Policia e Tiranës ka kërkuar akses në kamerat e sigurisë së subjekteve në Tiranë me qëllim parandalimin e krimeve. Qëllimi i policisë së kryeqytetit është survejimi online i kamerave të sigurisë së bankave të nivelit të dytë dhe dyqaneve të kompanive celulare në vend. Për këtë arsye Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa mblodhi dje në një takim përfaqësues të kompanive celulare dhe të bankave të nivelit të dytë. Në këtë takim, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, Çipa kërkoi që policia të marrë aksesin e kamerave për të vendosur linket tek salla operative me qëllim koordinimin online tek bankat e nivelit të dytë dhe kompanitë celulare në vend. Policia kërkon të jetë koherente me gjithçka ndodh pranë këtyre subjekteve me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Bashkëpunimi
Burime nga policia e kryeqytetit thanë se përfaqësuesit e bankave të nivelit të dyte dhe kompanitë celulare ranë dakort parimisht që policia të ketë akses tek kamerat e vendosura në këto subjekte duke vëzhguar në kohë reale gjithçka. Megjithatë të njëjtat burime shtuan se ka ende procedura ligjore për tu ndjekur deri në finalizimin e këtij projekti. Ngërçi është ligji “për mbrojtjen e të dhënave personale”. Kjo për shkak se kamerat e vendosura në këto subjekte nuk lejohen të filmojnë shumë metra larg subjektit. Pra perimetri që filmojnë kamerat e sigurisë është i ulët pasi shkelen të dhënat personave. Për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi është ftuar në takim edhe Irma Baraku, komisionere e mbrojtjes së të dhënave e cila së bashku me grupin e punës pritet t’i japin zgjidhje këtij projekti. Burimet policore thanë se në këtë projekt është e përfshirë Policia e Shtetit, Banka e Shqipërisë apo edhe Avokati i Popullit. Në parim këto institucione kanë rënë dakord që policia të survejojë online kamerat e subjekteve në kryeqytet por pritet një udhëzim i përbashkët ligjor i cili do të finalizojë projektin. Sipas policisë implementimi i këtij projekti do të kryhet brenda pak javësh.
Synimi
Policia e kryeqytetit bëri të ditur se është ngritur grupi i punës me specialistë të teknologjisë së informacionit për të vendosur dhe marrë filmimet online të subjekteve të bankave të nivelit të dytë si dhe kompanive celulare. Qëllimi i këtij projekti është parandalimi i ngjarjeve kriminale që ndodhin në zonat pranë këtyre subjekteve. Punonjës policie të do të kenë në mbikqyrje 24 orë në kohë reale gjithçka ndodh përreth këtyre subjekteve. “Qëllimi i këtij projekti është survejimi i rrugëve pranë këtyre subjekteve. Policia do të ndërhyjë prej pak minutash nëse konstatohet në kohë realë ndonjë ngjarje kriminale. Kamerat do të jenë lëvisëse me qëllim regjistrimin e pamjes me perimetër më të gjerë” thanë për gazetën DITA burime nga policia e kryeqytetit.
