Sigurimet shoqërore, si do llogariten kontributet e detyrueshme dhe vullnetare

Leda Hysa

 

Masa e kontributeve që duhet të shlyejnë punëmarrësit dhe punëdhënësit llogaritet mbi pagën bruto. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, saktësohet se derdhja e kontributeve nuk mund të caktohet në pagat që janë më të ulëta se sa paga minimale në shkallë vendi. “Personat e punësuar dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për sëmundje, barrëlindje dhe pensione, në një shumë që varet nga paga e tyre totale (bruto). Kontributi nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore. Ndërkohë që punëdhënësit detyrohen të paguajnë edhe kontribut për aksident në punë e sëmundje profesionale dhe për papunësinë”. Gjithashtu në ligj përcaktohet se personat e tjerë ekonomikisht aktivë janë të detyruar të paguajnë kontribut mujor për barrëlindje dhe për pensione të llogaritura, për një pagë jo më të vogël se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale kontributive. Ligji i sigurimeve shoqërore përcakton se punonjësit e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, paguajnë kontribut për barrëlindje dhe për pensione, mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.

Masa e kontributeve

Kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore në fondet e sigurimeve për sëmundje, barrëlindje dhe pensione do të jetë për punëdhënësit 13,8 për qind e shumës bruto të listpagesës, ndërsa për personin e punësuar 9.5 për qind e pagesës së tij totale bruto. Kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi në datën 31 dhjetor e vitit 2014. Ndërsa pas datës një janar 2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. “Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi. Personat e vetëpunësuar në bujqësi paguajnë kontribut për pension dhe barrëlindje, të llogaritur mbi pagën minimale në shkallë vendi. Pagesa e kontributit bëhet çdo tremujor”, specifikohet në ligjin e sigurimeve shoqërore.

Detyrimet për shlyerjen e kontributeve

Derdhja e kontributeve do të paguhen nga personat e siguruar. Kontributet e personave të punësuar nën një kontratë pune do të ndahen ndërmjet personit të siguruar dhe punëdhënësit të tij, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore dhe derdhen nga punëdhënësi. Personat e detyruar për derdhjen e kontributeve janë përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tyre. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga e të punësuarve kontributet dhe t’i derdhë ato në llogari të administratës tatimore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi

Kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi dhe kontributet vullnetare derdhen në llogaritë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Kriteret dhe procedurat përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore kanë të drejtë të kontrollojnë saktësinë e llogaritjes dhe afatet e pagesës së kontributeve. Çdo diferencë në shumën e kontributeve do të kthehet gjatë 5 vjetëve të pagesës së bashku me kamatëvonesën.

Si llogariten kontributet vullnetare

Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm.

Afatet e derdhjes së pagesave

Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, përjashtuar personat e vetëpunësuar në bujqësi, i paguajnë kontributet në fondin e sigurimeve shoqërore, sipas afatit dhe procedurave të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore.  Ndërsa të vetëpunësuarit në bujqësi i paguajnë kontributet gjatë vitit kalendarik një herë në tre muaj. Afati i fundit të pagesës së tyre, është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe procedurat e derdhjes së kontributeve. Akti që përmban detyrimin për pagesën e kontributeve përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyra e përmbarimit.

Ndëshkimet

Ndaj punëdhënësve dhe të vetëpunësuarve, përjashtuar personat e vetëpunësuar në bujqësi, që nuk zbatojnë afatet dhe procedurat e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, merren një sërë masash ndëshkimore. Nëse nuk paguhen në afatet e përcaktuara në këtë ligj, të vetëpunësuarit në bujqësi do të paguajnë kamatëvonesa, që llogaritën mbi shumën e kontributeve të papaguara nga data në të cilën pagesa ka qenë e detyrueshme deri në datën në të cilën pagesa kryhet. Masa e kamatëvonesës është sipas përcaktimeve të nenit 76, të ligjit: “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Kamatëvonesat llogariten nga inspektorët e Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore.

Mbrojtja nga sigurimet shoqërore

Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi e ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron ditën kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari. Ndërsa periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore vullnetare nis nga data e përcaktuar në kontratën e sigurimit dhe mbaron ditën e skadimit të kësaj kontrate. Sipas ekspertëve të sigurimeve, periudhë e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore për efekt të pensionit të pleqërisë, pensionit të invaliditetit dhe të pensionit familjar është edhe periudha kur personi përfiton të ardhura nga sigurimet shoqërore për shkak sëmundjeje, barrëlindjeje, aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale dhe për papunësinë. Kontributet në favor të tyre do të transferohen nga llogaritë e degëve përkatëse. Detajet përcaktohen nga Rregullorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Si përfitohen të ardhurat për sëmundje!

Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, personi i siguruar përfiton të ardhurat për sëmundje, kur vërtetohet me raport mjekësor se ai është përkohësisht i paaftë për të punuar dhe kjo paaftësi nuk është pasojë e një aksidenti në punë ose e një sëmundjeje profesionale. Personi i siguruar ka të drejtën e përfitimit të të ardhurave për sëmundje edhe brenda 30 ditëve kalendarike, pas mbarimit të sigurimit të tij të detyrueshëm. Kjo nuk do të zbatohet nëse i punësuari është pushuar nga puna për akt kriminal, sipas vendimit të Gjykatës.  Të ardhurat për sëmundje janë 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim dhe 80 për qind kur i siguruari ka mbi 10 vjet sigurim. Ndërsa për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto, të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe do të zgjasë jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Ekspertët e sigurimeve sqarojnë se periudha e përfitimit mund të zgjatet përjashtimisht deri në 3 muaj të tjerë, në rast se komisioni i mjekëve ekspertë (KMCAP) provon që personi i siguruar do të shërohet në këtë periudhë dhe nuk do të deklarohet invalid. Periudha e përfitimit të paaftësisë së përkohshme nga sëmundja, për ata që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, është deri në 3 muaj nga data e fillimit të pagesës. Ndërsa periudha e përfitimit për punonjësit sezonalë dhe të përkohshëm, të cilët kanë qenë të punësuar të paktën 3 muaj në 12 muajt e fundit, është deri në 75 ditë.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *