Minierat, ndërtimi, e bizneset fasoniste nuk sigurojnë as kushtet minimale të sigurisë në punë. Kritikojnë edhe ndërkombëtarët.
Një pjesë e mirë e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë paraqesin rrezikshmëri të lartë për punonjësit, pasi nuk sigurojnë as kushtet më minimale të sigurisë në punë. Ky fakt shqetësues është konfirmuar edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Punës, pas rezultateve shqetësuese të konstatuara nga kontrollet e kryera në disa prej subjekteve të biznesit. Monitorimet e kryera në këto të fundit, vënë në dukje se kushtet e sigurisë teknike të punonjësve mbeten në nivele të ulëta, çka shton rreziqet me pasoja fatale për jetën e tyre. Konkretisht, të dhënat e raportuara tregojnë se mungesa e kushteve të sigurisë në punë gjatë këtij viti është bërë shkak i 67 aksidenteve të rënda, ku 19 persona kanë humbur jetën. Si subjektet më me rrezik janë vlerësuar minierat, ndërtimi, por dhe bizneset fasoniste, kryesisht ato të prodhimit të këpucëve, apo konfensioneve të ndryshme ku punonjësit detyrohen të qëndrojnë për një kohë të gjatë nën ekspozimin e lëndëve kimike të rrezikshme.
Situata shqetësuese, ka nxitur edhe reagimin e përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Punës, të cilët i kanë kërkuar dikastereve përgjegjëse që të tregojnë tolerancë zero ndaj çdo subjekti që nuk plotëson kushtet e sigurisë teknike në punë duke vënë në rrezik jetën e punonjësve. Ndërkohë që kanë rekomanduar edhe sipërmarrësit të ofrojnë kushte më të sigurta, me qëllim që fuqia punëtore të jetë e vazhdueshme dhe kostoja shëndetësore të ndikojë sa më pak në cilësinë e punës. Këta ekspertë vërejnë se një pjesë e madhe e punëtorëve punojnë në të zezë. Kundrejt kësaj situate shqetësuese, Inspektorati Shtetëror i Punës, do të nisë një aksion të ri monitorimesh në të gjitha subjektet e biznesit që veprojnë në vendin tonë. Nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit Shtetëror të Punës, është ngritur një ekip kontrolli, që me përgjegjësi të plotë, do të kontrollojë të gjitha subjektet ku kanë ndodhur aksidente në punë dhe sëmundje profesionale gjatë vitit 2012, për të parë nga afër masat e mara nga subjektet, për eliminimin e aksidenteve në të ardhmen. Gjithashtu, me urdhër të veçantë të Inspektorit të Përgjithshëm, do të kontrollohen në të gjithë Shqipërinë subjektet me risk të lartë për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.
Kreu i këtij inspektorati Erion Manohasa, u ka bërë thirrje organizatave të punëmarrësve, punëdhënësve, si dhe gjithë opinionin publik, të denoncojnë pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës, çdo rast ku konstatohet shkelje e legjislacionit të punës. Fushata e re e kontrolleve të rrepta erdhi si shkak i dy aksidenteve të fundit që kanë ndodhur në ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, ku ka humbur jetën punëmarrësi Aleksandër Kondi dhe është plagosur punëmarrësi Marsel Bahja. Në mbyllje të vitit pritet të detajohet edhe raporti i plotë me të gjitha penalizimet që do të ndërmerren ndaj subjekteve që do të manifestojnë probleme sa i takon krijimit të sigurisë në punë dhe zbatimit të legjislacionit të punës. Në varësi të shkeljeve të konstatuara do të jepen edhe ndëshkimet që vijojnë nga gjoba, mbyllje aktivitetit e në rastet më të rënda do të ketë dhe procedime penale.
Aksidentet në punë
“Nga informacionet e inspektimit të punës dhe autoriteteve të tjera inspektuese, mund të thuhet që kujdesi i punëdhënësit për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk është në nivelin e kërkuar, në shumë raste është minimal, ose formal. Sektorë dhe aktivitete problematike janë identifikuar ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve. Gjatë periudhës janar- shtator 2012 në të gjitha aktivitetet janë regjistruar 67 raste të punëmarrësve të aksidentuar, nga të cilat 19 kanë përfunduar me humbjen e jetës së punëmarrësve”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme zëvendësministrja e Punës e Çështjeve Sociale Filloreta Kodra.
Puna në të zezë
“Situata në Shqipëri është delikate në këtë pikë. Informaliteti është pika më e vështirë kur flasim për zbatim të rregullave, sepse ka shumë njerëz që punojnë në të zezë dhe është e vështirë të punosh kur shumë njerëz punojnë në këto kushte. Katër për qind e GDP-së në botë shkon për aksidentet në punë, por në Shqipëri është ndryshe”, deklaroi Maria Di Carmo Gomes, përfaqësues i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
