Le të fantazojmë për një sekondë sikur 27 shtetet që formojnë aktualisht Bashkimin Europian (28 me hyrjen e Kroacisë korrikun e ardhshëm), të “bashkoheshin” me të vërtetë. Do lindte një gjigant ekonomik, politik dhe ushtarak. Por le ta lëmë mënjanë vëzhgimin partizan të një europiani dhe të analizojmë thjesht numrat.
Ekonomia, si fillim. BE-ja gëzon një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 17 mijë miliardë dollarë, ndërkohë që pasuria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të llogaritet në 15 mijë miliardë dollarë. Kina renditet e treta me 7 mijë miliardë dollarë, pothuajse 60% më e varfër nga “varfanjakët” europianë. Dhe akoma: 15,6% e gjithë tortës së eksporteve botërore zotërohet nga Bashkimi Europian, shifër kjo tejet domethënëse nëse merret parasysh kuota e amerikanëve veriorë, vetëm 8,3%. Çdo qytetar europian ka një fuqi blerëse katërfish më të lartë sesa një kinez, trefish sesa një brazilian dhe nëntë herë më shumë sesa një indian. Nëse dikush do duhej të zgjidhte se ku të rrisi fëmijën e vet, në BE-në e pllakosur nga kriza apo në të ashtuquajturat “fuqitë në ngjitje”, nuk besoj se do kishte kurrëfarë dilemash.
Po influenca në politikën e jashtme dhe në fushën e shahut të lidhjeve gjeo-ushtarake? Kakofonia e zërave që ngrihen zhurmshëm nga liderët e shteteve europiane ose afonia e baroneshës Ashton (“ministrja e jashtme” e BE-së), mos vallë kanë margjinalizuar si asnjëherë në histori kontinentin e vjetër? Le të merremi përsëri me numrat, sepsa ata sigurisht që kanë nevojë për t’u lexuar, por shyqyr mbartin dhuntinë e qartësisë. Prej më shumë se gjysmë shekulli, në territoret e Europës së Bashkuar nuk është derdhur as edhe një pikë gjaku për konflikte midis shteteve. Në të katër anët e globit më shumë sesa 57 mijë diplomatë europianë kujdesen për interesat e vendeve përkatëse, ndërkohë që India, mund të bazohet vetëm në 600 nënpunës diplomatikë. Por jo vetëm. Kasaphana e diktatorit Muammar Ghedafi u ndalua nga bombardimet e avionëve francezë, “pranverat arabe” u mbajtën financiarisht gjallë nga arkat gjasme “bosh” të BE-së, fuçia me barut ballkanik mori lagështi falë dëshirës së popujve të gadishullit për t’u integruar në nivelin europian.
Do ishte naive të mohoej kllapia ekonomiko-financiare që vitet e fundit ka mbërthyer shtetet më të dobëta të BE-së, qëllimi i rubrikës së sotme nuk është ky. Por aman duhet të vazhdojmë të mbajmë gjallë sensin e proporcionit. Me shifra absolute Bashkimi Europian, sikur të kishte një politikë realisht të “bashkuar”, do ulej padiskutim në fronin e udhërrëfyesit botëror. Sado që fuqi të tjera (Kina, India apo Brazili) janë “yje në ngjitje”, malorja për të arritur majat europiane është përsëri e gjatë.
Fillova analizën me fjalën “sikur”, sepse BE-ja, për fat të keq, nuk është akoma një Shtet federal dhe nuk ka gjasa të jetë i tillë në një të ardhme të afërt. Si gaforret që ecin dy hapa para dhe një hap anash, Gjermania me shokë po kërkojnë të përforcojnë edhe më tej bashkëpunimin politik për të pasur një zë të vetëm, një strategji të vetme dhe qëllime të përbashkëta. Deri atëhere BE-ja është një “gjigand me këmbë prej argjile” i cili ecën me vështirësi por që nuk mund të nënvlerësohet sepse po i preve rrugën, mund edhe të të shtypi.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]
margjinalizuar çfare eshte se nuk e kuptoj ?