Sigurimet në 6 muaj, tregu rritet 21%

Dita

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se gjatë periudhës janar-qershor 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 488,172 me një rritje prej 9.15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.39% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.42%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.17% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.83% të totalit të tregut. Gjatë kësaj periudhe dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,461 milionë lekë, ose 12.60% më shumë se në periudhën janar-qershor 2014.

Sigurimi vullnetar rritet 14 për qind

Primet e sigurimit vullnetar, arritën mbi 2,769 milionë lekë, ose 14.34% më shumë se në periudhën janar-qershor 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 10.97% krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2015, patën rritje me 21.88% kundrejt periudhës janar-qershor 2014. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-qershor 2015 siguruan mbi 1,339 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 72.90%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 18.57% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-qershor 2015, vihet re një rritje prej 13.01% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 9.83% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2015, arritën në rreth 622 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 59.74% në krahasim me periudhën janar-qershor 2014. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2015, arritën mbi 477 milionë lekë, ose 11.87% më pak se në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar.

Sigurimi i detyrueshëm motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2015 arritën mbi 3,646 milionë lekë, ose 27.18% më shumë se në periudhën janar-qershor 2014. Produkti MTPL e brendshme, pati një rritje prej 31.26% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 7.99% krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2015 pati një ulje prej 19.41% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 24.94% krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2015, pati një rritje me 22.75% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 20.69%.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *