Jeta dhe shëndeti në punët e ndërtimit është një nga çështjet themelore të shoqërisë. Sipas legjislacionit, investitori ose administratori i punimeve që në fazën e projektimit të objekteve apo veprave, ngarkon koordinatorin e projektit në fushën e sigurisë dhe shëndetit për të hartuar planin e sigurisë dhe të koordinimit të punimeve. Koordinatori duhet të jetë i diplomuar në fushën e inxhinierisë, arkitekturës, të ketë njohuri për legjislacionin në ndërtim dhe më kryesorja të ketë çertifikatë që tregon pjesmarrjen në kurset speciale për sigurinë.
Deri më sot nuk është organizuar asnjë kurs për këtë fushë. Plani i sigurisë dhe i koordinimit është pjesë e dosjes që dërgohet për oponencë teknike në institucionet e përcaktuara. Por deri më sot në asnjë objekt apo vepër që është në procesin e ndërtimit nuk janë vendosur emrat e koordinatorëve. Gjithashtu subjekti ndërtues paraqet plan-organizimin e hollësishëm të punimeve të ndërtimit në përputhje me planin e sigurisë e të koordinimit. Të gjithë personat e caktuar për kontrollin dhe mbrojtjen e parandalimin duhet të kenë diplomë të shkollës së lartë dhe të jenë paisur me çertifikatën e frekuentimit të kurseve specifike. As kurse të tilla deri më sot nuk janë zhvilluar.
Për sigurinë në kantjer parashikohet kosto, dhe sipas VKM merret më shumë se 3% e vlerës totale të punimeve dhe është pjesë e kostos të objektit. Kjo vlerë përdoret vetëm për sigurinë në punë dhe likuidohet në bazë të avancimit të punimeve dhe të miratimit të koordinatorit të zbatimit të punimeve ne fushën e sigurisë. Tema e sigurimit teknik në punimet e ndërtimit nuk është marrë seriozisht nga institucionet përkatëse, nga Shoqata e Ndërtimit dhe nga vetë subjektet e ndërtimit. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë duhet të vazhdojë të bëjë sensibilizimin e legjislacionit, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punët e ndërtimit, nëpërmjet revistës “Ndërtuesi”, që nuk botohet prej shumë kohe.
Letër e nënshkruar,
Ing. Niko NASKA
