Siguria ushqimore? Më shpesh po na zë një problem kardiak se sa gripi

DITA Online

 

Nga Entela Resuli

Kur vjen puna për ushqimin që konsumojmë, të gjithë jemi të ndjeshëm. Nga ana tjetër duket se sa më shumë kalon koha aq më shumë po humbasim shpresat se një ditë do të përdorim ushqim të kontrolluar. Kur do të vij ajo ditë që do të shkojmë në një dyqan dhe do të blejmë një produkte pa thënë: hajt se të gjitha njëlloj janë!

Informacionet dhe denoncimet në lidhje me mungesën e standardeve në këtë fushë nuk mungojnë, por a mjafton kjo!? Në lojë janë shumë biznese të cilat në rastin e parë që denoncohen ngrenë krye dhe thonë se: na e kanë bërë nga konkurrenca! Mund të ndodh edhe kjo! Por nga ta marri vesh konsumatori se cili është produkti i standardizuar që ai duhet të konsumojë?! Duhet një vullnet më i fort i strukturave shtetërore për ta bërë zap tregun në Shqipëri.

Këto ditë në media është shpërndarë një studim i shoqatës ‘Albanian Food Industry’. Studimi ka nxjerrë në pah se produktet që konsumojmë çdo ditë në tryezat tona, në shumicën e rasteve dështojnë në testet e sigurisë. Të pakta janë ato ushqime të cilat nuk kanë shfaqur probleme dhe përmbushin standardet e kërkuara dhe kjo më shumë lidhet me frutat dhe lëngjet e tyre.

Studimi nuk përmend emra kompanish, as marka, detaj i cili do i vinte shumë në ndihmë konsumatorit (pasi kur thuhet se mishi është me ngjyrues, duhet të tregosh se ku është ky mish dhe nga vjen në mënyrë që konsumatori të mos shkoj atje), por mesa duket autorët kanë menduar se kjo pjesë i takon strukturave shtetërore…! Studimi na vë në ndjeni të problemit, u takon të tjerëve të thellohen më shumë në rezultatet e tij dhe të evidentojnë vatrat e problemit.

Për të folur në lidhje me këtë fenomen Dita ka folur me specialistin Hysni Gurra, ai është inxhinier agrar dhe njohës shumë në fushën e sigurisë ushqimore.

Hysni Gurra

-Hysni, një studim i fundit i AFI ka nxjerr se, kemi probleme të mëdha në sigurinë ushqimore, me produktet që konsumojmë çdo ditë, sidomos me mishin, ndani edhe ju të njëjtin mendimi?

E lexova në media lajmin. Për mua rezultate të tilla nuk janë surprizuese. Ju vetë madje jeni edhe dëshmitare për këtë, por edhe publiku i gjerë tashmë e di se ky është një problem të cilin unë vazhdimisht jam munduar ta ngrejë kudo ku më është dhenë mundësia.

E para, më vjen mirë që lajme të tilla kanë filluar të behën virale për publikun, kjo tregon se ka një farë rritje të ndërgjegjshmërisë së publikut ndaj këtij fenomeni. Kjo është diçka pozitive.

Sigurisht që unë ndaj këtë mendim sepse siç ju thashë më lart është një çështje për të cilën kam vite që flas. Por duhet patur parasysh gjithmonë kur bëhen “studime” të tilla duhet të dihet mirë origjina dhe qëllimi i çdo studimi.

Ne shpesh dëgjojmë dhjetëra lajme në ditë që paraqesin x apo y studim të tipit – “konsumoni shumë çokollatë sepse të mbron nga sëmundjet e zemrës p.sh”. Këto shembuj ndodhin në vendet europiane, jo në Shqipëri. Po çfarë ndodh, pas një studimi të tillë rritet me 5-10% shitja e çokollatës, po t’i shkosh pak edhe më tutje del që studimi ka qenë i sponsorizuar nga një kompani që prodhon dhe tregton çokollatë.

Ky është një shembull jo përgjithësues, po ja që ndodh edhe kështu, dhe ndodh edhe në vende shumë të zhvilluara. Ose një shembull tjetër për lexuesin. Hulumtoni si u përhapën medikamentet antidepresive në Japoni p.sh. Pra ka edhe “studime” të tilla!

I them këto shembuj për të kuptuar se ndodh edhe kështu! Sigurisht jam i prirur që çdo studim që i afrohet të vërtetës në Shqipëri ta besoj. Kështu që në vija të përgjithshme jam i prirur ta besoj duke ditur edhe situatën në të cilën ndodhet siguria ushqimore në vend.

-Një nga ushqimet më problematike ishte mishi. Cili është problemi më i madh i këtij produkti kaq shumë të konsumuar në vendin tonë?

Unë nuk mund të flas me detaje dhe me siguri të plotë përsa kohe kemi vetëm një lajm dhe jo detajime analizash, vende ku janë marrë mostrat…etj etj sepse ka një sërë kriteresh që duhen ditur për të dhënë një opinion në lidhje më çështje kaq specifike. Përgjithësisht di që mishi theret, ruhet dhe tregtohet ne kushte jo të përshtatshme në Shqipëri. Jam i prirur të besoj se problem më i madh me mishin dhe nënproduktet e tij në Shqipëri i ka më të shumta mishi i importit se prodhimi vendas. Gjithsesi kjo është vetëm një përshtypje pa parë me detaje gjithë çfarë thuhet.

-Ndërkohë, kjo është periudha kur vaji i ullirit prodhohet edhe shitet në vendin tonë. Studimi është shprehur se ky lloj vaji ka probleme. Çfarë po ndodh me vajin e ullirit në vendin tonë?

Mesa pashë nga “studimi” thuhej se në masën 80 për qind ishte brenda parametrave të duhura. Vaji i ullirit në Shqipëri për mendimin tim, me përjashtime të vogla, është cilësorë. Gabimi që bëhet nga ana e fermerëve në këtë drejtim është vjelja e ullirit jo në kohën e duhur, kjo gjë sjell më pas edhe problemet me aciditetin kryesisht. Nuk përjashtohet mundësia që ka edhe vaj ulli që nuk është vaj ulliri në Shqipëri. Në studim do ishte mirë që subjektet që janë kapur me shkelje sipas tyre të tregohen publikisht. Kjo ndihmon prodhuesin e atij vaji që të përmirësohet ose vetëdijesoni konsumatorin dhe për një kohë shumë të shkurtër ky vaj që nuk është vaj del nga tregu. Po flasim në kushtet kur institucionet përkatëse nuk marrin masat e duhura.

-Si duhet ta njohim atë, si mund ta kuptojmë që ai është në cilësi të mirë?

Tani, njohja me anë të shijes është njohja që bëhet në Shqipëri. Por ne nuk duhet të vazhdojmë akoma kështu. Duhet që ato etiketat që ngjiten te shija e vajit t’i përmbahet 100 për qind edhe cilësisë së vajit. Kjo është njohja më e mirë. Nuk mundet që çdo konsumator të marrë të bëjë privatisht analizat e produkteve që konsumon. Prandaj duhet të rritet besueshmëria te institucionet të cilat paguhet nga taksat tona për të garantuar këtë gjë.

-Gjithashtu, produktet që konsumohem me tepër në familje, si qumështi dhe gjalpi kanë dal: Qumështi me aflatoksinë dhe gjalpi me vaj palme…Çfarë dëmesh sjell kjo?

Dëmet që sjellin këto në shëndetin e njeriut janë tashmë të ditura. Ne po shohim sesi trupi ynë çdo ditë e më shumë po humbet rezistencën ndaj sëmundjeve të ndryshme. Më shpesh të zë një problem kardiak se një grip.

-Kaq e vështirë është të kontrollohen?

Që t’i përgjigjesh kësaj pyetje duhet së para të kesh institucione funksionale, të cilat merren me këto kontrolle. Në kushtet kur këto institucioni nuk funksionojnë normalisht është e kotë t’i futesh një diskutimi sesa e vështirë është të kontrollosh abuzuesit.

Në pyetjen e parë ju përmenda dy shembuj jo paqëllim dhe të dyja janë fenomene që ndodhin në vende shumë të zhvilluara. Ne duhet të bëjmë njëherë këto gjerat bazike të cilat nuk bëhen dhe më pas duhet të kalojmë në diskutimin e shkallës së vështirësisë.

-Cili është roli i institucioneve që kontrollon ushqimet në vendin tonë?

Roli i institucioneve që paguhen për t’u marrë me këtë punë por vetëm me këtë punë nuk merren është përcaktues në një katrahurë pasigurie, abuzimesh, falsifikimesh e lloje-lloje problematikash me të cilat përballemi çdo ditë është shumë i rëndësishëm. Për fat të keq akoma nuk ka asnjë shenjë përgjegjshmëri në këtë drejtim. Vazhdohet me paaftësi dhe emërime politike në burime njerëzore, pak ose aspak financime për këto institucione dhe e përhershmja, korrupsioni vazhdon me ritme “hormonale”. Vazhdon njëlloj si ato perimet apo viçat të cilat për shkak të injektimit të hormoneve rriten e rriten pa fund.

-E thënë ndryshe, a po ushqehemi keq, a jemi në një gjendje alarmi në këtë drejtim?

Të thuash jemi në alarm, të turren duke të thënë se po e ekzagjeron, të thuash nuk jemi fyen veten dhe formimin që ke! Di të them se unë personalisht përpiqem të ruhem shumë dhe të këshilloj këdo që më pyet. Jam i bërë si në ato tabelat që vendosen ne kantieret e ndërtimit “ruaj veten ruaj shokun”, në këtë drejtim!

 

Raportin e “Albanian Food Industry” mund ta lexoni KËTU.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *