Sigurimi i depozitave projektligj i ri, përfshin edhe bizneset

Saimir Lleshi

Sigurimi i depozitave në banka vjen me një projektligj të ri, i cili sipas shpjegimeve përkatëse synon të zgjerojë bazën e depozituesve të mbrojtur nga skema.

Siç theksohet ne relacion, projektligji i propozuar merr shkas edhe nga rekomandimet e misionit të Bankës Botërore për vlerësimin e sektorit financiar në Shqipëri. Ndryshimet synojnë zgjerimin e bazës së depozituesve të mbrojtur nga skema nëpërmjet përfshirjes së depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në depozitat e sigurueshme.

Synohet gjithashtu përshpejtimi i afatit të kompensimit të depozitave nëpërmjet detajimit të funksioneve të likuidatorit në lidhje me përjashtimet nga listë-pagesa për kompensim. Ligji i ri synon të garantojë një qasje më të shpejtë të Agjencisë në likuiditet nëpërmjet rishikimit të së drejtës së saj për të shitur dhe riblerë tituj edhe te Banka e Shqipërisë.

Ndryshimet synojnë në një koordinim të ri-strukturimit të shoqërive të kursim-kreditit dhe unioneve të tyre me afatin e përfshirjes së tyre në skemë nëpërmjet rishikimit të dispozitave kalimtare.

Rezoluta e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2014 përcaktoi si një nga masat e domosdoshme mbulimin me sigurim të depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare (ndërmarrjeve). Me qëllim zbatimin e saj u kërkuan të dhëna nga bankat anëtare të skemës për vlerësimin e efekteve të projektligjit në sistemin bankar.

Nga ky vlerësim rezulton se bankat i mbajnë dhe pasqyrojnë në zëra të veçantë të kontabilitetit dhe bilancit veprimet me depozitat e tregtarëve dhe shoqërive tregtare. Ndërsa subjektet, që nuk ndjekin veprimtari tregtare janë klasifikuar veçmas tregtarëve dhe shoqërive tregtare.

Përfshirja e depozitave të subjekteve të tjerë në skemë duhet të jetë graduale me qëllim administrimin e rrezikut moral për subjektet anëtare dhe depozituesit. Përvoja e vendeve të rajonit për mbulimin e depozitave të subjekteve nuk është e unifikuar. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *