Sigurimi shëndetësor kusht për marrjen e vizës studimore në Itali

anazapta

Sigurimi shëndetësor është një detyrim që duhet plotësuar nga të gjithë maturantët apo studentët shqiptarë që janë duke ndjekur procedurat e regjistrimit, për të vijuar studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2013-2014 në universitetet italiane.

Burimet zyrtare të Ambasadës Italiane në vendin tonë kanë bërë të ditur se : “ Të gjithë studentët që do të regjistrohen pranë universiteteve italiane në vitin e ri akademik dhe që po ndjekin procedurën e para-regjistrimit, për të marrë vizën e studimit duhet të dorëzojnë sigurim shëndetësor pa asnjë kufizim ose përjashtim nga tarifat e caktuara për shtrimin urgjent në spital, për të gjithë kohëzgjatjen e mbulimit të studimeve”.

Po sipas këtyre burimeve në rastet kur hasen vështirësi për pajisjen me këtë lloj sigurimi pranë agjencive shqiptare (shpesh sigurimet e bëra në Shqipëri përjashtojnë disa sëmundje), studentët mund t’i drejtohen shoqërive italiane, që shpesh bëjnë të mundur pajisjen me sigurimin shëndetësor edhe jashtë shtetit. Po të njëjtat burime kanë shtuar se është shtyrë edhe afati që studentët kanë në dispozicion për të kryer regjistrimet paraprake.

Sa i takon ndryshimit të bërë është vendosur të shtyhet edhe data për paraqitjen e kërkesave për para-regjistrim, për të gjitha degët universitare italiane deri më datë 5 korrik 2013. Afati për të paraqitur kërkesën e para-regjistrimit nuk është më data 21 qershor, siç ishte njoftuar më parë, por data 5 korrik 2013). Kështu studentët që nuk e kanë bërë ende regjistrimin online në testet e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur (kujtojmë se regjistrimi online është i detyrueshëm për të paraqitur kërkesën e para-regjistrimit), mund ta bëjnë, gjithmonë në sitin www.univeritaly.it, prej datës 25 qershor 2013.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *