Sikur të ziheshin kështu edhe për rrogën e punëtorit…

redaktor

Përpiqem të marr vesh se çfarë po ndodh me deputetin T. Doshi, por gjithë ç’dëgjoj janë deklarata të atyre që thonë se nuk dinë asgjë; përbri kontrapunktit që ofrojnë akuzat e përbindshme për kërcënime me vrasje, shantazh dhe sikarë, llogjet e mediave, dhe kakofonisë së krijuar, si herë të tjera, nga opozita.

Por s’e fsheh që më merr ndonjëherë malli të dëgjoj për ndonjë ngatërresë politike që të mos i ketë rrënjët – e vërteta ose të fshehura – në kriminalitet.

Natyrisht, nuk kam asgjë specifike ç’të them për këtë konflikt të fundit; edhe pse do të kisha dëshiruar që përplasja e Ramës me Doshin, ose e Berishës me Metën etj të kishin ndodhur për diçka më “politike” – për shembull për reformën e sindikatave ose për rrogën minimale të punëtorit; fundja edhe për hapjen e dosjeve, si çështje jo ekzaktësisht kulturore.

Sepse këto muhabete për vrasje me porosi tingëllojnë, në fakt, poshtëruese për elitën politike në Shqipëri; dhe konfirmojnë një përshtypje të shumëve, sipas së cilës po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh, në atë vend, vijën që ndan bandat kriminale nga shoqëria civile dhe pushteti.

Sidoqë ta rrotullosh këtë, mbetet sjellje tipike e një shteti që nuk ndihet mirë në sovranitetin e vet; ose të një shteti ku elitat që janë në krye, do të kishin preferuar të mbanin vetëm pushtetin, ndërsa punët e tjera të shtetit t’ia linin një force të tretë, sipas rastit të huaj ose mercenare.

 

Letër e nënshkruar

Migena Aleksi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *