Çmimi për sigurimin e detyrueshëm të makinës brenda pak javësh është rritur në vlera marramendëse. Nëse në fillim të janarit tarifat ishin rreth 6 mijë lekë, sot ato janë rritur me më shumë se tre herë. Cmimi ka arritur në 18,500 lekë. Madje jo vetëm kaq, por kompanitë e sigurimeve kanë hequr diferencimet sipas fuqisë motorrike të mjetit. Sigurimi kushton njëlloj si për një makinë me motor 800 kubikësh, ashtu edhe për një me motorr 3,000 kubikësh.
Çdo rritje apo ulje e tarifave kryehet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë. Pikërisht për arsye të rritjes së bashkërenduar të çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës i shpalli vitin e kaluar kompanitë e sigurimeve fajtore dhe i ndëshkoi me gjoba, në përpjestim me pjesën e tregut në sigurimin e detyrueshëm motorrik. Si përfundim, kemi dy institucione që i bien njëri gozhdës dhe tjetri patkoit, duke u shqetësuar secili vetëm për detyrat e veta, dhe pa asnjë vullnet për bashkëpunim rreth çështjes në fjalë. Dhe në fund janë qytetarët që vuajnë pasojat e një tregu të pastabilizuar dhe të pasigurtë.