mosha më e prekur sipas ekspertëve të shëndetit publik është ajo nga 25 deri 45 vjeç, ku përfshihen 63 për qind e të infektuarve. Sipas ministrit të shëndetësisë Vangjel Tavo një tregues mjaft i rëndësishëm për vlerësimin e peshës specifike që zë sida, mbetet numri i testimeve vullnetare për HIV.
Funksionimi i qendrave të këshillimit dhe testimit vullnetar në çdo prefekturë të vendit tonë lejon aktualisht kryerjen e këtij testimi në këto prefektura. Rreth 2137 testime vullnetare janë kryer në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar në Tiranë dhe në rrethe, shifër kjo që ka pësuar një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë mbetet ende shumë i ulët krahasuar me rrezikshmërinë që kjo sëmundje mbart në vetvete. Për këtë ministri Tavo ka bërë të ditur se ”fuqizimi i këtyre qendrave duhet të jetë një proces në vazhdimësi dhe ato duhet te ofrojnë shërbimet e tyre në të gjitha komunitetet që i përkasin gjeografikisht”.
Një problem që mbetet më aktuali për të sëmurët me Sida në vendin tonë, është mungesa e medikamenteve. Ky problem është hasur kryesisht tek të rriturit, të cilët shpesh kanë përdorur edhe ilaçet që janë për fëmijë. Drejtuesit e shoqatës së të prekurve nga kjo sëmundje vënë në dukje se trajtimi i këtyre pacientëve në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar, pasi jo vetëm mungojnë medikamentet, por shumë herë rastet përkatëse anashkalohen.
Për të mos folur më tej për shërbimet e munguara në rrethe, çka bën që shumë prej pacientëve të mos vijnë në kryeqytet për të marrë këtë shërbim. Konkretisht, sipas përfaqësuesve të kësaj shtrese, pohohet se ka ndërprerje të trajtimit me Antiretroviral (ARV) për shkak të distancës së largët që kanë pacientët me QSUT, çka i shtohet edhe fakti i mërzitjes që i shkakton pacientit marrja e përditshme dhe numri i madh i tabletave që duhet të marrë gjatë 4 orëve. Ndonëse terapia me antiretrovirale ofrohet falas në QSUT, vetëm pak prej të sëmurëve e marrin atë, rreth 222 pacientë.
Sot në Ditën Botërore të Luftës Kundër Sidës do të zhvillohen një sërë aktivitetesh sensibilizuese mbi ndarjen e informacioneve dhe këshillave për të parandaluar përhapjen, veçanërisht te moshat e reja. Pavarësisht punës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, është e nevojshme të vihen në fokus programet parandaluese e informuese.
Evidentimet
70 është numri i rasteve të reja të evidentuara me HIV-AIDS gjatë 2012-s
555 është numri total i të prekurve nga kjo sëmundje në gjithë vendin
93 për qind e rasteve e marrin virusin nëpërmjet kontakteve seksuale
4 për qind e rasteve virusi kalohet nga nëna shtatzënë tek fëmija
3 për qind e rasteve të evidentuara e kanë marrë sëmundjen nëpërmjet gjakut
Transmetimi
SIDA është një sëmundje me rënie të theksuar të mbrojtjes imunitare, me plogështi dhe rënie në peshë. Përhapet në rrugë seksuale (mënyra më e shpeshtë), rrugët e gjakut, nëpërmjet transfuzionit dhe injeksioneve dhe nga nëna e infektuar te fëmija i porsalindur. Për herë të parë kjo sëmundje në vendin tonë është zbuluar në vitin 1993 dhe që nga ajo ditë evidentohen zyrtarisht 555 persona të prekur, ndërkohë mendohet që shifra reale të jetë shumë herë më e lartë për shkak të mosidentifikimit të pacientëve.
Qarkullimi
Që prej vitit kur u zbulua rasti i parë me këtë virus, 86 prej personave të infektuar kanë vdekur për shkak të komplikacioneve të rënda të shkaktuara nga sëmundja. Ndonëse vite më parë pohohej se kjo sëmundje importohej prej shteteve të tjera, tashmë është evidente se kjo sëmundje qarkullon brenda vendit si pasojë e migracionit të brendshëm dhe qarkullimit të popullsisë në mënyrë masive nga zonat rurale. Grupe risku konsiderohen edhe grupet vulnerabël, si: romët, homoseksualët dhe përdoruesit e drogave.
Përhapja te fëmijët
Së fundi pjesë e listës së të prekurve po bëhen gjithnjë e më shumë edhe fëmijët, veçanërisht gjatë vitit të shkuar. Disa prej tyre kanë humbur edhe jetën. Sipas të dhënave të deklaruara nga strukturat e Shëndetit Publik, bëhet e ditur se kategorisë së fëmijëve nën 15 vjeç u përkasin më shumë se 25 raste. Te kjo kategori transmetimi i virusit bëhet kryesisht gjatë periudhës së shtatzënisë nga nëna mbartëse te fëmija për shkak të pakujdesisë së treguar në evidentimin e hershëm të sëmundjes. Megjithatë, kjo e fundit edhe mund të parandalohet.
Vangjel Tavo
“Dua të theksoj gjithashtu se është e nevojshme që në vijimësi puna jonë të fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të një programi në parandalimit e transmetimit nga nëna tek fëmija i cili është një domosdoshmëri për t’u stabilizuar vitin tjetër dhe për të bërë të mundur parandalimin e lindjeve të fëmijëve HIV pozitiv. Unë shfrytëzoj këtë rast të bëj një apel ndaj të gjithë shoqërisë shqiptare për të qenë më e përgjegjshme në stilin e jetesës në mënyrë që të bëhemi një shoqëri më e shëndetshme dhe të luftojmë sa më shumë këtë sëmundje të shekullit”, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë.
Infeksionet seksualisht të transmetueshme
Testimet vullnetare të kryera kanë nxjerrë në pah një tjetër fakt shqetësues, ku tregohet se krahas sidës, në rritje shfaqet edhe përhapja e infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme. “Ka një rritje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme të evidentuara gjatë kontrolleve sindromike dhe prania e infeksionit Klamidia është në prevalencën 5.6 për qind. Prania e infeksioneve seksualisht të trasmetueshme dhe sidomos Klamidias lehtëson transmetimin e mëtejshëm seksual të HIV, ndonëse Shqipëria mbetet një vend me shifra të ulëta, krahasuar me vende të tjera”, vë në dukje ministri Vangjel Tavo. Për të shmangur këto komplikacione bluzat e bardha apelojnë për më shumë kujdes dhe përdorim të masave mbrojtëse, teksa vënë në dukje se me analiza të thjeshta të kryera pranë Institutit të Shëndetit Publik apo qendrave të tjera të këshillimit dhe kryerjes së testimeve vullnetare mund të zbulojnë në kohë rreziqet që mund të shkaktohen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Edukimi në arsimin 9-vjeçar
Lidhur me këtë situatë problematike shoqata e personave që jetojnë me HIV–AIDS ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse që të bëhet më shumë në drejtim të ndërgjegjësimit dhe dhënies së informacioneve për edukimin e brezave të rinj, që po bëhen pre e kësaj sëmundjeje. Bazuar në raportet shëndetësore, theksohet se rruga më e përhapur për transmetimin e infeksionit mbetet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Vetëm 5-7 për qind e të rinjve nga mosha 15-20 vjeç përdorin masa mbrojtëse, duke treguar kështu shkallën e lartë të rrezikut të përhapjes së virusit. Ndaj sipas përfaqësuesve të shoqatës është e nevojshme që në arsimin parauniversitar e veçanërisht në atë 9-vjeçar të bëhen orë të veçanta për edukatën seksuale, duke qenë se marrëdhëniet e pambrojtura shihen si shkaku kryesor i transmetimit të këtij virusi.
OKB garanton Shqipërinë për mbështetje në kontrollin e Hiv-Aids
Kombet e Bashkuara apelojnë për zero infeksione të reja, zero diskriminim dhe zero vdekje nga AIDS. Dita Ndërkombëtare e AIDS-it përkujtohet çdo vit me 1 dhjetor për të mobilizuar njerëzit e të gjithë botës në luftën kundër epidemisë së HIV-it. Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, tha në një konferencë për mediat se “Kombet e Bashkuara janë të përkushtuara të mbështesin qeverinë në parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së HIV-AIDS-it në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes teknike dhe financiare si dhe nëpërmjet shkëmbimit të praktikave dhe dijes më të mirë nga rajoni dhe bota”.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri mbështesin qeverinë që Shqipëria të vazhdojë të jetë një vend me prevalence të ulët, tha Toumi-Benjelloun. Aksesi ndaj informacionit bazë, shërbimeve të parandalimit, trajtimit, kujdesit dhe mbështetjes ndaj personave që vuajnë nga HIV/AIDS-i mbetet parim i të drejtave të njeriut.
Mbështetja, sipas saj, shkon gjithashtu drejt ndërgjegjësimit për t’u kujdesur për personat e infektuar dhe për të siguruar që njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS të jenë pjesëmarrës në formulimin e politikave dhe të jenë pjesë aktive në mbrojtjen e të drejtave të tyre.